TURIZMI, AUTENTICITETI dhe FERMA e BLERINËS

November 8, 2022 || views

Turizmi shqiptar, i cili ende edhe për një periudhë të gjatë do kalojë përmes një faze që për komoditet dhe dritëshkurtësi e kemi quajtur “periudhë tranzicioni” por që po shenjon përfundimisht profilin e tij kaotik, ka ndër problemet e tij të shumta edhe atë të arkitekturës, si një prej treguesve të autenticitetit.

 

 

Në një kohë që nëpër panelet e diskutimit për turizmin, evidentohet shpeshherë masakra tashmë e pandreqshme urbane në bre(n)gdet, në anën tjetër kullat tradicionale te Alpeve në Theth, Valbonë, Vermosh e Lepushë, po zëvendësohen me kolibe druri për të shtuar akomodimin në përgjigje të rritjes së kërkesës, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë por sidomos duke shkatërruar ofertën turistike me humbje të autenticitetit, që është edhe arsyeja kryesore se pse të huajt vizitojnë Alpet, përpos natyrës.

 

E gjitha kjo ndodh sepse në Shqipëri ende nuk është bërë e famshmja strategji e turizmit, përmes ligjit ose ligjeve, që do të kanalizonin ofertën turistike në hullitë e turizmit të qëndrueshëm, duke mbikëqyrur me kujdes rritjen e saj vit pas viti dhe “gdhendjen” sipas tipareve të vendit që e ofron.

 

 

Të gjithë e dimë tashmë se dallga e zhvillimit kaotik të Shqipërisë në këto tri dekada, mori me vete edhe bregdetin shqiptar, duke e kthyer sot në një konglomerat që nuk është as i jetueshëm në 365 ditë e as i përdorshëm në dobi të turizmit, kërkesa e të cilit tashmë e ka kaluar shumë herë ofertën dhe sukturat e përshtatshme të akomodimit janë shumë më të pakta se kakofonia e ndërtesave të tjera që përbëhet nga apartamentet dhe vilat private.

 

Po turizmi i brendshëm a mund të “shpëtohet”? A mund të merret nën patronazh zhvillimi i zonave alpine, aq të kërkuara sot në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, ruajtja ose rijetëzimi i fshatratve me arkitekturë tipike, ndërtimi i strukturave agroturistike apo zhvillimi i zonave me pesiazh të spikatur ku po tentohet të shtohet akomodim?

 

Fatkeqësisht edhe kjo pjesë e Shqipërisë po lihet sërish në dorë të individit dhe secili po e zhvillon strukturën e vet pritëse ashtu siç do, siç ia merr mendja ose siç ia kërkon nevoja, duke u ndikuar kryesisht nga rritja e kërkesës, e cila për shkak të fitimit të shpejtë çon edhe drejt zgjidhjeve të shpejta.

 

Mu nën hundën e shtetit e para syve tanë (madje edhe me bekimin e kryeministrit që jo pak herë shkon dhe u pret shiritin këtyre ndërtimeve apo i publikon në faqet e tij të rrjeteve sociale), po shohim të mbijnë përditë kolibe druri e hotele shumëkatëshe në zemër të Alpeve, aty ku e dimë se banesat janë karakteristike, ndërtuar në formën e kullave të gurit e mbulluar me çati prej druri pishe.

 

Një trashëgimi e tërë, shumëshekullore po humbet para syve tanë pa u ndier, duke u zëvendëzuar në rastin më të mirë me hotele luksoze dhe SPA, që nuk kanë asnjë lidhje as me arkitekturën dhe as me traditën që ofrojnë Alpet e në rastin më të keq me shtëpi druri nga ato standartet, me kosto minimale, që ndërtohen brenda një vere e që shërbejnë vetëm si fjetore, me gjithë dëshirën e amvisase për t`i mobiluar bukur.

Shumë shpejt fotot e Valbonës, Thethit, Lepushës e Vermoshit, si zonat më të vizituara që po pësojnë masakrën, nuk do të kenë më asnjë ndryshim nga njëra-tjetra dhe në një plan të afërt fotografik, askush nuk do të jetë më në gjendje të dallojë se cilit vend i përket peisazhi në fjalë.

