Zadrima, Shkreli apo Malësia e Madhe: një fundjavë ndryshe në fshatrat përreth Shkodrës

September 16, 2021 || views

Nga Benko Gjata
bashkautor i guidave turistike në gjuhën italiane “Tirana e Albania” dhe “Albania e Kosovo”

Arratisje nga rutina, çlodhje nga streset e jetës së përditshme, ripërtëritje e energjive, por edhe zbulime fshatrash e luginash të mbuluara nga mjegulla e kohës, shijime të gatesave karakteristike me prodhime të rralla bio dhe mundësi pa fund për fotografi mbresëlënëse, që do t’i lënë me gojë hapur miqtë tuaj në rrjetet sociale: një fundjavë e kaluar në krahinat rurale përreth qytetit të Shkodrës, në veri të Shqipërisë, do t’ju shpërblejë me kujtime të bukura, që do t’i mbani mend gjatë e me kënaqësi.
Relaksi i plotë nën hijen e pemëve frutore, mes ajrit të pastër dhe qetësisë së prishur vetëm nga cicërimat e zogjve, ecjet e lehta në natyrë, përmes shtigjeve të shumta, të gjelbëruara e të përshtatshme për të gjitha moshat, apo shëtitjet romantike me varkë në liqenet e Shkodrës e të Vaut të Dejës, në kërkim të shpendëve dhe zambakëve ujorë me bukuri të rrallë, janë padyshim disa prej veprimtarive kryesore që ofron ky territor i pasur në burime e tradita.
Po aq tërheqëse dhe akoma më origjinale, janë vizitat e organizuara në fermat që zbatojnë parimet e bujqësisë organike, mundësia për të ndihmuar (sipas dëshirës) në punë të thjeshta bujqësore e blegtorale, dikur të përditshme e tashmë krejt të harruara nga ata që banojnë në qendrat e mëdha urbane, apo shoppingu për artikuj të rrallë e unikë të artizanatit, drejtpërdrejt pranë atelieve të mjeshtrave të zonës.


Itineraret që propozojmë janë zgjedhje ideale edhe nëse udhëtoni me fëmijët tuaj të vegjël dhe kërkoni një fundjavë të përshtatshme për gjithë familjen. Veprimtari si noti (në verë) pranë plazheve ranore buzë liqeneve, shëtitjet me kanoe, lojërat në natyrë mes plantacioneve me pemë frutore, njohja nga afër me patat, kecat, kuajt e të gjithë banorët e tjerë të oborreve të fermave, janë vetëm disa nga përvojat që do t’i bëjnë të paharrueshme pushimet e familjeve tuaja.
Vizitorët e rritur, ndërkaq, mund ta pasurojnë fundjavën e tyre me vizita në vreshtaritë dhe kantinat me famë të krahinës, të cilat ofrojnë ture të mirëfillta dhe shijimin e verërave të tyre organike, me cilësi superiore.
Tjetër veprimtari e veçantë është mundësia e vizitave të organizuara pranë fermave të specializuara në rritjen e bimëve mjekësore dhe prodhimin e erëzave, çajrave bimorë dhe vajrave esencialë, shumë të kërkuar për vetitë e tyre shëruese dhe estetike.
Cilatdo qofshin veprimtaritë tuaja të preferuara, akomodimi ideal për t’i shijuar ato sa më plotësisht janë fermat e vogla agroturistike, që ndërthurin me mjeshtëri mikpritjen me punët e fshatit. Pranë këtyre strukturave të reja e komode, të ndërtuara e të mobiluara me stil tradicional, do të keni gjithashtu mundësinë të shijoni gatimet karakteristike me famë të krahinës.
Bukuria e peizazheve të paprekura, biodiversiteti i madh dhe trashëgimia e pasur kulturore, bashkë me mikpritjen e ngrohtë të banorëve, përmirësimin e infrastrukturave rrugore dhe lehtësinë e mbërritjes (jo vetëm nga Tirana, Podgorica, Gjakova e Prizreni, por edhe nga Prishtina e Shkupi, veriu i Malit të Zi apo jugu i Shqipërisë), e bëjnë fundjavën në rajonin e Shkodrës një propozim turistik mjaft tërheqës për udhëtarët nga Shqipëria dhe nga vendet fqinje të Ballkanit.

