Syri i Sheganit në Malësinë e Madhe, tashmë destinacion turistik
June 23, 2020 || views
Në numrin e verës së kaluar në Revistën Travel, një prej destinacione të reja që iu ofruan lexuesit të saj, ishte edhe Syri i Sheganit, një burim karstik me bukuri të rrallë, i rrethuar nga një natyrë e bimësi interesante, pranë Liqenit të Shkodrës, në zonën e Bajzës, në Malësi të Madhe.
I zbuluar nga aktivitetet dhe festimet lokale në terren të VIS Albania, në kuadër të ndihmës së bizneseve lokale të kësaj zone, “Syri” u zbulua vjet, gjatë Festës së Peshkut dhe që nga viti i shkuar e deri sot, është vizituar dendur nga grupe të shumtë turistësh e të rinjsh, herë me biçikleta, herë si një organizim për piknik e herë për sporte të ndryshme ujore si shëtitjet me varka, peshkim, kajak, SUP (Stand Up Paddle) etj.
Fotot që po ju përcjellim, janë shkëputur pikërisht nga aktiviteti i fundit i Albanian Water Sport në një ditë aktiviteti me Stand Up Paddle, ku panorama mbi sipërfaqen e ujrave plot zambakë, është pak të thuash mahnitëse.
Këto zona të mrekullueshme natyrore, përveçse destinacione ditore për aktivitete të llojeve të ndryshme, janë edhe një vend ideal për terapi antistres.
Tashmë mund të thuhet pa frikë se qysh nga momenti i parë i zbulimit të këtij vendi, Syshi i Sheganit është kthyer në destinacion turistik.
Më poshtë po ju përcjellim edhe artikullin që u botua vjet në revistën Travel për Syrin e Sheganit
Foto e këtij artikulli, janë realizuar nga fotografi i njohur shkodran Terenc Pepa
“Syri i Sheganit”, thesar i çmuar i Malësisë së Madhe
“Syri i Sheganit” është një ndër bukuritë dhe pasuritë natyrore që ka Malësia e Madhe. Vetëm 40 minuta larg nga Shkodra, është një destinacion që ia vlen të promovohet e zhvillohet, për një përjetim ndryshe, pasi ofron një pamje të mahnitshme që nuk duhet humbur kurrsesi. Ky burim karstik gjendet në afërsi të fshatit Kosan (Bajzë), në bregun verilindor të Liqenit të Shkodrës. Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit.
“Syri i Sheganit” del nga çarjet e shkëmbinjve gëlqerorë në afërsi të liqenit të Shkodrës. Banorët që jetojnë në këtë zonë e shfrytëzojnë këtë vend për të peshkuar, si formën e vetme të jetesës. Janë pikërisht këta banorë, të cilët me punën dhe vullnetin e tyre po e mbajnë dhe e zhvillojnë këtë zonë gradualisht.
Ka ardhur tanimë koha që Syrit të Sheganit t’i kushtohej më tepër vëmendje, për të bërë të mundur zhvillimin e turizmit dhe të zonës përmes nismave për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe eventeve që mund të zhvillohen, në një zonë që ofron një peizazh mbresëlënës e ku njeriu mund të gjejë qetësinë shpirtërore larg zhurmave të qytetit.
Turizmi i eventeve po zë gjithmonë e më shumë vend në kalendarin e festave lokale që synojnë zhvillimin e zonave me potencial turistik, bazuar në traditën dhe kulturën që mbartin, duke u kthyer në festa të hareshme e gjithëpërfshirëse, falë kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën, njerëzit, traditat, gastronominë e kulturën. Këtë vit në Syrin e Sheganit, falë nismës së Kryetarit të Njësisë Administrative Kastrat, së bashku me peshkatarët e zonës, dhe bashkëpunimit të VIS dhe Bashkisë Malësi e Madhe u organizua FESTA E PESHKUT.