Zagoria, kjo zonë e bukur në gji të maleve – tur një-ditor me “Experience Gjirokastra”

May 7, 2021 || views

Është shpallur si park kombëtar natyror në vitin 2018. E ndodhur në një lartësi rreth 750 metra mbi nivelin e detit, është një zonë e lashtë me popullsi autoktone dhe histori të vjetër. Në lindje kufizohet nga Mali i Dhëmbelit dhe në perëndim nga mali i Lunxhërisë. Një ndër bukuritë ë kësaj zone janë fshatrat e vegjël të vendosur rresht në krah të njëri-tjetrit që mbështeten në shpate malesh dhe rrethohen nga atraksione të veçanta natyrore siç janë kishat mesjetare dhe deri tek urat shekullore, disa nga të cilat mund t`i zbuloni me turin “Experience Zagoria”. Për t`u përmendur vlen dhe fakti që nga kjo zonë dhe pikërisht nga fshati Sheper ka dhe origjinën Andon Zako Çajupi, i cili ishte poet, dramaturg, patriot dhe veprimtar i Rilindjes. Përgjatë rrugëtimit të tij si një poet, merr edhe emrin e tij letrar Çajupi, Andon Zako Cajupi, është marrë nga emri i malit të zonës ku ai u lind. Veprat e tij u bënë mjaft të njohura anë e mbanë Shqipërisë. Shtëpia e tij e vjetër është kthyer në një shkolle 9-vjeçare dhe mirëpret fëmijët e fshatit Sheper në rrugën e tyre drejt dijes.

 

Krahina e bukur e Zagorisë përbëhet nga fshatrat Sheper, Nivan, Konckë, Nderan, Topovë, Hoshtevë, Lliar, Zhej, Doshnicë, Vithuq.
Qendra e krahinës është fshati Nivan. Natyrisht nuk mjafton vetëm një tur për të njohur këtë krahinë të madhe por shpresojmë se në turin tonë, do t`ju lindë dëshira për t`u kthyer e për të parë ato që nuk mundët të shihnit në turin e parë.

Turi nis tek sheshi i Çerçizit

Turin tonë për të zbuluar Zagorinë, e fillojmë nga Sheshi “Çerciz Topulli” në Gjirokastër dhe pasi kalojmë fshatrat e ndërtuar në kohën e Komunizmit siç janë Valare, Shën Todhër dhe Erind, mbërrijmë në fushën e Çajupit. Për të shijuar më pas bukuritë e Fushës së Çajupit, me një kombinim perfekt të ngjyrave që nga e gjelbra harmonike e barit, lulet shumëngjyrshe e deri tek peisazhi i mahnitshëm i maleve që e rrethojnë. Ndalesa në këtë fushë bëhet tek një fermë e cila ofron traditën baritore. Shijohet mëngjesi i veçantë 1200 metra mbi nivelin e detit duke shijuar ajrin e freskët të maleve dhe duke provuar produktet bio të kësaj ferme që nga produktet e qumështit të cilat janë kryesore në këtë vend, e deri tek mishi i qingjit në hell, rakia dhe vera e shtëpisë.

Ura e Nivanit
E vazhdojme udhëtimin nëpër Zagori (Krahina e Zagorisë fillon fill pas fushës së Çajupit) dhe ndalesa tjetër është ura shekullore e Nivanit (1777), monument kulturor i kategorisë së parë i vendosur mbi lumin e Zagorisë, në fshatin Nivan. Është ndërtuar në fillimet e shekullit XIX dhe kishte për qëllim komunikimin mes Gjirokastrës dhe Përmetit, ku bëhej kalimi i karvaneve. Ura e Nivanit ka një strukturë me dy harqe guri dhe një hapësire drite 20 metra, e ndërtuar me kalldrëm përkatësisht 28 metra dhe 40 metra të gjatë.

Kisha e Hoshtevës
Vazhdojmë më tej në Zagori për ndalesën e radhës, në një tjetër monument kulture, siç është dhe Kisha e Shën Apostujve në fshatin Hoshtevë, me pikturat e saj murale mbrëslënëse. Ky monument me një trashëgimi të veçantë kulturore, është një kishë pasbizantine. Mes afreskve të shumta origjinale të piktuaruara në vitin 1843, dallon ai i Shën Jorgjit të Ri që paraqet shenjtorin me kostumin tradicional të zonës, fustanellë dhe kapele. Kisha ka një stil të tipit bazilikal, e mbuluar me sistem harqesh, qemeresh e kësulash sferike.

Ujëvara e Selckës
Ka ardhur koha e pushimit të drekës. Në fshatin Poliçan shijojmë produktet lokale. Ndalesa e fundit para se të kthehemi sërish në Gjirokastër, është në një monument të fshehur natyror siç është Ujëvara e Selckës, ku më të guximshmit edhe mund të notojnë në ujrat e saj magjike. Është shumë afër nga rruga e makinës por kemi një ecje të shkurtër dhjetë minutëshe jo shumë të thjeshtë, për të vizituar këtë monument. Pozicionohet në Grykën e Selckës e cila ka një gjatësi rreth 6 km, ku në disa degëzime ngushtohet shumë dhe duket sikur merr formën e një kanioni. Ky vend është i pasur nga pikëpamja e faunës dhe e florës. Përgjatë turit do të shikoni shpendë të ndryshëm të zonës siç janë pëllumbat e egër, dallëndyshet por edhe shpendë të tjerë të veçantë. Numri i madh i dallëndysheveka bërë që pjesa më e ngushtë e Grykës së Selckës të marrë emrin Shkëmbi i Dallëndyshes.

 

Pas këtij udhëtimi dhe qëndrimesh në zona që të ofrojnë së bashku larmi kulturore, natyrore, etnografike e tradicionale, që zgjat afërsisht tetë orë kthehemi sërish në pikën e nisjes, tek sheshi “Çerciz Topulli”.

Info: Në qendër të qytetit, në Sheshin e Çerçizit, ju pret një zyrë informacioni e cila pikërisht nën këtë moto “Experience Gjirokastra”, ju ofron me dhjetëra ture brenda e jashtë Gjirokastrës.
Blini një tur sapo zbrisni në qytet dhe përjetoni një Gjirokastër ndryshe!

www.experiencegjirokastra.com
[email protected]
+355692251589; +35584250068