Visit Albania – takimi i parë me Shqipërinë në Instagram

August 18, 2022 || views

Qysh kur rrjetet sociale hynë në jetën tonë, e ardhmja ndryshoi dhe teknologjia u bë pjesë e pandarë e saj, duke përparuar aq shumë, sa tani e kemi gjithë ditën në pëllëmbën e dorës. Evoluimi i përditshëm i teknologjisë dhe nevoja për të plotësuar kërkesat e një “popullsie” virtuale në rritje, bëri që rrjetet sociale të shumëfishohen duke na vënë para zgjedhjeve shpesh të detyruara por edhe hutuese.

 

Fillimisht si një formë argëtimi vetëm e rinisë e më pas gradualisht si një mënyrë për të reklamuar e shitur gjithçka, pjesë e saj u bënë bizneset, mediat, gjigandët botërorë të shitjeve, bursat, politika. Sot është e vështirë të mendosh diçka që nuk e gjen në rrjete sociale, sidomos në Instagram. E padyshim pjesë e tij u bë edhe turizmi, madje edhe gjigandët mediatikë të tij si Lonely Planet, National Geographic, Condenast Traveler, etj., që fillimisht e konsideruan si një formë shfaqjeje jodinjitoze, duke refuzuar të bëheshin pjesë.

 

Edhe Shqipëria nuk mbeti pas, duke u prezantuar në rrjet me anë faqesh të shumta mbushur plot me foto të bukura, ku doemos në emër të këtyre faqeve qëdron fjala kyçe “Albania”. E siç është e kuptueshme, faqet më të shpeshta për shkak të lehtësisë së gjetjes do të vendosnin togfjalëshin Visit Albania. U hapën aq shumë të tilla saqë ishte e vështirë të kuptoje se cila spikaste më shumë apo ishte më e ndjekur.


 

Megjithatë, me kalimin e kohës, njëra prej tyre spikati më shumë se të tjerat.

 

Jo sepse postonte foto më të bukura por sepse pas saj qëndronte një dorë e apasionuar pas turizmit dhe Shqipërisë së bukur, që nuk lodhej së treguari vende të panjohura e të pashkelura, ku shumë udhëtarë ende nuk kishin shkuar. Dhe dalngadalë kjo faqe u shkëput nga “simotrat” e saj “Visit Albania”, duke u bërë faqja turistike me më shumë ndjekës në Instagram.

 

Përmbajtja e saj e larmishme, ose “contenti” siç thuhen rëndom në zhargonin dixhital, e bëri atë një flamurtare prej nga postohen fotot dhe videot “reels” më të bukura të Shqipërisë, që shpërndahen e kopjohen masivisht jo vetëm nga ndjekës të thjeshtë por edhe nga personazhe me profil të lartë publik, që kanë qindra mijëra ndjekës në Instagram, e me faqe tashmë të verifikuara me shenjëzën blu.

 

Prej vitit 2017, kur ai mendoi të hapte një faqe në Instagram për t`i dhënë jetë pasionit e profesionit të tij, fotografisë dhe videografisë, Iliri nuk ka reshtur një ditë së postuari në faqen e tij Visit Albania, duke i dhënë hapësirë edhe plot të apasionuarve të tjerë të shpalosin fotot e udhëtimeve të tyre.

 

Në fakt pasioni nuk filloi ashtu kot por pas udhëtimesh të pafundme cep më cep të Shqipërisë, me kamerën e Radio Televizionit Shqiptar në krah. Prej vitesh tashmë ai punon si kamerman në RTSH dhe përveç kohës që shpenzon në punë, gjithë pjesën tjetër ia merr Visit Albania.

 

Ndoshta pak kohë më parë  rrjetet sociale konsideroheshin si “domain” vetëm i të rinjve dhe adoleshentëve në kërkim të argëtimit të thjeshtë në kohën e lirë por sot jo më. Influenca e tyre është bërë aq e fuqishme saqë fushata të tëra publicitare janë “shpërngulur” në Instagram. Shumë subjekte tashmë e konsiderojnë të rëndësishme praninë e tyre në rrjetin më të ndjekur dhe një numër jo i vogël, sidomos hotelesh e resortesh turistike, ia kanë besuar promovimin e tyre pikërisht faqes Visit Albania.

 

Nëse klikon në Instagram me togfjalëshin “Visit Albania” ajo është faqja e parë që del, duke lënë pas jo vetëm të gjitha faqet e tjera por edhe faqen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe nuk është e tepërt të thuhet se tashmë Visit Albania është takimi i parë me Shqipërinë në Instagram.

 

Prandaj mos u çudisni nëse shpeshherë në krah të faqes nëpër postime të përbashkëta, do të gjeni edhe emrin e Travel Magazine, e cila gjithmonë ka qenë partizane e bashkëpunimeve të suksesshme në të mirë të turizmit.

 

Le t`i urojmë sa më shumë ndjekës dhe promovim të suksësshëm të turizmit shqiptar!