Në vijim do të gjeni një ndër itineraret e propozuara. Ture të tjera do të botohen në numrat e ardhshëm të revistës Travel, por edhe në faqen e internetit zanamaleve.com

Projekti “DIASPORA”

Itineraret janë realizuar në kuadër të projektit D.I.A.S.P.O.R.A., një nismë e organizatave Centro Albanese (centroalbanese.it) dhe VIS Albania (zanamaleve.com), e financuar nga IOM Albania me donator AICS, Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Projekti synon mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla artizanale në zonat rurale të rajonit të Shkodrës, në fushat e marketingut e të promovimit brenda e jashtë vendit, falë përfshirjes aktive të diasporës shqiptare në Itali. Për më shumë informacion ju ftojmë të ndiqni linkun: https://www.centroalbanese.it/index.php/il-centro/progetti/progetto-diaspora.

Liqeni i Shkodrës dhe Parku Natyror Bashkiak i Shkrelit

Peizazhe, përjetime dhe shije të rralla gjatë një fundjave krejt ndryshe mes natyrës së virgjër, fshatrave piktoreskë dhe krijimeve unike artizanale.
Liqeni i Shkodrës është më i madhi në Gadishullin Ballkanik. Mbi 400 kilometrat katrorë të sipërfaqes së tij të përgjithshme ruajnë një trashëgimi natyrore të jashtëzakonshme, që i shpërblen vizitorët me pamje mbresëlënëse. Përgjatë brigjeve të tij, në Shqipëri dhe në Malin e Zi, ndodhen një sërë fshatrash piktoreskë me famë në rajon e më gjerë, si vendmbërritje të preferuara të turizmit natyror dhe tempuj të ekselencës enogastronomike.

Itinerari i propozuar nis pikërisht në brigjet lindore të liqenit, në trojet shqiptare, ndoshta pjesa më pak e njohur dhe e vizituar e tij, për të vijuar drejt pyllit të famshëm të gështenjave në fshatin Reç, pjesë e parkut natyror bashkiak të krahinës historike të Shkrelit. Përgjatë rrugëtimit ju sugjerojmë një sërë vizitash krejt origjinale pranë kantinave, fermave organike dhe atelieve të artizanëve të zonës: bletërritës, vreshtarë, prodhues të djathrave me shije të rrallë, por edhe kultivues të bimëve mjekësore, prodhues të vajrave esencialë dhe artizane të kozmetikës, të cilët ruajnë dhe kultivojnë me pasion dije e zanate të vyera, të trashëguara ndër breza.

Kohëzgjatja ideale: 2.5 ditë, nga e premtja pasdite deri të dielën në mbrëmje.

Moshat: Tërësisht i personalizueshëm sipas shijeve dhe kërkesave tuaja, turi është i përshtatshëm për të gjitha moshat, si edhe për familjet me fëmijë të vegjël.
Distancat kryesore:
Tiranë – Shkodër: 103 Km, rreth 2 orë
Prizren – Shkodër: 194 Km, rreth 3 orë (përfshi kalimin në pikën kufitare)
Shkup – Shkodër: 338 Km, rreth 4.5 orë (përfshi kalimin në pikën kufitare)
Shkodër – Koplik: 18 km, 25 minuta
Podgoricë – Koplik: 41 Km, rreth 1 orë e 15 minuta (përfshi kalimin në pikën kufitare)
Koplik – Bajzë: 8 km, 10 minuta
Bajzë – Reç: 10 km, 15 minuta
Reç – Gruemirë: 23 Km, rreth 25 minuta
Reç – Shtoj i Ri: 30 Km, rreth 30 minuta

Programi i detajuar:

DITA 1 – E premte pasdite:
VENDI I NISJES SUAJ – SHKODËR – REÇ

Për ta shijuar sa më plotësisht vizitën në këtë kënd mjaft tërheqës, por ende pak të njohur të Shqipërisë së Veriut, ju këshillojmë ta organizoni udhëtimin tuaj në mënyrë që pasditja vonë e ditës së premte, ende pa u errur, t’ju gjejë në agroturizmin “Rruga e Mullirit”, në fshatin Reç, vendqëndrimi që ju rekomandojmë në këtë udhëtim.
Bujtina, e pajisur me tre dhomat të mobiluara me stilin tradicional të krahinës, ndodhet rreth pesë minuta larg qendrës së fshatit, mes gjelbërimit dhe qetësisë çlodhëse të natyrës dhe peizazheve bukolike të Shqipërisë rurale.


