“Velloja e bardhë” sfidon Shqipërinë: Vështirësi në rrugë. Kujdes zinxhirrët
January 15, 2025 || views
Shqipëria është mbuluar nga një vello e bardhë, duke ofruar pamje të mrekullueshme dimërore. Megjithatë, kjo bukuri natyrore ka sjellë edhe sfida, veçanërisht në sigurinë dhe kalueshmërinë e rrugëve. Destinacionet e dëshiruara turistike dimërore po përballen me vështirësi për shkak të motit të keq, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe duke vështirësuar aksesin e vizitorëve.
Një nga akset rrugore që paraqet probleme është rruga drejt Kishës së Shën Ndout në Laç. Sipas informacioneve, Bashkia e Kurbinit ende nuk ka ndërmarrë veprime për pastrimin e rrugës, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e besimtarëve dhe vizitorëve. Rruga e papastruar e bën të vështirë kalimin dhe aksesin në kishë.
Ndërkohë, Forcat e Armatosura janë angazhuar prej tre ditësh në Vlorë për normalizimin e situatës. Me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, përfshirë ekskavatorë dhe kamionë vetëshkarkues, po punohet intensivisht për të minimizuar pasojat e motit të keq.
Ministria e Mbrojtjes ka ofruar përditësime të vazhdueshme mbi situatën në të gjithë vendin. Sipas raportimeve të fundit, situata paraqitet relativisht e qetë krahasuar me ditët e mëparshme. Autoritetit Rrugor Shqiptar raporton se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme.
Megjithatë, problematika vazhdojnë të ekzistojnë në disa zona rurale. Në bashkitë Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat ka vështirësi në rrugët e disa fshatrave. Konkretisht:
- Bashkia Dibër: Probleme në rrugët rurale të njësive Maqellare, Melan, Luzni dhe Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.
- Bashkia Bulqizë: Rrugët rurale të njësive Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë dhe Zerqan, si dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar janë të bllokuara.
- Bashkia Klos: Rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër janë të bllokuara.
- Bashkia Mat: Dy fshatra në njësinë administrative Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull janë të bllokuara.
- Bashkia Krujë: Po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë.
- Bashkia Fushë-Arrëz: Rruga me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj vazhdon të jetë e bllokuar.
- Bashkia Devoll: Po punohet për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras.
- Bashkia Pogradec: Po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.
- Bashkia Has: Po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.
Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin e tyre në Vlorë me të gjitha mjetet në dispozicion.
Sipas parashikimeve të motit, në ditët në vazhdim nuk priten reshje shiu apo bore në të gjithë vendin. Megjithatë, temperaturat do të vijojnë të ulen, duke arritur deri në -11 gradë Celsius në veri të vendit.
Të gjitha kapacitetet në nivel qendror dhe vendor të sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë të mundshme të shkaktuar nga kushtet e motit.