“Stargazing” në Shebenik – mirë se vini në spektaklin e yjeve!
August 22, 2024 || views
Të shtrihesh mbi lëndinë dhe të mos bësh asgjë tjetër por me duart nën zverk, të presësh yjet kur bien. Dhe të shprehësh dëshira. Me miliona dëshira. Sepse miliona janë meteorët e ditëve të gushtit ose “yjet që bien”. Natyrisht mund të bësh plot gjëra të tjera me miqtë, të ndezësh një zjarr, të tregosh histori të bukura, të shijosh një “barbeky” apo ushqim pikniku, ndërkohë që pret rënien e yjeve.
Është tashmë viti i katërt që organizohet në Shebenik aktiviteti “Kampi i yjeve, stargazing” ose “Shiu i Meteorëve”
Ky aktivitet organizohet nga Guida Lyto Alliu nga Shebenik Egnatia Explore. Aktiviteti ka në fokus rënien e meteorëve të cilët duken me sy të lirë.
Veçantia e këtyre kampeve është edhe shikimi i yjeve ose siç e quajnë, “Shi yjesh Persuid”. Në ItaIi këto netë njihen si “netët e San Lorencos”. Eshte një dukuri qe dallohet me sy të lire në datat 11,12,13 gusht. Kjo dukuri ndodh disa herë në vit por vera është periudha ideale.
Organizatorët disponojmnë kapacitet që mund të strehojë brenda një nate rreth 150 persona, teleskop për vëzhgime të detajuara. Turistët kur vijnë kanë mundësi te vëzhgojnë hënën dhe planete të tjerë dhe kjo është një risi në tregun shqiptar.
Lyto Alliu thotë se janë duke synuar blerjen e teleskopëve të rinj, shtimin e kapaciteteve pritëse dhe patjetër përmirësimin e shërbimeve te tjera.
Shiu i përvitshëm i meteorëve, Perseide, ndriçon qiejt nëpër botë, duke mahnitur ata që shpresonin të shijonin një grimcë të atyre që njihen edhe si “yjet që bien”. Fenomeni sjell deri në 100 meteorë në një orë ndërsa toka përplaset me mbetjet që ka lënë pas kometa “109P” . Ndërsa mbetjet godasin atmosferën e tokës, ato digjen duke rezultuar në fleshe të shndritshme që njihen si yje që bien, dhe mund të shihen me sy të lirë.
Spektakli natyror ndodh në kohë të ngjashme në korrik dhe gusht të çdo viti ndërsa kulmi është në gjysmën e parë të gushtit. Meteorët, që mund të jenë të vegjël sa një kokërr rëre ose të mëdhenj sa një bizele, godasin atmosferën e tokës me shpejtësinë e 215 mijë kilometrave në orë. Mbetjet që përvëlohen në atmosferë, nuk përbëjnë asnjë rrezik për njerëzit në tokë. Ky konsiderohet një nga eventet më të mirë astronomikë pasi prodhon meteorë të shndritshëm dhe është një nga më aktivët. Fenomeni, quhet shiu i meteorëve Perseidë, pasi meteorët duket se e kanë origjinën nga yjësia e Perseut, që ka marrë emrin e një figure të mitologjisë greke.
Shpesh na pyesin pse në Shebenik? – thotë Lyto Alliu. Sepse për të parë këtë dukuri, duhet të jeni larg dritave, qiejt të erret, të pastër dhe Shebeniku është në një pozicion të favorshëm në hartën astronomike, gjë që ndihmon që të shikohet rënia me sy të lirë.
Kujtjoj vitin e pare të organizuar, kur kemi patur rreth 50 turistë vendas dhe të huaj. Ndërsa këtë vit numri ishte mbi 600 turiste në katër netë te ndryshme, vendas nga zona e Parkut, shqiptarë dhe të huaj.
Këtë vit gjithashtu kishim një bashkëpunim me Europe House me një natë të dedikuar vetëm për grupin e tyre. Ata u njohën me historine e zonës, kulturën, traditën, provuan ushqime tradicionale lokale dhe natyrisht shijuan vëzhgimet me teleskop.
Ka shumë njerëz që lodhen në përditshmërinë e tyre dhe kërkojnë të bëjnë diçka ndryshe. Ata do të jenë përfitues duke u çlodhur dhe duke mësuar gjëra të reja, rreth parkut, vëzhgime yjesh, kuriozitete mbi astronominë etj. Përfitues gjithashtu kanë qenë edhe banorët e fshatrave të zonës, të cilët ndodhen brenda parkut, duke qenë se një vakt ushqimor sugjerohet të konsumohet në lokale të zonës ose në shtëpitë e tyre. Kjo gjë nxit punësimin edhe bashkëpunimin me ta, duke e gjallëruar mjedisin rural, i cili po vuan rëndë pasojat e emigrimit.