Venecia, ëndërr që s’mbaron…
August 6, 2019 || views
Nga Flora Xhemani Baba
Nuk ka rëndësi se kur e viziton Venecian. Kurdo që ta marrësh rrugën drejt saj, ajo do të jetë gjithmonë magjepsëse. Seç ka një vel që e mbështjell, e bën sugjestionuese, tërheqëse, të mistershme, të thellë, jo vetëm prej ujrave, të largët e të dëshirueshme si një femër që nuk ke arritur ta pushtosh dot, e që e ke ëndërruar gjithë jetën. Ne e vizituam një ditë të ftohtë dimri, me qiell gri e shi të situr në borë, si për të bindur veten se ajo mund të ishte e bukur edhe në një ciknë të tillë, se s’kishte nevojë për dritat vezulluese të festës së Vitit të Ri që sapo kishte hyrë, se s’kishte nevojë as për ngjyrat marramendëse të Karnevaleve, e nuk kishte nevojë as për turmat e pafund që mësyjnë sheshin San Marko, pranverë-vjeshtë, aq sa s’ka vend as për pëllumbat. Donim ta shihnim Venecian në gjendjen e saj më pak tërheqëse të mundshme, si ajo e gruas së pastolisur që me një lidhëse të thjeshtë ka lidhur flokët e po bën punët e shtëpisë, dhe është prapë e bukur.
Ajri i magjepsjes fillon e ndjehet që kur kalon rrugën automobilistike përmes lagunës, dhe nga larg nëpër mjegull fillojnë e shfaqen ishujt. Pastaj mezi pret të hysh nëpër labirinthet e saj. Makina, kuptohet do të qëndrojë në hyrje të qytetit, për to nuk ka shumë vend, dhe deri tek stacioni i trenit do të shkojmë në këmbë. Nuk është një ditë e përshtatshme për ta marrë në këmbë që nga “Piazzale Roma”, deri tek “Piazza San Marco”, nëpër rruginëzat me kalldrëm, ku gati-gati mezi kalojnë dy njerëz të zënë përqafe. Shiu i imët që herë pushon e herë kujtohet të bjerë, nuk ta jep sot këtë mundësi, kështu që do të marrim një “waterbus”, deri në sheshin San Marco. Në një ditë të zakonshme me diell këto rrugëza deri në qendër, mund t’i përshkosh për 5-6 orë, duke shijuar plotësisht katakombet nënujore krah teje, shtëpizat, dritarezat, gondolat që të shkojnë paralel përgjatë ujit dhe çdo detaj tjetër me aromë veneciane.
Ne zgjodhëm t’i binim përqark “Grand Canal-it”, pa ndaluar në San Marko, duke qenë se kishim qejf të shijonim të paktën nga larg ishujt që qarkojnë qytetin, e që ngjajnë si pelikanë të fjetur në lagunë. Parë nga ajri, laguna duket një mozaik mahnitës. Niku, bashkëshoqëruesi ynë, thotë se këta ishuj, dikur strehë për ikanakët e varfër që linin qytetin që po pushtohej përgjatë viteve 450-500, tani kanë nisur të blihen prej të pasurve, e janë kthyer thuajse në fortesa të paprekshme, ku mungesa e ujit të pijshëm që dënonte atëherë ata që drejtoheshin aty për strehë, sot nuk përbënte problem, përsa kohë konsideroheshin oaze mirëqenieje prej atyre që dëshironin t’i blinin.
Çdo ndërtesë dhe prag që të kalon para syve, teksa “gondolat moderne” i bien qark Kanalit të Madh, është një vepër arti, që s’mund ta shijosh thjesht duke i kaluar pranë. Dyzet për qind e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, ndodhet në Itali. Thuajse gjysma e kësaj trashëgimie, gjendet në Venecia. Nuk ka fund bukuria mahnitëse e artit të derdhur në ar, nëpër tavanet verdhoshe të bazilikave e pallateve të doxhëve, ku engjëjt hedhin valle e ku gratë e bukura të rilindjes, nuk e kanë pasur problem t’i zbulojnë hiret për t’i ngurtësuar në përjetësi. Sheshi San Marco, është më i njohuri, për shkak se është edhe sheshi më i madh në Venecia, por ajo është e gjitha e bukur. Pallati i Dukëve është gjithashtu më i njohuri, por nuk ishin më pak magjikë e të mbuluar me histori edhe “Palazzo Corner della Regina, Palazzo Camerlenghi, Palazzo Pesaro, Palazzo Gussoni Grimiani, Palazzo Ca D’Oro, Palazzo Labia… e sa “Palazzi” të tjerë, që parakalonin mbi ujë, teksa “waterbus-i” rrëshqiste drejt San Marcos. Bazilika e këtij të fundit, ishte e mahnitshme, që në hyrje të saj, e jo thjesht sepse tavanet e florinjta vezullonin edhe në errësirë, por sepse misteri të tërhiqte brenda duke filluar që nga engjëjt e vegjël të gdhendur nëpër kornizat e hyrjes, nëpër dyer e dritare. E dihet, se engjëjt i përkasin një bote tjetër. Por Venecia nuk ka vetëm Bazilikën e San Marcos, por edhe “Chiesa di San Geremia, San Simeon Piccolo, Chiesa della Salute, di Santa maria dei Gesuati”, …
Mbarojmë shëtitjen tonë, kur qendra e zërit të “waterbus-it” thotë “Prossima fermata, San Marco”. Zbresim. Shiu nuk pranon të dorëzohet, ai i detyron njerëzit të përdorin çadrat, por nuk i ka thyer dot gondolierët, e as më të krisurit, që nuk kanë pranuar komoditetin e varkave të mbyllura, dhe e kanë bërë shëtitjen mbi gondolat e lagura, me çadër, e gondolierët me xhupa të mbërthyer deri në grykë, duke fshehur pashmangshmërisht uniformat e këndshme me bluza marinari.
