Turizmi duhet t’i motivojë njerëzit për të udhëtuar

10 Mars, 2021 || 384 views

Irhan Jubica 

Përtej pritshmërive më optimiste, 2020-a rezultoi një vit tepër i begatë për turizmin shqiptar në epokën e pandemisë. Edhe pse numri i turistëve është ulur – sipas Instat në kufijtë e 60 përqindëshit – në të vërtetë ky numër është rreth 20% më i lartë se sa parashikimet e Organizatës Botërore të Turizmit, të publikuara në fund të izolimit të pranverës.
Mirëpo nëse euforia e zhvillimit të vrullshëm të turizmit gjatë gjysmës së dytë të dekadës së fundit ka bërë që të mos kontestohen shifrat zyrtare, specifika e këtij viti e bën të nevojshme përdorimin e një lenteje më të fuqishme dyshimi: të gjendur në grackën e të ashtuquajturës “paga e luftës”, mjaft biznese, përfshi edhe ato turistike, deklaruan pezullimin pa afat ose edhe mbylljen e aktivitetit të tyre financiar. E ndoshta jo vetëm për shkak të kompensimit fyes të ofruar nga qeveria, bizneset nuk i kthyen mbrapsht turistët që u trokitën në derë që në fillim të verës e deri në këto ditë të fundit të vitit. Ato u shërbyen njësoj, madje në shumicën e rasteve, duke i anashkaluar pa teklif masat pompoze të printuara globalisht për mbrojtjen nga virusi. Kështu, nëse shifrat zyrtare të viteve të kaluara kanë një marzh gabimi apo tolerance të gjithëpranuar, e që ka lidhje me mosdeklarimin e një sasie relativisht të ulët të të ardhurave nga hoteleria, gastronomia dhe operatorëve të tjerë turistikë, shifrat e këtij viti duhen parë me shumë rezervë, sepse aty mungojnë një numër tashmë i pallogaritshëm i turistëve, që sikurse thamë më lart, nuk i munguan këtij viti.
Megjithatë ky nuk ëshë një denoncim, por një përpjekje për të parë dhe vlerësuar me realizëm një situatë në thelb optimiste në kontekstin e një lufte, si kjo nëpër të cilën bota do të endet, sipas parashikuesit të virusit dhe njëherësh edhe të shpërndarjes së vaksinës, ndoshta deri në pranverën e vitit 2022.
I shndërruar në të ardhura, natyrisht që turizmi i këtij viti do të jetë i krahasueshëm me 10 apo 15 vjet më parë, sepse dukuria e vitit 2020 ishte turizmi familjar i fundjavës. Në një shkallë globale, mohimi i të drejtës për udhëtime ndërkombëtare aq sa edhe të ashtuquajturit VIP-a të gazetarisë shqiptare nisën të zbulojnë vendin e tyre, e në një shkallë më të vogël mohimi i të drejtës për transport publik – ishin dy prej arsyeve që ndikuan në krijimin e kësaj dukurie. E para rezultoi me një numër thuajse të papërfillshëm të vizitorëve të huaj dhe e dyta me shtrëngimin e familjeve për të udhëtuar brenda një perimetri të vogël. Arsyet e tjera edhe më të rëndësishme janë financiare dhe sigurie të shëndetit, ose më mirë, paniku. E ndonëse kishin më shumë kohë të lirë, të mundësuar nga “puna” online apo edhe papunësia në rritje (sipas guvernatorit të Bankës Kombëtare, Shqipërisë iu shtuan vetëm 50 mijë të papunë nga pandemia), shqiptarët megjithatë zgjodhën kryesisht fundjavat për udhëtime drejt destinacioneve të afërta, ndonjëherë edhe vetëm brenda rajoneve ku banojnë. Ata që e vuajtën më shumë këtë dukuri ishin sidomos bizneset e mëdha, struktura akomoduese, agjenci turistike, operatorë transporti etj., ndërsa hotelet e vogla, e sidomos bujtinat dhe restorantet e përballuan vitin e parë të pandemisë, sipas mjaft burimeve nga terreni, me afro 50% më pak në krahasim me 2019-n.
