“Via Dinarica” Ski Touring & snowshoeing – me ski dhe rrathë bore nëpër Alpet ndërkufitare të Kosovës – Maqedonisë- Shqipërisë

February 25, 2021 || views

Nga Eva Rama

Explorer Travel & Tours

Albania

Me gjithë zhvillimet e fundit në fushën e turizmit dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në itineraret e shumë operatorëve europianë dhe ndërkombëtarë, rajoni ka ende shumë për t’u eksploruar dhe promovuar si dhe sfidën e të pasurit të një pakete të përbashkët rajonale.

Për të përmbushur këtë objektiv në nivel rajonal ne propozojmë së fundmi edhe një produkt të ri turistik që është tendencë në rritje në arenën ndërkombëtare, – Ski Touring dhe Snowshoeing.

Të njohur me terma të tillë si Ski Touring, Alpine Touring, Ski Mountainscape, këto të gjitha përfshijnë aftësinë për t’u ngjitur me ski ose me slita të ndara, pastaj zbritjen me skijim ose me slita madje edhe me xhiro të shpejta. Ski touring kombinon më të mirën e përvojës në natyrë me mundësinë për të dalë nga rutina.

 

Shëtitjet me këpucë dëbore janë një mënyrë tjetër e interesante për t’u larguar nga e përditshmja këtë herë pa aq shumë sforcime, dhe është një lloj aktiviteti që skiatorët dhe jo-skiatorët mund të shijojnë së bashku.

Këto itinerare zhvillohen jashtë pistave standarte, prandaj kënaqësia dhe energjia që ato dhurojnë janë disafish të shtuara, por gjithmonë rekomandohen që këto itinerare të përshkohen me një udhërrëfyes malor dhe të specializuar, që garanton jo vetëm kënaqësi, sepse ju udhëheq për të arritur në vendet më të mira, por mbi të gjitha është garancia e një udhëtimi të sigurt.

Lexo edhe: Shtegtim nëpër majat më të larta të Ilirisë

 

E pikërisht nisur nga kjo, e themi me bindje se rajoni midis Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ka gjithçka që të mburret me vetveten. Male të thyera, maja të larta mbi 2000 m, lugina të gjelbra, jetë të egër të pasur dhe mbi të gjitha mikpritje të njerëzve dhe ushqim të shijshëm.

Ski Touring në këto rajone synon konsolidimin e një itinerari në fushën e skijimit, në një rajon që nuk ka shumë akses në rrethet e mirënjohura të skijimit.

Po ashtu ky tur synon:

-të rrisë ndërgjegjësimin e rajonit si destinacion i aventurës përmes strukturimit të produktit, dhe në veçanti si destinacion i turit të skive;

– të krijojë një marrëdhënie biznesi të dobishme reciprokisht midis shitësve me shumicë, agjentëve dhe operatorëve të tjerë të udhëtimit;

– të ndërtojë besim midis agjentëve rajonalë dhe ndërkombëtarë në shitjen e rajonit të Ballkanit Perëndimor si destinacion aventuresk.

Ky tur prezanton zonat më të mira ku mund të bëhet skijim dhe ecje me rrathë dëbore në Kosovë*, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Skijim dhe ecje me rrathë në rrugët piktoreske të Vargmalit Sharr duke përfshirë rajonet Prevallë dhe Brod në Kosovë*, Vejtse dhe Popova Shapka në Maqedoninë e Veriut dhe Radomirë e Korab në Shqipëri. Disa nga majat që rekomandohen dhe ofrojnë pamje spektakolare për ski dhe ecje me rrathë dëborë janë: Konjushka Peak 2571, Kleq Peak 2414 dhe Korab Peak 2764 m.

Në këtë itinerar u promovuan vargmalet dhe malet në rajonin ndërkufitar të tre shteteve pjesë e Ballkanit Perëndimor, në atë që quhet ecje e lirë apo “free ride” ose “ski touring”, që nuk është gjë tjetër veçse një kombinim i shkëlqyer i ecjes në mal me ski dhe me rrathë bore deri në një farë lartësie dhe skijimit në rrafshe dhe faqe të paprekura malore.

Elementët që e pasurojnë këtë aktivitet malor janë padyshim edhe gastronomia ballkanike me pjatat tradicionale që secili vend ofron, eksperienca të veçanta të përjetuara gjatë turit etj..

 

 

Zhvillimi dhe eksplorimi i itinerarit “Via Dinarica -Ski touring” ishte një projekt që u mbështet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), i financuar nga EU dhe zbatuar nga operatori turistik shqiptar Explorer Travel & Tours. Është një vlerë e shtuar e shumë itinerareve tashmë të konsoliduara në mega trailin e mirënjohur globalisht me emrin VIA – Dinarica, një mega trail që përshkon Alpet Dinarike dhe nis që nga Sllovenia e përfundon me malin e Korabit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Përsa i përket aspektit të bashkëpunimit rajonal midis vendeve, këto projekte nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përforcojnë idenë e një oferte rajonale, pasi përballë tregut të gjerë global të turizmit, përfitimi është më i madh kur dalim si një destinacion i vetëm, pasi kapacitetet dhe resurset turistike i kemi dhe oferta turistike pasurohet me larmishmërine natyrore dhe kulturore që ka rajoni.

 

Lidhur me mjetet apo rrugët që ky itinerar të promovohet, ajo që është e nevojshme të zhvillohet edhe më tej në konsolidimin e këtyre iniciativave është promovimi i këtyre produkteve turistike në panairet rajonale dhe ato globale, zhvillimi i workshopeve, webinareve me përfshirje të operatorëve turistikë si edhe të bordeve të turizmit që merren me zhvillimin dhe marketingun e turizmit në vendet përkatëse të rajonit.

Nga ana tjetër do duhet edhe një bashkëpunim dhe mbështetje nga ana e strukturave vendimarrëse të shteteve përkatëse për të kanalizuar nevojat dhe kërkesat që vijnë si rezultat i zhvillimit në nivel rajonal të ofertës turisitke.

Ndërkohë, nëse ju nuk doni të prisni derisa këto ture të bëhen popullore, kontaktoni me stafin e Explorer Travel & Tours, për ta shijuar këtë përvojë me miqtë tuaj. Në male, dëbora zgjat deri në pranverën e vonë!