Ndërkohë që pritja e ngrohtë e Mirashit dhe Zinës, të zotërve të shtëpisë, do t’ju bëjë të ndiheni menjëherë të mirëpritur, lisharëset e varura nën degët e pemëve, stolat dhe tryezat prej druri të përhapura në oborrin e madh e të hijeshuar me lule shumëngjyrëshe, do t’ju joshin drejt natyrës. Bujtina në fakt është e rrethuar nga të gjitha anët me pemë frutore, kopshte të mbjella me perime dhe livadhe të gjelbra, ku kullosin të lira kafshë shtëpiake nga më të ndryshmet.
Ferma karakterizohet nga larmia e madhe e prodhimeve bio, që janë edhe baza e menusë së pasur e krejt të veçantë që u ofrohet vizitorëve, ku spikasin specialitete të rralla tradicionale si patatet e furrës me mazë, apo mishi i fërlikut, të shoqëruara me verë dhe raki të prodhuara nga vetë fermerët. Mrekulli të tryezës shqiptare që mund t’i shijoni në oborr, nën qiellin e ndriçuar nga drita e hënës e nga miliona yje, ose pranë zjarrit të ngrohtë të oxhakut, sipas stinës.

DITA 2 – E shtunë:
REÇ – KOPLIK – BAJZË – GRUEMIRË – REÇ
Ajri i pastër, qetësia e thellë dhe kushtet komode të dhomave të reja të bujtinës mundësojnë një pushim të përsosur, pas të cilit do të zgjoheni plot energji dhe të gatshëm për një ditë të mbushur me vizita dhe përjetime, duke filluar nga tryeza e mëngjesit, e shtruar në oborr me ushqime të freskëta të fshatit, që vështirë se mund t’i gjeni tjetërkund.
Pas mëngjesit ju sugjerojmë të transferoheni drejt brigjeve të Liqenit të Shkodrës, për një ekskursion me varkë vajte-ardhje nga lokaliteti i Stërbeqit (në Koplik) deri tek vendi i quajtur Syri i Sheganit, një gji i vogël e i bukur panoramik, jo larg pikës kufitare me Malin e Zi. I kryer në freskinë e mëngjesit, ky udhëtim do t’ju shpërblejë me pamje e fotografi të bukura të ujërave, zogjve dhe bimësisë së rallë të liqenit.
Kontaktet e varkëtarëve mund t’i gjeni në faqen zanamaleve.com, ose përmes të zotërve të bujtinës “Rruga e Mullirit”.

Shëtitja fillon e mbaron në Koplik, një qytezë e vogël, kryeqendër e Bashkisë së Malësisë së Madhe, ku jetojnë pak më shumë se 4,000 banorë. Krahina kufitare me histori të dokumentuar ndër shekuj, Kopliku dhe Malësia e Madhe kanë qenë përherë vend takimesh, nganjëherë edhe përplasjesh, mes popujve, pushteteve dhe principatave këtej e andej kufirit. Sot ky territor është i famshëm në Shqipëri dhe në botë për prodhimin e bimëve mjekësore, disa prej të cilave, si sherebela, më cilësi të pakrahasueshme.
Për këtë arsye ju sugjerojmë të planifikoni të paktën një vizitë në fermat e zonës, ndër të cilat rekomandojmë të mirënjohurën “Salvia Nord”, e specializuar në kultivimin dhe prodhimin e mbi dhjetë llojeve të bimëve mjekësore, si: lavanda, trumza, rozmarina dhe natyrisht sherebela (salvia), nga të cilat përftohen vajra esencialë, erëza dhe çajra të rrallë bimorë, të gjitha prodhime që mund t’i zbuloni dhe blini aty drejtëpërdrejt. Një tjetër prodhues cilësor i këtyre mrekullive të natyrës është edhe ferma “Vajra Malësie”, të cilën mundeni gjithashtu ta kontaktoni për një vizitë.
Itinerari i sugjeruar vazhdon më tej drejt veriut, me dy vizita të tjera mjaft origjinale. E para në Bletarinë “Kastrati”, në fshatin Bajzë (rreth 10 min nga Kopliku), ku mund të takoni bletërritësin e apasionuar Landi Skaqaj dhe familjen e tij, të gjithë të angazhuar në prodhimin e disa llojeve mjaltesh të shkëlqyera organikë, të propolisit dhe të qumështit mjaft të kërkuar të bletëve.
Jo larg prej aty, në fshatin Hot ndodhet edhe ferma dhe punishtja ku prodhohen djathërat e rrallë e të shumëllojshëm “Veleçiku”, që mund t’i keni shijuar në ndonjë prej restoranteve më të mira të Shqipërisë e të Kosovës. Bimët mjekësore të krahinës, por edhe frutat e pyllit, arrat apo speci djegës kombinohen bukur me qumështin e freskët të dhive apo lopëve të kullotave alpine të krahinës së Kastratit duke krijuar djathëra origjinalë më shije superiore. Po të njoftoni më herët, mund të vizitoni fermën e dhive dhe punishten, si edhe, natyrisht, të blini drejtëpërdrejtë djathrat tuaj të preferuar.