E megjithatë ky ishte një vit tepër i begatë për turizmin shqiptar, sepse veç të tjerash, mjaft individë dhe subjekte nisën të konsiderojnë atë që kishin refuzuar për dekada të tëra, e sidomos që prej liberalizimit të vizave: njohjen e vendit të tyre. Mirëpo dukuria e 2020-ës nuk mund të mos shoqërohej me një dukuri edhe me specifike: mungesën e ofertës. Kështu, ndërsa turistët potencialë ishin gati të ndërmerrnin udhëtimet e tyre nëpër Shqipëri, Shqipëria turistike nuk kishte një ofertë specifike për ta, por vetëm ripërsëriste destiancione dhe motive tashmë të njohura, për të mos thënë të konsumuara: Kruja e Skënderbeut, Riviera e Jonit, Korça e serenatave, Shkodra e kulturës, Apolonia e antikitetit… Inekzistente si përherë, Ministria pa portofol e Turizmit nuk luajti asnjë rol në orientimin e potencialeve turistike drejt hartimit të ofertave të mirëfillta për turistët vendas, por mbeti te karagjozllëqet e ministrit nëpër studiot televizive dhe #thurjet për pushime në Shqipëri, sikur kjo të ishte një zgjedhje e urtë fisnike, e jo mundësia e vetme e mbetur. Edhe një herë tjetër, turizmi u la të shpëtojë veten.
Dhe për ta shpëtuar, sfida e vërtetë do të jetë viti 2021. Largimi i zgjedhjeve nga sezoni turistik ishte një vendim i mirë i politikës, sidoqë i vonuar, por pjesa tjetër e punës i mbetet secilit individ që ushtron çfarëdo aktiviteti në sektorin e turizmit. Edhe pse, derisa turizmin e Francës së pasur nuk e shpëton turizmi i brendshëm, Shqipërinë e varfëruar sigurisht që nuk do ta shpëtojë turizmi familjar i fundjavave e as patriotët e Kosovës, që më 2020-ën u tkurrën me 1 milionë. Me protesta të njëpasnjëshme të përhapura në thuajse të gjithë vendin, me një fushatë zgjedhore që thuajse ka nisur, me sistemin arsimor dhe një pjesë të madhe të administratës që do të vazhdojë pa afat “punën” online dhe sidomos me një numër gjithnjë e më të lartë biznesesh të falimentuara e rrjedhimisht – njerëzish të papunë – turizmi ka përpara një sezon më të paparashikueshëm se ai i vitit që po mbyllet. Prandaj turizmi, ose thënë ndryshe, secili operator turistik, i madh apo i vogël qoftë, do të duhet t’i motivojë njerëzit për të udhëtuar. Për këtë duhen hartuar oferta jo vetëm të përballueshme financiarisht, por edhe motivuese nga pikëpamja emocionale dhe psiqike. Njeriut të dëshpëruar nga pasiguria për të ardhmen dhe nga paniku i virusit, i duhen dhënë arsye të sinqerta për udhëtimin e tij të fundjavës ose më shumë. Pavarësisht ndërlikimeve të teknologjisë së lartë, jeta është më e thjeshtë: njeriu dashuron dhe pëlqen të shkojë në vende që e bëjnë të ndihet i lirë dhe në paqe. Duke u lidhur me fëmijërinë, këto dy ndjejna e shoqërojnë njeriun, pra edhe udhëtarin, përgjatë gjithë jetës. Ndoshta për këto arsye, numri i shqiptarëve që ngjitën malet, brodhën shtigjeve apo u endën lëndinave, si dhe fjetën në bujtina e hotele të vogla, ishte më i madh se asnjëherë tjetër. Oferta të tilla do të duhej të përcillnin thelbin e identitetit të destinacionit, pa u bërë qesharakë si Shkodra që zbuloi se oferta qenka “tourist official brand”, apo si Tirana që e ka zhbërë vetveten për t’u kthyer në një qytet pa identitet. Elementët më të fortë autentikë janë ata që lidhen me traditën dhe më e fuqishmja ndër ta është skalitur edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit: “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut”. Mikpritja nuk presupozon vetëm pritjen e mikut në bash të vendit dhe ofrimin e ushqimeve të mira, por sidomos mbajtjen e bisedës, tregimin dhe dëgjimin e historive. Pikërisht këtë duhet të sigurojnë ofertat turistike: historitë njerëzore, rrëfimin mbi jetën e përditshme, tregimin për gjëra në dukje të parëndësishme, por që për një vizitor janë përherë tërheqëse dhe që mbeten gjatë në kujtesë. Kështu turistit do t’i ofrohet një përvojë e plotë prej udhëtimit, të cilin nuk e ka ndërmarrë për një drekë apo për një shtrat. Por tregimi i këtyre historive nuk përputhet me turizmin masiv të plazhit dhe resorteve. Ai kërkon një dhomë, një familje dhe shumë dashuri.