Vjen çarteri i parë – Aler Travel nis turizmin dimëror “all inclusive” në rajon.

December 6, 2020 || views

Ka lajme të këqija në turizëm, por ka edhe lajme të mira. Ndërkohë që pandemia ka gjunjëzuar turizmin në të gjithë botën, operatorë turistikë në Shqipëri, kanë bërë përpjekje maksimale që turizmi “incoming” të mbijetojë. Kështu Aler Travel ishte ndër të paktët tur operatorë që nuk i ndërpreu fluturimet “charter”, duke sjellë në Shqipëri afërsisht 80 mijë turistë nga Ukraina dhe Bjellorusia, që të pushonin në brigjet shqiptare. Ndërkohë që avioni i fundit nga Shqipëria u largua me 24 tetor, Aler Travel filloi përpjekjet për ta shtrirë sezonin turistik gjithë vitin, këtë herë në rajon.

Duke qenë se Shqipëria nuk e ka të strukturuar turizmin dimëror dhe nuk disponon resorte skish, që janë arsyeja kryesore e ardhjes së turistëve për sezonin dimëror, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë paketë interesante për turistët, ishte kombinimi i saj me burimet e rajonit, Në Maqedoni e Kosovë.

Edhe pse kushtet e zhvillimit të pandemisë nuk janë aspak të favorshme, Aler Travel mundi të ulë sot çarterin e parë në Shkup, me turistë dhe një grup operatorësh e gazetarësh, të cilët do të qëndrojnë një javë në Mavrovë, Kodrën e Diellit në Tetovë, në Banjat e Dibrës së Madhe si dhe do të vizitojnë Korçën e Pogradecin.

Aktualisht ulja e çarterit bëhet në aeroportin e Shkupit, që do të jetë pikënisja e këtij aktiviteti dimëror, për shkaqe teknike, sepse shumica e turistëve që kanë shprehur interes për udhëtimet në rajon janë ose skiatorë profesionistë ose amatorë të skive nëpër pista profesionale ose natyrore dhe një pjesë e mirë e tyre i marrin pajisjet me vete. Resortet e Tetovës dhe Mavrovës ndodhen vetëm disa dhjetëra kilometra larg aeroportit, ndërkohë që zbritja në Tiranë, do të krijonte vështrirësi më të mëdha për transportimin e tyre.

Duke shpresuar se situata me pandeminë do të shkojë drejt përmirësimit, Aler Travel, në bashkëpunim me partnerët e saj në Ukrainë e Bjellorusi, shpreson ta shtojë numrin e fluturimeve, duke përfshirë edhe aeroportet e Tiranës dhe Prishtinës, ku netëqëndrimet do të aplikohen në Brezovicë, Prevallë, Dragash e Pejë-Rugovë, si dhe Korçë e Pogradec. Për momentin do të jenë dy çartera në javë.

Ky projekt për ta shtrirë sezonin gjithë vitin do të vazhdojë dhe Aler Travel shpreson që ai të rezultojë i suksesshëm qysh këtë dimër, edhe pse do të jetë një luftë që duhet fituar mes turizmit e pandemisë.