Turizmi nuk njeh sezon, kroçera “Ocean Majesty”, sjell në Sarandë 470 francezë dhe belgë

October 23, 2019 || views

Nga Klotilda Saraçini

TIRANË, Tetor/ATSH/- Saranda, e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj.

Në këto ditë vjeshte ku temperaturat i ngjajnë atyre të verës, portin e Sarandës dhe qytetin bregdetar e vizitoi një tjetër kroçerë me një kapacitet prej 470 pasagjerësh.

Kroçera “Ocean Majesty” me flamur portugez dhe me një kapacitet maksimal mbërriti sot në Sarandë, ndërsa turistët vizituan pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “kroçera vjen për herë të dytë gjatë këtij sezoni turistik në Sarandë, ndërsa pritet të vijë sërish gjatë kësaj periudhe”.

“Turistët në bordin e kësaj kroçere kanë qenë kryesisht francezë, rreth 424, ndërsa grupimi tjetër i turistëve kanë qenë më shtetësi belge, rreth 26 persona”, – thekson porti i Sarandës.

Sipas portit, kroçerat gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit janë më kapacitet të vogël.

Qyteti i Sarandës ka filluar që në muajin shkurt të këtij viti të presë turistët e parë, të cilët gjatë pikut të sezonit turistik kanë një fluks të shtuar.

Saranda njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal. Përveç diellit e plazhit, Saranda veçohet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit nxit kureshtjen e turistëve të shumtë me historinë e tij mijëravjeçare./k.s/ /a.g/