Në mbyllje të paradites ju këshillojmë të ktheni për drekë në restorantin karakteristik “Shporta e Reçit”, në tryezën e të cilit do të gjeni një larmi prodhimesh të fermerëve të zonës, të koordinuar nga inkubatori “Agro-Reçi”, gjithashtu një prodhues djathi mjaft cilësor.
Krahina përgjatë brigjeve lindore të Liqenit të Shkodrës është edhe skaji më verior i territorit historik të kultivimit të njërit prej varieteteve më të njohura autoktone shqiptare të rrushit, Kallmetit. Për këtë arsye, të apasionuarve pas verës, por jo vetëm, ju sugjerojmë t’ia kushtojnë orët e pasdites e të mbrëmjes vizitës së vreshtave të kantinës “Mani”, që shtrihen në një hapësirë prej 2.2 hektarësh në fshatin Gruemirë, rreth 25 Km larg Reçit. Aty do t’ju presë e do t’ju shoqërojë vreshtari i apasionuar Fatjon Mani, i cili e ka ndërtuar fermën dhe kantinën pas një përvoje të gjatë pune në disa shtete të Evropës. Pranë kantinës “Mani” do të keni mundësinë të shijoni Kallmetin e vjetëruar në voza druri, të shoqëruar me ushqime të zgjedhura të traditës lokale.

DITA 3 – E diel: REÇ – SHTOJ – SHKODËR – VENDBANIMI JUAJ
Agroturizmi “Rruga e Mullirit”, që kemi zgjedhur për ju si pikë mbështetëse në këtë itinerar, ndodhet praktikisht brenda pyllit të famshëm të gështenjave të Reçit, pjesë e Parkut Natyror Bashkiak të Shkrelit, krijuar në vitin 2015 për të mbrojtur këtë zonë natyrore me bukuri të rrallë.
Pyllit të gështenjave, të shpallura Monument Natyror që prej vitit 1974, ju sugjerojmë t’i kushtoni gjithë paraditen e ditës së diel. Gështenjat e Reçit, një varietet autokton i mbrojtur, janë mbi 30,000 pemë, disa prej të cilave më shumë se 300 vjeçare. Ato mbulojnë një sipërfaqe prej 450 hektarësh, të përshkuar nga shtigje të shumta, të hijeshuara e të shenjuara ku mund të shëtisni gjatë gjithë vitit.

Në mbyllje të fundjavës, përpara largimit për në shtëpitë tuaja, ju sugjerojmë një vizitë të fundit pranë punishtes së prodhimit të sapunëve të vlerësuar artizanalë, “Natyra Ime”, në Shtoj të Ri, fare pranë qytetit të Shkodrës (rreth 10 minuta). Themeluar dhe drejtuar nga artizania e apasionuar Jetmira Kajoshi, “Natyra Ime” është një laborator ku realizohen prodhime kozmetike 100% natyrale. Po ta njoftoni pak më herët, Jetmira është e gatshme t’ju presë e t’ju paraqesë disa nga teknikat dhe sekretet e artit të saj të prodhimit të sapunëve dhe kremrave organikë.