Turizëm apo transport udhëtarësh? Çfarë po bëjnë të ashtuquajturat agjenci turistike me tregun shqiptar?

October 28, 2021 || views

Flora Xhemani Baba

Turizmi shqiptar ndër shumë probleme të tjera, po vuan shumë edhe mungesën e produktit turistik. Dhe shkaktarët më të mëdhenj të këtij dëmi, janë vetë agjencitë turistike. Ardhja e pandemisë i nxori në rrugë të madhe të gjitha agjencitë që shisnin kryesisht paketat e rajonit, Ballkanit apo Evropës dhe e vetmja gomardare shpëtimi, ishte turizmi vendas, që nuk e njihnin aspak. Dhe pa bërë asnjë studim tregu, pa ndërtuar asnjë paketë, pa llogaritur asnjë kosto në terren, iu turrën Shqipërisë duke e qëmtuar sipër e sipër, si ai fëmija që i ha mollës vetëm lëkurën, aq sa ia lejojnë dhëmbët e vegjël dhe e hedh tutje të pambaruar.

Të jesh agjenci turistike dhe t’i thuash paketë apo udhëtim një çmimi ku ke llogaritur vetëm transportin rrugor, madje edhe atë me kosto më të ulët se transporti publik, do të thotë më e pakta të jesh dritëshkurtër e pa vizion e më e shumta të mendosh vetëm për vete, në rastin kur i disponon mjetet e transportit vetë.

Duke mos bërë llogari të tjera përveç atyre ditore, këto oferta vrasëse po e çojnë tregun drejt vetëshkatërrimit ose pikës zero, ku duhet filluar edhe njëherë nga fillimi. Të mbushësh autobusin me pasagjerë, që i lëshon si delet në mëngjes dhe i mbledh pasdite, pa i dërguar në një muze (apo ç’e deshe?), pa i çuar në një punishte artizanale, pa i ofruar një degustim vere, vaji, glikoje, dhalle të freskët në një baxho, dyqani produktesh lokale, nëse po flasim për një tur ditor, apo të mos flesh një natë në një qytet/fshat, hotel/bujtinë për të provuar kuzhinën e vendit, ç’kuptim ka që udhëton?

Nuk guxojnë profesionistët e turizmit vendas, që e “hapën lojën” e tureve në Shqipëri, të ndërtojnë një paketë, që ia kanë llogaritur koston me laps në dorë, se të del tjetri javën e ardhshme dhe e shet gjysëm për gjysëm dhe dyfishon pasagjerët që të kapë koston, se e di që nuk del. Vetëm e vetëm për “t`ia marrë” turistin konkurentit, në vend që të ideojë diçka të re, ose të shtojë një shërbim më shumë brenda asaj kostoje, a të sajojë një bonus, çfarëdo lloj produkti që shton larminë e paketës, i riu që don “të hyjë në treg”, gjëja e parë që bën, është të ulë çmimin e paketës, pa e kuptuar që dikush tjetër pas tij, do të bëjë të njëjtën gjë me të, derisa vjen momenti kur s`ke çtë ulësh më, sepse gjithçka ka shkuar poshtë kostos. Dhe e famshmja paketë katandiset në biletë transporti.

A nuk do të ishte më mirë dhjetë-njëzet turistë me një paketë të organizuar e të pasur me disa aspekte dhe pak më e shtrenjë, sesa pesëdhjetë pasagjerë që ngrohin sediljet e një autobusi dhe nuk shijojnë asgjë nga turizmi lokal? Pse i pretendojmë turet e detajuara vetëm për të huajt dhe shqiptarët i rrasim në furgon si sardelet për t’i zbrazur të gjithë në Valbonën e mbushur me kolibe të shëmtuara druri, që po pëlcet nga fluksi? Pse nuk shkojmë në Koplik për të vizituar fushat e mrekullueshme me lavandër e të shijojmë një gotë verë Kallmet po turremi të gjithë në Voskopojë, ku nuk bëjmë asgjë përveçse shohim kishën e fshatit se të tjerat janë mbyllur ?

Agjencitë shqiptare që e kanë mbushur Fejsbukun me këto “udhëtimet e fundjavës”, që më shumë lekë po i japin Zukerbergut sesa po marrin vetë e që nuk çojnë kokërr leku në ato vende ku shkojnë, sepse 10-mijë lekëshi nuk është veza e Nastradinit, a duan të bëjnë turizëm apo transport udhëtarësh?