Të promovosh Shqipërinë përmes fotografisë – Intervistë me fotografin Valter Zhara

January 6, 2021 || views

Nga Armida Plumbi

 “Për çfarë duhet një thellësi e madhe fokale nëse nuk është e shoqëruar me një thellësi të duhur ndjenje”- thoshte Eugene Smith. 

Fotografia përmbledh momentet më të rëndësishme dhe është pjesë e pandashme e jetës sonë, sidomos me zhvillimin e teknologjisë dhe trendeve globale. Por nuk është e thënë të jesh fotograf me profesion për të shkrepur fotografi të bukura, mjafton ta kesh hobi apo pasion.

I tillë është edhe personazhi me të cilin do t’ju njohim në këtë intervistë. Bëhet fjalë për Valter Zharën, fotografin e talentuar, i cili promovon natyrën e bukur shqiptare. Alpet Shqiptare, Mali me Gropa, Bovilla, Shëngjergji, Parku Kombëtar Shebenik – Jabllanicë, Riviera Shqiptare dhe shumë të tjera janë disa nga vendet që fotografi Zhara ka kapur në lenten e tij gjatë eksplorimeve të vendit.

Në profilin e tij në Instagram gjejmë me qindra foto peizazhi e natyre, kartolina të vërteta, të cilat shpesh janë pjesë e portaleve që promovojnë turizmin në Shqipëri. Mund të themi pa frikë se Valter Zhara është një prej ambasadorëve të vendit tonë përmes fotografisë.

– Një prezantim i shkurtër, kush është Valter Zhara?

Unë kam mbaruar Fakultetin Ekonomik në Tiranë, kam punuar për shumë vite në kompani telekomunikacioni dhe aktualisht punoj tek One Telecommunications, në departamentin komercial. Fotografinë e kam hobi dhe pasion.

– Kur dhe si ka ardhur fotografia tek ju?
Hiking dhe natyra qenë shtysa për t’u tërhequr nga fotografia. Para 8 vitesh nisa të eksploroj disa vende të thella dhe të parrahura në atë kohë me grupe alpinistike. Bukuria e këtyre vendeve dhe veçantitë e stinëve më ngjallën dëshirën që t’i fotografoj dhe t’i ndaj edhe me njerëz të tjerë. Fillimisht fotot e para ishin me aparat celular dhe më pas me aparatin e parë Canon, por shumë shpejt u fokusova vetëm në telefon. Dhe u bëra një përdorues shumë i mirë Iphone 6 (që për atë kohë ishte nga më të mirët).

-Në cilin lloj zhanri të fotografisë lundroni dhe ku buron frymëzimi për to?
Natyra dhe peizazhet (Landscape) më pëlqejnë, perëndimet në bregdet apo male, Hëna, dhe veçantitë apo detajet e stinëve. Frymëzimi, ndoshta është ai momenti magjik që krijohet, diçka që ndodh vetëm njëherë.

-Nikon, Canon apo Fujifilm? Iphone apo Android? Lightroom apo Photoshop?
Fujifilm, Iphone dhe Capture one per Fuji. Në fakt fotografinë e kam filluar me Iphone, bëja shumë foto dhe ishte i lehtë për t’u mbajtur në eksplorime të vështira.

– Cili është vendi që ke vizituar në Shqipëri dhe do të doje të riktheheshe vazhdimisht?
Për mua janë padyshim Alpet e Shqipërisë. Do të doja të isha ngjitur në më shumë nga majat e pafundme të Alpeve, të kisha këndvështrime të ndryshme të luginave, lumenjve apo përrenjve, t’i shihja në stinë të ndryshme, të shikoja lindje apo perëndime dielli.

-Sa i përket çmimeve që ke fituar, cilët janë më të rëndësishmet për ju?
Në fakt në konkurse është e rëndësishme pjesëmarrja, pastaj çdo çmim është bonus. Duhet thënë që në Shqipëri ka shumë pak konkurse të tilla dhe jo vetëm në zhanrin e fotografisë.
Në konkurset e zhvilluara nga Visit Tirana dhe Tirana Photo Festival kam marrë çmime të dyta dhe të treta.

-Cilët fotografë ju frymëzojnë më shumë?
Frymëzohem nga imazhet e Ansel Adams, Daniel Kordan, Max Rive, Chris Burkard, Sebastião Salgado.

– Cilat janë sfidat me të cilat përballet një fotograf në përgjithësi, dhe në veçanti një fotograf shqiptar?
Fotografia për mua qëndron si hobi, pra unë nuk jetoj me të. Zhanri që kam zgjedhur është shumë i vështirë për të fituar. Për mua fotografia është një përkushtim, dedikim, orë të gjata pa gjumë dhe nuk duhet të mendosh se sa do të fitosh, apo të blesh pajisjen e fundit që do t’i realizojë fotot e mrekullueshme.

– Sa vlerësohet puna e një fotografi nga njerëzit dhe institucionet, sa të mbështesin apo të demotivojnë?
Besoj shumë shumë pak. Sa fonde shpenzohen nga bashkia, sa organizime të mirëfillta të konkurseve ka, ndërkohë vlera e punëve në ndonjë rast mund të jetë e konsiderueshme. Shumë njerëz sot mund të vizitojnë një vend vetëm për një foto të bukur që kanë parë.

– Cilën foto tuajën e konsideroni më të çmuarën e më të veçantën?
Kam shumë foto të preferuara (në Iphone tim tek të preferuarat qëndrojnë disa mijëra), por një nga fotot që më ka lënë mbresë është ajo e djalit tim të vogël duke u ngjitur në ballkonin e Llogorasë.
Në fakt jeta është vetë një malore, por gjithmonë do të kesh pamje të bukura (si perëndimi në këtë rast).

– A keni ndonjë ëndërr të mbetur në sirtar, për sa i përket fotografisë?
Shumë. Fillimisht të fotografoj peizazhe që nuk i kam parë (në Shqipëri apo jashtë), por edhe të hyj në zhanre të tjera të fotografisë, p.sh. street photography.

-Motoja kryesore që ju udhëheq në jetë?
Asgjë nuk është e pamundur.

– Mesazhi juaj për lexuesit e revistës “Travel” dhe veçanërisht për të rinjtë që kanë dëshirë të bëhen fotografë?
Fillimisht pasioni për fotografinë, pastaj sa më shumë foto me celular, por me një objektiv, kompozim sa më të mirë, jo imazhe klishe, pastaj detyrimisht duhet të dalin me një aparat fotografik, dhe duhet ta përdorin vazhdimisht, besoj në këtë moment do të jenë në hapat e para të fotografisë. Të ndjekin dhe të inspirohen nga fotografë të mirë në botë, të bëjnë ndonjë kurs fotografie, dhe patjetër të lexojnë shumë për të.

Për më shumë foto, ndiqni Valter Zharën në profilin e tij në Instagram:

https://www.instagram.com/vzhara/