Turizmi 0 km si vazhdim i ciklit të jetës
October 6, 2020 || views
Irhan Jubica *
Nga gjallesat primitive të oxhaqeve vullkanikë mijëra metra thellë oqeaneve deri te patat e egra që fluturojnë përmbi Himalaje, nga brumbulli i shkretëtirës afrikane që vallëzon në 50 gradë celsius deri te bretkosa me gjak antrifrizë që zgjohet në pranverë, nga neandertali i parë deri te Venbanimi Tarracor i Grunasit, nga ringjallja e Llazarit deri te vajtimi i Ajkunës, nga migrimet madhështore të drerëve të Alaskës deri te shtegtimi i një miliard njerëzve për Vitin e Ri kinez, nga kryqëzatat mesjetare e deri te turizmi planetar – jeta nuk ndalet.
Sikurse nuk është ndalur asnjëherë.
Autorësia e diskutueshme e aforizmit “Asgjë nuk humbet, asgjë nuk krijohet, gjithçka transformohet” nuk e bën të diskutueshme këtë përvojë. Dinamika e pandalshme e universit është vetë historia e jetës në hapësirën e pamatë, ku Toka ngjan si një atom hidrogjeni, si një vezë peshku në oqean, brenda së cilës materia po transformohet në një fazë tjetër të jetës.
I tillë është ky pushim që bota i dha turizmit: një fazë transformimi i kërkesës që po e ndryshon dhe do të vazhdojë ta ndryshojë ofertën dhe vetë konsumatorin.
Të dëshiruar, të mësuar apo edhe të neveritur nga miliona turistiët e huaj, vende të ndryshme të botës po u nënshtrohen pa vullnetin e tyre ndryshimeve të menjëhershme në industrinë e turizmit: nga Tenerifet në Ksamil dhe nga Alpet Shqiptare në Machu Pichu, restorantet, plazhet, muzetë dhe kreshtat malore janë bosh. Disa media botërore raportojnë se përtej pritshmërive, Korriku megjithatë po rezulton një muaj me rritje të dëshirës për turizëm. Shtrirja e ngushtë gjeografike e këtij turizmi në zonat më të afërta të banimit mbetet e kushtëzuar nga zgjedhja gjithashtu e kushtëzuar e turistëve për të udhëtuar vetëm në fundjavë. Më shumë se pjesë të një konspiracioni global që mund t’i bëjë shoqëritë totalisht të kontrollueshme nga qeveritë dhe këta të fundit të kontrollueshme nga koorporatat shumëkombëshe, arsyet e kushtëzimeve të mësipërme lidhen sidomos me ekonominë. I ndëshkuar sipas rastit, me 30-50% më pak të ardhura, ose edhe me humbjen e vendeve të punës, turisti potencial në mbarë botën i trembet të ardhmes së afërt po aq sa edhe armikut të padukshëm që shpërthen dhunshëm të gjitha ekranet e mundshme te medias. Në këtë mënyrë, njësoj si ambicja e turizmit të qëndueshëm për të konsumuar produkte vendore, trafiku i avionëve supersonikë dhe kroçierave luksoze në qiejt dhe detet e botës dhe mbingopja e siteve nga turmat e turistëve ndërkontinentalë u zëvendësua me turizmin 0 km.
Mirëpo transformimi i pavullnetshëm i turizmit global në turizëm të brendshëm nuk ka gjetur të papërgatitur vetëm Shqipërinë. Edhe në vendet ku ministrat nuk krenohen me shifra, qeveritë i kanë ftuar komunitetet “të zgjedhin” vendin e tyre për turizëm. Është një përpjekje për të shpëtuar çka mund të shpëtohet nga lokomotivat që tërhiqnin trenat e ekonomive kombëtare. Edhe në Shqipëri, disa biznese turistike kanë nisur punë me kapacitet të plotë, disa të tjera po marrin njëfarë ritmi, e sigurisht që ka edhe një pjesë tjetër, të cilët luten ta bëjë Zoti ëndërr.
Në këtë situatë, zgjidhja do të vijë vetëm nga të kuptuarit e nevojës për ndryshim, i cili mund të mos përfshijë detyrimisht çmimet, por cilësinë me patjetër. E ashtu si me të drejtë konstaton në intervistën e tij për “Travel” Shkëlzen Marku, kjo do të thotë përmirësim i ofertës për turizmin e brendshëm, konsumatorët e të cilit do të duhet më shumë mund për t’i kënaqur se sa turistët e huaj. Në mendjen dhe praktikën e shumë shqiptarëve, turizëm i vërtetë bëhet vetëm jashtë, drejt destinacioneve ku thuajse gjithçka është e përsosur. Për më tepër që shqiptarët nuk kanë qenë pjesë e procesit të gjatë nëpër të cilin ka kaluar turizmi botëror për të arritur standardet aktuale, por kanë rënë në kontakt me pamjen e tij vezulluese. Prandaj joshja e shqiptarëve për të bërë jo thjesht pushime, por turizëm të vërtetë brenda 28 mijë kilometrave katrorë është një proces gjithashtu i gjatë dhe i vështirë. Është procesi i rritjes së vetë turizmit shqiptar, i rritjes së bizneseve. Nën trysninë e situatës bllokuese të pandemisë, këto biznese i kanë mundësitë të reflektojnë mbi gjendjen dhe të përfitojnë nga koncentratet shembullore të përvojës së turizmit botëror, duke dalë së pari nga guacka e introversit dhe duke hedhur sytë përreth për të kapitalizuar çdo segment të mundshëm të potencialit të brendshëm turistik. Kështu ata do të mund t’ia zënë shqiptarëve jo vetëm kohën me plazh, ushqim, klube nate e dhoma komode, por edhe mendjen e shpirtin me aktivitete ndërvepruese që kërkojnë planifikim, përgatitje dhe angazhim. Ky turizëm 0 km do t’i sjellë më shumë përfitim njeriut sesa natyrës përmes vendosjes së një ekuilibri të ri, duke filluar nga njohja e vetes dhe eksplorimi i territoreve dikur të injoruara.
Në këtë mënyrë, jeta do ta vazhdojë ciklin e vet në një formë tjetër, në pritje të që bota të kthehet si më parë, si një ciklon i vogël që kthehet në uragan për të marrë me vetë edhe kujtimin e një epoke kur njeriu i mbyllur në karantinë të detyrueshme, ëndërronte për të dalë deri te parku i qytetit.
- Irhan Jubica është kryeredaktor i Travel Magazine