Një diamant i ri i shtohet kurorës së akomodimit të Vlorës, lind Regina Blu Hotel
June 20, 2020 || views
Në një situatë aspak të favorshme për turizmin, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, ata që guxojnë, janë gjithmonë vizionarët. Kështu mund të cilësohet një strukturë e përmasave tilla si Regina Blu Hotel, pjesë e Regina Group, që erdhi në jetë pikërisht dje, në kulmin e krizës botërore që po kalon sektori i turizmit. Një investim i guximshëm i standartit me pesë yje, që tashmë do të jetë privilegj i pushuesve që do të zgjedhin Vlorën për pushime.
Duke qenë pjesë e Regina Group, një emër që tashmë njihet për cilësinë dhe besueshmërinë në shërbimin e standarteve të larta, Regina Blu Hotel, do të jetë pa dyshim në krye të listës së zgjedhjes së pushuesve, gjë që ka ndodhur tashmë, duke qenë se hoteli i ri buzë Jonit në Radhimë, është thuajse i gjithi i prenotuar për verën e 2020-ës, kryesisht nga tur operatorët e mëdhenj të Kosovës, me gjithë vështirësitë që paraqet ky sezon.
Historiku i suksesshëm i Regina Group, i cili filloi pikërisht këtu ku sot ngrihet Regina Blu Hotel, me strukturën e parë pritëse modeste, vazhdoi me sektorë të tjerë të turizmit siç janë ekskursionet dhe më vonë lundrimet turistike, përmes flotës së anijeve “Regina”, më pas me Regina City Hotel, një investim që rriti ndjeshëm standartet e strukturave të akomodimit dhe vjen sot me Regina Blu Hotel, e cila i çon këto standarte në nivelin e pesë yjeve.
Mund të thuhet pa frikë se emri “Regina” përfaqëson në një farë mënyre brandin e turizmit vlonjat, përmbledhur nën emëruesin e përbashkët “Regina Group”, duke qenë se mbulon sektorët kryesorë që përbëjnë turizmin. Rrjeti i hoteleve, që tashmë kryesohet nga Regina Blu Hotel dhe vazhdon me Regina City Hotel, Florence Hotel, etj., flota e anijeve turistike “Regina”, e cila i ka dhuruar vetvetiu një sektor tjetër punësimi qytetit të vlorës, atë të ndërtimit të anijeve në vend, që përshkon ujrat e Jonit, nga Vlora deri në Porto Palermo për të argëtuar pushuesit e shumtë dhe për t`i njohur ato me bukuritë e brigjeve të Vlorës dhe Regina Travel, që synon të kthehet në operatorin më të madh turistik të Jugut.
Ky investim më shumë se njëzetvjeçar ka pas një emër që tashmë është i njohur për të gjithë botën e turizmit. Ai është Vasil Bedinaj, një sipërmarrës i guximshëm, që ka sjellë jo pak risi në fushën e turizmit e jo vetëm atij vlonjat. Përveç rrjetit të hotele, që nisën si një aventurë në vitet e para e të vështira të tranzicionit shqiptar, ai solli për herë të parë në Shqipëri, anijet turistike, që vizitorët e shumtë të njihnin nga afër Sazanin, ishullin e ndaluar. Kjo solli gradualisht edhe një sektor krejtësisht të ri në ekonominë shqiptare, siç është ai i ndërtimit të anijeve, që dalngadalë po mbushin brigjet e Shqipërisë, duke u dhënë atyre panoramën e munguar të pranisë së trafikut detar dhe duke e kthyer këtë nismë në një trend.
Lexo edhe: Vasil Bedinaj, njeriu që ndërton anije
Përveç pozicionit të tij si një prej investitorëve të rëndësishëm të Vlorës dhe drejtues i Shoqatës Shqiptare të Turizmit për Jugun e Shqipërisë, Bedinaj shpesh ka spikatur me nismat e tij qytetare në shërbim të njerëzve në nevojë, një prej të cila ishte strehimi i të prekurve nga tërmeti i nëntorit të kaluar. Puna e tij e spikatur, ka bërë që sot emri “Regina” të kthehet në një brand të besueshëm, duke i dhënë natyrshëm veprimtarisë së tij edhe sloganin “Service you can trust”
Më shumë foto: këtu