Valbona e bukur
November 6, 2019 || views
Flora Xhemani Baba
Të bësh një udhëtim në vjeshtë, në Luginën e Valbonës, duhet të përgatitesh jo vetëm materialisht për çfarë do të marrësh me vete, por në radhë të parë shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar nga ana emocionale, bukuritë befasuese të këtij parku kombëtar verior të Shqipërisë, i cili tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt por edhe nga mjaft shqiptarë, të ngopur me detin e të etur për aventurë.
Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo faqeje që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujrash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peisazhin në një spektakël të vërtetë gjyrash – nuanca të së kuqes – që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit.
Lugina e Valbonës ndodhet në pjesën më veriore të vendit, në lindje të masivit malor të Alpeve Shqiptare, në rrethin e Tropojës. Lugina nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, prane digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 km. Valbona ndodhet 25 kme larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë, udhëtimi kalon nëpërmjet një lugine të ngushte, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ah e bredh, ndërsa rruga është e paasfaltuar.
Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit, pasohen nga gryka e ngushte me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, më kulla guri 100 e 200 vjecare, madje dhe më të vjetra. Në të të rrjedhës së Valbonës ndodhët një ujvarë disa dhjetra metra e lartë, që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë, në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi, ndodhet shpella e Bajram Currit.
Valbona ka mahnitur shumë vizitorë të huaj, të cilët për të pranuar magjepsjen, janë kthyer ta vizitojnë sërish. Por deri më tash nuk kishte ndodhur ndonjëherë që vizitorët të mbeteshin përgjithmonë aty. Kjo ndodhi me Catherine Bohn, që erdhi nga Amerika e largët e u “shitua prej zanave”, të këtij vendi të egër. Zanat e maleve shkundën shkopin e tyre magjik mbi kryet e Alfredit dhe malësori e magjepsi vajzën aq sa ajo nuk donte të shkonte më në Amerikë, por donte të rrinte aty, mes shkrepave e lëndinave ku ai kishte shtëpinë, e jetonte me vëllezërit e nënë Sosen. Ndonëse thjesht me xhinse e atlete, e jo me veshje tradicionale e kësulë të bardhë mbi kokë, efekti tek Catherine ishte i njëjtë, ajo u dashurua me këtë djalë dhe vendosi të jetonte me të aty mes maleve, duke braktisur përgjithmonë tokën e premtuar. Të flasësh sot për Valbonën, është e pamundur të mos përfshish në rrëfimet e tua Alfredin dhe Katerinën, të ciltët jo domosdoshmërsht por natyrshëm, janë njerzit e parë që ju presin sapo shkelni në Valbonë, nëse keni ardhur aty për gjetur mikpritje dhe aventurë.
Pse e lashë New York-un për Valbonën
“Erdha këtu për herë të parë para dy vjetësh – tregon Katerina. – Pushimet e mia ishin planifikuar për një javë, e cila u shty në 11 ditë. Kisha dëgjuar shumë dhe isha mahnitur nga ideja e një vendi fare të paprekur, me jetë të egër, ku nuk kishte as gardhe, as kufij, as dyqane, e as hapësira ku duhet të paguaje (natyrisht) për t’u ulur e për të pushuar. Kishte vetëm male me maja që nuk kishin fund, lugina të gjelbra dimër e verë, dhe shtëpi ose ferma të vogla ku ti mund të trokisje pa problem ditën dhe natën e ku dikush të priste krahëhapur e nuk të linte jashtë. Valbona për mua ishte shndërruar në një përrallë fëmijësh, me pyje të thellë ku mund të humbisje nëse ngatërroje shtegun, me gratë e vjetra që thurnin triko, me fëmijë të vegjël çuditërisht gjithmonë sygëzuar e me druvarët që sillnin pyllin në oxhakët e ngrohtë të fermave të vogla. Të gjitha këto m’i kishin treguar miqtë e mi.
Kur erdha në Valbonë, gjeta edhe më shumë se kaq. Madje Valbona kishte edhe një princ, tamam si në përralla. Kisha lexuar në internet për një Alfred, që i priste turistët në Fierzë ose në Valbonë, dhe i merrte me vete, që t’i shëtiste nëpër bjeshkë. Mendova: sigurisht ky do jetë ndonjë gjysh me një varg nipërish e mbesash që e kalojnë numrin e dhëmbëve që ka në gojë, e me ta, lëviz nëpër male, për të shoqëruar turistët. Unë u përplasa me të në tragetin e Fierzës dhe kur në vend të gjyshit pashë një djalosh të bukur, fjalët e mia të para, të ngatërruara prej hutimi, ishin: “Unë kam ardhur për të ndenjur me ty”. Dhe ai mendueshëm ma priti: “Natyrisht”.
