Shtatë ditë turist në Vlorë – Dita e Detit
July 21, 2020 || views
Vlora është deti dhe deti është Vlora. Ajo mbretëron në dy dete, Adriatikun e pamatë dhe Jonin blu. Vlora është qyteti ose qarku me vijën bregdetare më të gjatë në Shqipëri, me rreth 150 kilometra, bregdet i cili fillon në grykëderdhje të Vjosës dhe mbaron në Borsh. Të gjitha ngjyrat dhe nuancat e blusë dhe të gjelbrës shkrihen në tokë e në det, mes ujrave të bruzta që shkojnë deri në blu të thellë me bukuri tronditëse por edhe brigjeve që herë mbulohen nga pyjet e pafund me pisha, herë përmbyten ndër laguna, e herë nxjerrin kreshtat e ashpra të shkëmbinjve ku shkumëzojnë e thërrmohen dallgët. Male, pyje, lumenj, laguna, ishuj e gadishuj.
Të gjitha i ka Vlora.
Guida e ditës së sotme është ajo e detit por mund të mos jetë vetëm një ditë. Sepse një ditë e vetme nuk mjafton. Megjithatë, nëse e organizoni siç duhet, mund të shijoni shumë.
Kështu për shembull, ju patjetër në krye të listës duhet të keni shëtitjen me anije në ishullin e Sazanit ose Gadishullin e Karaburunit ose të dyja bashkë, të kombinuara, për një vizitë kulturore, natyrore dhe argëtuese.
Gadishulli i Karaburunit
Ky itinerar përfshin, përveç kënaqësisë së lundrimit, vizitë në një ose më shumë plazhe të Karaburunit, gjiret e të cilit janë të një bukurie mahnitëse. Pa dyshim, plazhi më i bukur e më i vizituar është Gjiri i Gramës, i cili ndër të tjera ka edhe vlerën e veçantë të mbartjes së mbishkrimeve të lashta, që i kanë dhënë edhe emrin. Por edhe shumë plazhe ose gjire të tjera janë po aq të bukura, si për shembull ai i Shën Janit, Dafinës, Shën Andreas, Gjiri i Anglezit etj.. Ndër objektet me interes turistik më të vizituara në Gadishullin e Karaburunit, është Shpella e Haxhi Aliut, piratit ulqinak që e përdori atë në Mesjetën e hershme por quhet edhe Shpella Iliriane, për shkak të gjurmëve të gjetura, që të çojnë deri në lashtësi.
Ishulli i Sazanit
Është objekti tjetër me interes që do të vizitoni gjatë turit tuaj. Misteri që e ka rrethuar këtë aset të pashfrytëzuar po zbulohet dita-ditës nga vizitorët e huaj, por jo më pak edhe nga vendasit, për të cilët, ky destinacion ishte një mollë e ndaluar.
Edhe pse zyrtarisht mbetet një bazë ushtarake, Sazani pret vizitorë të shumtë, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e turizmit. Me më pak se 6 km2 sipërfaqe, ishulli është një rezervat i vërtetë për jetën e egër, duke strehuar dhjetëra lloje të rralla të florës dhe faunës, e sidomos të zvarranikëve. E ndërsa në ishull ende shihen ndërtesat, tashmë të braktisura të përdorura për akomodimin e stafit ushtarak që shërbente aty, në afërsi të brigjeve të Sazanit, nënuji fsheh mistere ende të pazbuluara që datojnë që nga betejat e hershme detare të Perandorisë Romake e deri në Luftën Dytë Botërore.
Anijet turistike – kapitenet e ditës tuaj
U bënë tashmë disa vjet që shëtitjet turistike kanë “pushtuar” detin dhe kjo, falë anijeve që sot lundrojnë kryq e tërthor gjirit të Vlorës. Shtimi i turistëve dhe rritja e kërkesës, nuk përballohej dot më nga gomonet apo varkat e vogla dhe sot, në det lëvizin rreth njëzet e shtatë anije turistike, që ofrojnë ture ditore e disa ditore rreth e qark Vlorës dhe Rivierës.
Regina Blu, pionierja e parë që themeloi Flotën Regina
Ajo ishte e para që nisi lundrimet drejt Sazanit e Karaburunit, e ndjekur shpejt nga anije të tjera, që rendën të presin turistët e shumtë. Sot Regina Group, një prej kompanive turistike më të spikatura të Vlorës në hoteleri e turizëm, ka krijuar Flotën Regina, që përbëhet nga disa anije dhe që karakterizohet nga tipare krejtësisht të veçanta, në dy aspekte; ka filluar t`i ndërtojë anijet e saj në Shqipëri dhe e ka shtrirë aktivitetin edhe në Gjirin e Durrësit (lexo më shumë për Vasil Bedinaj në artikull).
Liburna – bukuroshja e Vlorës
Ajo është më e reja por pa asnjë dyshim më e bukura e anijeve që lundrojnë në Vlorë! Një pasion i çmendur i të zotit të saj, rritur mes detesh, krijoi thuajse një vepër arti, e bazuar krejtësisht në teknikën e ndërtimit të liburnasve të shpejtë të lashtëtsisë. E s`kishte si të quhej ndryshe veçse Liburna. Ajo është aq e bukur, saqë me siguri në të ardhmen, do ta gjeni nëpër fotot ikonike të vlorës, nëpër kartolina, si pjesë të sfondit të vajzave të famshme të show bizit apo edhe ilustruese të spoteve turistike të agjencive turistike botërore e vendase.
Mogila katamarani luksoz mbi dallgë
Natyrisht që një anije është bërë për të lundruar por ajo mund të jetë njëkohësisht edhe një objekt luksi e komforti që jua ofron krahas aventurës dhe argëtimit, edhe luksin e një restoranti me pesë yje, ku mund të shijoni drekën tuaj me ushqime të freskëta deti, ndërkohë që peisazhi para jush ndryshon vazhdimisht. Kjo është pikërisht ajo që ju ofron Anija Mogila.
Një kapitene në bordin e Teutës
E keni parasysh? Ju hipni në anije, dhe teksa kaloni në bord, prisni që në timon të gjeni ndonjë pirat të ashpër deti, mundësisht nga ata me mjekër të gjatë e fytyrë të zeshkët, ndërkohë që mbi timon do gjeni duart e një femre dhe poshtë kapeles prej marinari, ju buzëqeshin dy sy të butë. Mos u çudisni fare; ajo është Valentina, kapitenia e Anijes Teuta, një vajzë aq e zonja, saqë i shoqi ia ka lënë asaj në dorë timonin. Edhe Teuta po kthehet ngadalë në një flotë të vogël, deri tani me dy anije të bukura.
Bota nënujore e Vlorës
Parku Kombëtar Detar Sazan-Karaburun, i shpallur i tillë vetëm vitet e fundit, mban në gjirin e tij thesare të paçmueshme, duke përfshirë tokën, detin dhe nëndetin. Jo vetëm relike të vjetra, anije të mbytura e objekte interesante por edhe një florë e një faunë e e pasur, që ka filluar të ripërtërihet ndjeshëm, është ajo që mund të zbuloni në Gjirin e Vlorës.
Por jo pa ndihmën e Pajtimit dhe djemve të Ekspeditës Blu. Vetëm ekipi i tyre i zhytjes mund t`ju ndihmojë të eksploroni vendet e duhura. Ju mund ta kombinoni zhytjen me orët e qëndrimit në një nga plazhet e Karaburunit, ose të rezervoni një ditë të plotë për këtë tur të veçantë.