Turizmi, ky humbës i madh!
April 22, 2020 || views
Nga Flora Xhemani Baba
Përfundimisht turizmi nuk ka për të qenë kurrë një sektor i qëndrueshëm në ekonominë shqiptare, sepse edhe tani, në arritjen më kritike të ecurisë së zhvillimit të tij, nuk po ndihmohet e nuk po merret seriozisht. Instinkti i fortë i mbijetesës, me të cilin ia kanë dalë gjithmonë shqiptarët, do të bëjë që ndoshta ai të mos vdesë por ama, do të jetë gjithmonë një xhungël ku gjërat do të funksionojnë në bazë të mbijetesës.
Pa dyshim që gjysma e operatorëve (hotele-restorante-agjenci) do të falimentojnë, në mos kanë falimentuar ndërkohë, për shkak të mungesës së lëvizjes e për rrjedhojë, edhe të likuiditetit. Por patjetër që në treg do të dalin operatorë të rinj, që do ta shohin me interes investimin në këtë fushë. Kjo është ndoshta edhe arsyeja se pse qeverija nuk injekton para në këtë sektor, duke e menduar krizën si një rregullator të natyrshëm të tregut.
Nga ana tjetër, të gjithë ekspertët e ekonomisë dhe të turizmit, pa asnjë përjashtim, e kanë thënë mendimin e tyre thjesht dhe qartë që turizmi ka nevojë për ndihmë të drejtpërdrejtë në para, përveç lehtësirave fiskale, siç kanë bërë të gjitha shtetet e Ballkanit pa përjashtim, përfshirë dhe Kosovën. E vetmja që mendon ndryshe, është Ministria e Turizmit. Ajo mendon se turizmi duhet mbështetur me strategji, pra me llafe, strategji që sidoqoftë akoma nuk e ka bërë. Nuk dihet përse, kur vjen puna për të dëgjuar ekspertët dhe profesionistët e mjekësisë, qeveria i sugjeron dhe i zbaton ato pikë për pikë, duke i mëshuar fort faktit që ia ka lënë fushën të lirë ekspertëve ndërsa kur vjen puna për të zbatuar këshillat dhe sugjerimet e ekspertëve të ekonomisë dhe turizmit, jo vetëm që e bën veshin të shurdhër por hidhet në sulm, duke u thënë bizneseve të shesin jahtet, ndërkohë që të vetmit që rrezikojnë falimentimin, nuk kanë jahte por kredi nëpër banka. Ndoshta zbatimi i këshillave të mjekëve rezulton më i mundshëm sepse është më e thjeshtë t’i mbyllësh njerëzit brenda me kërbaç e t’u thuash lani duart me sapun, sesa t’u mbushësh xhepin me para, që të blejnë bukën e përditshme.