Shtegu i Shijes: Kosova – Shqipëria- Mali i Zi. Albanian Great Escapes 2017
August 6, 2019 || views
Një udhëtim përmes shijes, nëpër shtigjet e bukura malore të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, duke njohur gatimet karakteristike të çdo zone, shijet e harruara që po ripërtërihen dhe ushqimet më të shëndetshme, shumicën e të cilave i prodhon vetë natyra dhe pjesën tjetër, duart e arta të këtyre banorëve mikpritës e zemërbardhë. Ky shteg është gjithashtu pjesë e projektit “Bukë, kripë e zemër”, realizuar nga Vis Albania dhe Fryma e Kelmendit.
Kohëzgjatja: 7 ditë
Vështirësia: E/EE
Min-Max i pjesëmarrësve: 4-16
Periudha e këshilluar: qershor – shtator. Klimë alpine.
Mesatarja ditore: nga 6 në 8 orë.
Zhvillimi i trekking: rreth 105 km (në këmbë)
Disniveli në ngjitje: rreth 5.100 metra
Disniveli në zbritje: rreth 5.300 metra
Lartësia max/min e arritur:
Maja e Berizhdolit 1979 / Tamara 302
Fjetja: në bujtina dhe në strehime përgjatë trekking
Lëvizjet në vend: me furgon dhe fuoristradë.
Çfarë duhet të keni me vete: këpucë për mal, atlete, xhup kundër erës, çantë shpine 55-65 lt, shishe uji (1L/1,5L), pashaportë e vlefshme për kalimin e kufirit.
Organizimi logjistik dhe udhërrëfyes:
Viaggiare i Balcani, Kosova Outdoor (udhërrëfyes të certifikuar D.A.V.) në bashkëpunim me konsorciumin “Fryma e Kelmendit”
Dita e parë: Peja (220 km nga Tirana, 4 orë) Lugina e Rugovës
Menjëherë ndeshesh me një natyrë të mrekullueshme e gjithnjë e më e ashpër, sa më shumë që futesh në Grykën e Rugovës. Sistemimi në një nga bujtinat e rrjetit “Green Path”.
Dita e dytë: Reka e Allages – Qafa e Gjonit – Drelaj
Orë: 6 / Disniveli: +930; -850
Etapë kushtuar zbulimit të Luginës së Rugovës, ndër pyje bredhi e kullotash të malit Hajla, në pllajën e Pepaj, dhe në grykat e Koshutanit, për të zbritur në fshatin Bogë, tek Osmani, anëtar i konviviumit Slow Food. Familja e Osmanit është e angazhuar 360º në kultivimin dhe mbarështimin me km0.
Dita e tretë: Drelaj – Liqeni Kuqishtes – Jelenk – Babino Polje – Eco-Village
Orë: 6 / Disniveli: +1020; -870
Shteg shumë i bukur që takon menjëherë dy liqene të kristaltë malor, duke vijuar më tej për në Jelenk. Ecja kryhet përgjatë kufirit Kosovë – Mal i Zi, në një kreshtë të gjatë me fushëpamje 360° të masiveve malore. Zbritet më pas drejt luginës së Bivoliak që përfundon në Plav, ku minaret ndërthuren me këmbanat e krishtera. Qëndrimi gjatë natës në fshatin Babino Polje.
Dita e katërt: Babino Polje – Grbaja – Lepushë.
Orë:7 / Disniveli: +650; -700
Transferimi me furgon në Grbaja (1h), nga ku do të nisemi për të përshkuar kufirin Mal i Zi – Shqipëri. Një etapë mahnitëse për mjedisin dhe llojin e itinerarit. Përshkohen nivelet e ndryshme altimetrike dhe me bimësi të një lugine që ka komunikuar që në lashtësi për të lidhur Malin e Zi me Shqipërinë. Mbërritja në luginën mbresëlënëse të Lepushës, zemra që rreh në Kelmendin e egër. Këtu janë përqendruar produktet cilësore të Mishavinës, djathit alpin të mbrojtur nga Slow Food. Takim me konsorciumin “Fryma e Kelmendit” që çon përpara projektin dhe rrjetin në mbështetje të produkteve vendore dhe turizmit të qëndrueshëm në këtë kënd parajse të paprekur. Qëndrimi pranë një bujtine prodhuesish.
Dita e pestë: Lepushë – Greben – Lepushë.
Orë:7 / Disniveli: +550; -550
Lepusha, me luginën e saj të hapur e të gjelbër në mes të maleve të mrekullueshme dhe kullotave të saj, meriton një valle bashkë me ne. Një shteg rrethor që prek të gjitha bukuritë dhe thesaret e saj, të fshehura për shekuj me radhë e që kanë mbetur të pandryshuara aq sa nuk mund t’i gjeni në asnjë vend tjetër të Evropës. Do të fshihemi në pyjet e saj dhe do të përshkojmë kreshtat e maleve të saj, do të vizitojmë stanet dhe do të rrimë deri vonë me barinjtë duke shijuar Mishavinën e freskët (presid Slow Food) duke pirë raki e pije me bimë të zonës. Kthimi dhe qëndrimi në një bujtinë prodhuesish Mishavine.
Dita e gjashtë: Lepushë – Berizhdol- Nikç.
Orë:7 / Disniveli: +660; – 950
Etapë kushtuar masivit që zotëron Kelmendin. Ngjitja nga Lepusha nuk është e vështirë. Mbërritja në mesditë në malin e Berizhdolit me pamje nga të tre luginat e Kelmendit (Vermoshin në veri, Lepushën në lindje dhe Tamarën në jug). Zbritje e gjatë drejt fshatit të këndshëm të Nikçit me mullinjtë e tij me ujë që janë ende në punë. Qëndrimi në një bujtinë të zonës.
Dita e shtatë: Nikç – Kozhnja – Tamara.
Orë: 3 / Disniveli: +50; – 300
Një shëtitje e rehatshme përgjatë përroit në mbyllje të gjithë ecjes. Mbërrijmë në Tamarë, qendra administrative e Kelmendit, dhe festojmë në një tryezë me gamë të gjerë shijesh në Restorantin “Bukë, Kripë e Zemër” mbështetur nga rrjeti Slow Food dhe nga Aleanca Slow Food e Kuzhinierëve të Shqipërisë. Qëndrimi në një bujtinë të zonës.