Vasil Bedinaj njeriu që ndërton anije
June 20, 2020 || views
Në vitin 2018 Regina Group ndërtoi anijen e parë me kapacitet rreth 200 persona, e cila përshkoi brigjet e Vlorës nëpër Sazan e Karaburun, ku qindra turistë të huaj e kuptohet, edhe plot shqiptarë, shijuan bukuritë e bregdetit vlonjat në ditët e nxehta të verës.
Vjet u ndërtua anija e dytë, me kapacitet më të madh, si rrjedhojë e kërkesave të shumta të turistëve, që megjithë shtimin e mjeteve të lundrimit, mbetet ende e lartë. Kantieri është vendosur diku pranë Plazhit të Vjetër, dhe mbikëqyret nga inxhinierë dhe projektues huaj, dimplomuar e vlerësuar nga BE, me qëllim që të sigurohet cilësia dhe siguria e duhur.
Pyetjes tonë, nëse këto janë shenjat e nisjes së industrisë së ndërtimit të anijeve në Shqipëri, Vasil Bedinaj, president i Regina Group, i përgjigjet pozitivisht, duke na zbuluar se përveç zgjerimit të flotës së Regina Group me anije të tjera, në të ardhmen, planet janë për tregtimin e këtyre anijeve, duke plotësuar natyrisht kërkesat e tregut në sajë të porosive. Por sidomos ajo që synohet fort, është edhe riparimi i anijeve, edhe kur ato vijnë nga jashtë, pasi ky proces është shumë i kushtueshëm dhe kërkon kohë të gjatë nëse kryhet jashtë, siç ndodh aktualisht.
Duket vërtet e largët koha kur moratoriumi i skafeve kishte ndaluar lëvizjen e çdo mjeti lundrues në bregdetin shqiptar, tani që jo vetëm lundrohet, por edhe po ecet me shpejtësi drejt plotësimit të kësaj pike të rëndësishme të turizmit në sektorin e argëtimit dhe kohës së lirë. Në këtë sektor Vlora është disa hapa më përpara se Durrësi, ku deri tani nuk ka pasur anije turistike në lëvizje por ku stacionohen disa kryqëzore gjatë verës, gjë që në Vlorë nuk ka ndodhur akoma.
Mirëpo edhe Durrësi ishte në planet e Regina Group dhe në këtë sezon, atje lundroi anija e parë, që do të shëtiste përgjatë gjirit të Durrësit, duke plotësuar kërkesat e turistëve të shumtë.
Megjithatë është lajm shumë i mirë që shenjat e lindjes së një sektori prodhimi duken pozitive, sepse Shqipëria, me një bregdet prej katërqind e pesëdhjetë kilometrash, do të punësonte një numër të madh njerëzish e do të rriste mundësinë e shkollimit në profile profesionale të fushës inxhinierike të lëndëve drusore.