 

Vetëm ndalimi i ndërtimeve ose mbikëqyrja përmes specialistëve të trashëgimisë, mund ta zbusë këtë dukuri apo ta ngadalësojë sadopak.
Edhe përpjekjet që vetë shteti po bën duke ofruar fonde për rijetëzimin e shtëpive karakteristike në fshatra të ndryshëm me arkitekturë të spikatur, nuk është i efektshëm, sepse fakti që mbulohet një pjesë e këtyre fondeve, nuk e ndalon dot atë që po ndodh nga ana tjetër.

 

Natyrisht ka edhe plot raste kur investimet e reja apo rijetëzimet janë histori të vërteta suksesi që jo vetëm transmetojnë vlerat e trashëgimisë por shkojnë edhe më përtej me projekte të guximshme e futuriste. Fotot e “Kullës së Arnume” të Mrizit të Zanave bënë xhiron e botës, madje ishin kryefjalë edhe e faqeve ndërkombëtare të arkitekturës, për vlerat krejtësisht të veçanta të një kulle të thjeshtë, ideja gjeniale e së cilës ishte ta arnonte pjesën e shembur me një copë xham.

 

 

Nga ana tjetër përkundër kësaj dukurie të trishtueshme ka edhe histori frymëzuese, të cilat vetë janë udhëhequr jo nga dëshira për fitime të shpejta por nga dashuria për të transmetuar pasionet e tyre përmes asaj që bëjnë. Nëse dikush në Alpe, nuk ka durim të ndërtojë një kullë të dytë bash si ajo që i ka lënë në trashëgim gjyshi e stërgjyshi, i cili nuk e dinte se një ditë ajo do të përdorej si hotel, dikush tjetër, diku në mes të fushës, aty ku nuk pasur më parë asgjë, dëshiron të “mbjellë” një trashëgimi.

 

Këtë mendova kur vizitova fermën e Blerina Bombajt, dietologes së njohur që “emrin” e saj e ka ndërtuar fillimisht përmes rekomandimit të jetesës së shëndetshme dhe ushqimeve të rritura në natyrë, të cilat më pas filloi t`i kultivonte vetë, diku në një copë tokë pak kilometra larg Tiranës, që e quajti “Blerina Farm”.

 

E nga dashuria për fshatin, për të thjeshtën e tij të bukur, për formulat e pagabueshme të natyrës, që nuk të lenë kurrë në baltë, ajo shkoi pak më përtej me ëndrrat dhe vendosi ta sillte fshatin edhe përmes një modeli tjetër; atij të bujtinës tradicionale, po në formën e një fshati të vogël, me tipare arkitektonike nga e gjithë Shqipëria. Veç ta shihni sa e bukur është kjo strukturë që rritet nga pak përditë e që kur të mbarojë, me siguri do të jetë në top listën e kërkesave për t`u vizituar nga të huajt e nga shqiptarët pa asnjë dyshim.

 

Nuk është as masive e as shumëkatëshe, që të ketë shumë dhoma e të fitojë shumë para. Dhe as po ndërtohet me vrap se na iku sezoni. Po ndërtohet ngadalë, çdo ditë, me kujdesin e arkitektit mbi kokë, e natyrisht me dashuri të madhe nga e zonja, që e shikon me sytë mendjes dhe të zemrës, se sa e bukur do të vazhdojë të jetë pas një shekulli, ashtu siç shonim ne sot kullat e Alpeve apo shtëpitë e Beratit.
Po pse pra, pse malësorët po ndërtojnë shtëpi kukulle me aq nxitim, duke lënë në hije kullat hijerënda që janë diamantet e Alpeve?

 

 

Pse duan patjetër vezën sot? Pse nuk i rezistojnë ngasjes për t`u pasuruar, në vend që ta përdorin turizmin si mjet e mënyrë jetese? Pse i mbledhin paratë e sezonit për të shtuar dy shtëpiza me vrap, në vend që të gdhendin qemerin e portës për kullën e ardhshme?

 

 

 

Pse nuk e marrin më qumështin nga delet e tyre për miqtë që u bujtin në shtëpi por shkojnë ta blejnë në pazar? Pse mazën e zime e kanë zëvendësuar me krepa? Çfarë i pengon ata të bëjnë atë që po bën Blerina? Ku po gabojmë?