Që të kuptosh dhe të njohësh Amerikën apo New York-un, duhet qartësuar se ato nuk janë si në filma, po të mos përjashtojmë atmosferën e Krishtlindjeve apo atë të pranverës. Amerika është një vend ku Punohet. Që në lindje na kanë mësuar të punojmë, sepse dembelëve u ndodhin gjithmonë gjëra të këqija në jetë, kurse po të punosh, t’u bindesh rregullave, të respektosh ligjet dhe të zbatosh çfarë të është mësuar, do të mund të jesh i suksesshëm në jetë. Akush prej nesh nuk pyet se me çfarë ngjan suksesi. Na thonë vetëm se po punove shumë, do kesh sukses.
Të rinjtë punojnë shumë, të vjetrit i vendosin nëpër institute, ku përgjithësisht ndjehen të lënë pas dore dhe vdesin ngadalë. Ne lëvizim për punë nga një qytet në tjetrin dhe kështu pothuajse nuk i përkasim asnjë vendi. Ata që nuk lëvizin nga qyteti i lindjes, përgjithësisht klasifikohen si të pasuksesshëm që bëjnë punë të parëndësishme. Nuk ka rëndësi nëse ne punojmë shumë, sepse paratë asnjëherë nuk dalin, kështu që duhet të punojmë edhe më shumë. Prindërit në përgjithësi nuk i shohin shpesh fëmijët e tyre se ata janë larg për punë.
Çdo gjë që shohim përqark, kushton para, të cilat nevojiten gjithmonë në sasi më të mëdha sesa ti disponon. Kjo natyrisht, nuk është për të treguar se jeta në Valbonë është më e lehtë. Këtu është tmerrësisht ftohtë në dimër, mungon energjia elektrike vazhdimisht, ka një monotoni vrasëse gjatë stinëve të ftohta që e mpin imagjinatën dhe inteligjencën e të rinjve, të cilët kanë mbetur në kurthin e së shkuarës që nuk pranon të ikë dhe së ardhmes që nuk ka mbërritur ende.
Është folur shumë për mikpritjen e famshme të malësorëve në të gjitha Alpet shqiptare por në terma të përgjithshëm nuk mund të përfshihesh emocionalisht në ca kode njerëzore që ruhen mrekullisht në këto zona të Shqipërisë. Në asnjë nga mënyrat e mundshme nuk mund të përshkruhet ndjesia që provohet nga kjo mikpritje, përveçse ta përjetosh vetë. Shkoni në shtëpinë e Kol Gjonit, që të kuptoni se çfarë ndjehet kur shijon këtë mikpritje.
Lexo edhe: Në shtëpinë e Kol Gjonit, si në Ciklin e Kreshnikëve
Si shkohet në Valbonë
Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtosh 7 orë nga Tirana. Pjesa kryesore e udhëtimit, është segmenti Tiranë-Bajram Curri, që përfshin edhe udhëtimin me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Përrenjtë dhe luginat e vogla qe lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat dy orë e gjysëm dhe kushton 300 lekë të reja, ndërsa udhëtimi nga Tirana në Bajram Curri me furgonat e linjës, kushton 1000 lekë të reja. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës, shkohet me mjete të tipit 4 x 4 por edhe me furgonë te linjes, bileta e të cilëve kushton 150 lekë të vjetra.
Lugina e Valbonës
Parku kombëtar “Lugina e Valbonës”
Ndodhet në Qarkun e Kukësit dhe në rrethin e Tropojës, 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinthe e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare.
Kushtet klimaterike
Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë. Rreshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për turizëm gjatë verës dhe në dimër gjithashtu. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm, e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër, mund të lëvizni “me rrathë”.
Flora dhe fauna
Park ndërkufitar me vlerat më të larta të biodiversitetit. Takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine (bjeshkë), pyje të gështenjës (Castanea sativa) në gjendje natyrore, përrenj e lumenj malorë, etj. Park i pasur në endemizma e subendemizma. Parku është gjithashtu dhe një zonë e vetme e takimit të hormoqit (Picea abies). Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), kope me dhitë e egra (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus), etj, ndërsa nga shpendët veçojmë praninë e gjelit dhe të pulës së egër (Tatrao urogallus) dhe shqiponjës së malit (Aquila chrysaetos), etj. Në ujrat e lumit të Valbonës takohet lloji globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra).
Aktivitete dhe sporte të ndryshme
Përgjithësisht dominojnë shëtitjet në natyrë por mund të ushtrohen edhe lloje të ndryshme sportesh, ngjitje në shpatet e maleve. Mund të ushtrohet edhe sporti i gjuetisë por vetëm gjatë sezonit dhe duke marrë informacionin paraprak se për cilat kafshë të parkut është e ndaluar gjuetia. Të apasionuarit mund të ngrenë kampingje, duke respektuar ambientin dhe duke u informuar më parë për zonat e lejuara. Valbona është një nga zonat më të bukura të Shqipërisë dhe segmente e rrëmbyera të lumit me të njëtin emër, mund të jenë një sfidë për të apasionuarit e sporteve ekstreme.
Shkruar në vitin 2010 për SHQIP Magazine