Kur ngjitemi mbi Urën e Psherëtimave, dhe drejtohemi për në San Marco, pyes veten; sa vajza e kanë lexuar romanin e famshëm, për të kuptuar vuajtjet e Eleonorë Dandolos, për Rolandin e saj, që dergjej pikërisht poshtë atyre dritareve, dhe a u ka shkuar nëpër mend vallë, se një ditë mund të kalonin mbi këtë urë?
San Marco është paradoksalisht plot, njerëzit nuk duan të dinë se ç’mot bën, ata janë të etur të hyjnë e dalin nëpër kafenetë e vogla, të blejnë grurë apo drithëra enkas për pëllumbat, e megjithëse i ftohti të bën të mendohesh mirë nëse mund ta nxjerrësh hundën nga shalli, nuk ngurrojnë të heqin dorashkat e të ushqejnë zogjtë. Autoritetet e Venecias kanë nxjerrë një urdhër që të mos shiten më drithëra në shesh, për shkak se pëllumbat janë shtuar shumë, thotë Niku, por njerëzit nuk duan t’ia dinë, ata blejnë ç’të munden, patatina, biskota, vetëm e vetëm të mbushin duart, e të shijojnë atë momentin e magjishëm kur koka dhe krahët u mbushen plot me pëllumba që vijnë të hanë të uritur, e ata shkrepin foto pa fund, të lumtur.
E kuptueshme, do të marrim me vete copëza të vogla prej Venecias, jemi të pavendosur se çfarë, nuk mund t’i marrim të gjitha. Niku është për xhamin e famshëm të Murano-s, mund ta gjejmë edhe në formë medalionësh të vegjël që kushtojnë lirë, po të kemi parasysh se vazot dhe kornizat me përbërje të ngjashme kushtojnë disa mijëra euro. Syri im mbetet tek librat…djemtë vrapojnë për tek maskat, ato janë të bukura e shumëgjyrëshe. Nuk ua prishim, marrim maskat. (edhe guidën, natyrisht).
Është pasdite-mbrëmje pothuajse, muzgu na thotë që është koha të kthehemi. Natyrisht nuk është asfare e tepërt që të shijojmë edhe njëherë gjithë ç’pamë madje do të jetë edhe më bukur me dritat që dyfishohen mbi ujë. Shiu u tregua i mëshirshëm, më në fund pushoi, për të mos na e hequr kënaqësinë fundore të shijimit të atyre panoramave qetësuese që krijonin dritat e ndërtesave gotike, kur binin mbi syprinën e palëvizshme të ujit.
Venecia nuk do të kishte pasur kuptim po t’i kishin vënë një emër mashkullor. Ajo është dashnorja e përhershme e shkrimtarëve, këngëtarëve, poetëve, piktorëve, doxhëve, madje sot, në kulmin e teknologjisë, metalit dhe realitetit të rrëmujshëm kozmopolitan, është edhe dashnorja e të pasurve vanitozë, që lëngëzohen sysh kur në darkën mes miqve, lëshojnë shitmendjen e radhës; “Isha këtë fundjavë në Venezia!”. Ajo është paradoksalisht edhe dashnorja e çifteve të rinj, që shkojnë ta ndajnë bashkë për muaj mjalti dhe s’bëhen hiç xhelozë se e dashurojnë të dy, madje i lumturon pasja e saj edhe për një javë, për ta ruajtur përjetësisht në zemër, si një nga gjërat më të bukura që kanë prekur në jetë. Dhe s’kanë faj.
Ashtu ishte Venezia…