South Outdoor Festival, tashmë është një brand!

April 26, 2022 || views

U deshën vetëm pesë vjet që një festival aktivitetesh në natyrë, të kthehej në një markë të padiskutueshme dhe të bëhej pjesë e kalendareve ndërkombëtare të turizmit të eventeve.

Po. Tashmë turistë të huaj nga e gjithë bota, i planifikojnë pushimet e tyre, bazuar në kalendarin e SOF Albania.

I nisur në Pilur, si vazhdë e natyrshme e përpjekjeve shumëvjeçare të GIZ Albania për zhvillimin e zonave rurale,  i vazhduar në Vuno, me dëshirën dhe qëllimin për njohjen e gjerë të fshatrave të Jugut, South Outdoor Festival ka gjetur hapësirën e nevojshme për zhvillim në Borsh si qendra e festës, për t`u shtrirë në të gjithë Jugun me ture e aktivitete përgjatë pesë ditëve të zhvillimit të tij. Një festival krejtësisht i veçantë në llojin e tij që dalngadalë gjeti shtratin për t`u kthyer në “brand” të padiskutueshëm, falë të cilit po njihen një sërë fshatrash krejtësisht të pazbuluar të jugut të Shqipërisë por mbi të gjitha po e shkruan e emrin e saj në kalendarët ndërkombëtarë.

 

Gjetja e formulës së suksesit, për të bërë bashkë qindra mijëra të rinj, që për pesë ditë i bien Jugut cep më cep me sporte aventure, ture kulturore, aktivitete në natyrë, sporte ujore, njohje të traditave të zonës përmes përvojave kulinare dhe tradicionale e në fund mblidhen në sheshin e madh të festës, mes ullinjve të Borshit, për ta mbyllur mbrëmjen me muzikën më të mirë të momentit ose e dhe për ta zbardhur natën, e ka vënë festivalin në vendin e parë të listës së zgjedhjeve përsa i përket turizmit të eventeve.

Një festival që ka vend për të gjithë, fëmijët, familjet, prindërit por që padyshim kënaq plotësisht të rinjtë, SOF ka përqafuar edhe teknologjinë, duke e “automatizuar” përmbajtjen e tij qysh nga ofrimi i informacionit përmes grafikave të gëzueshme, sistemit të shitjes së biletave online dhe me qershinë mbi tortë, byzylykët elektronikë me të cilët optimizon shërbimet gjatë pesë ditëve të festivalit.

South Outdoor Festival 2021, në ballinën e Travel Magazine

Ashtu siç është i lidhur organikisht me natyrën dhe miqësor me mjedisin, çka e tregon përmes përdorimit të bazës materiale të riciklueshme, sivjet festivalit do t`i bashkohen edhe tridhjetë të rinj vullnetarë, që do të mbledhin mbetjet përgjatë ditëve të zhvillimit të tij.

Jugu i Shqipërisë do të përjetojë pesë ditë plot adrenalinë, muzikë, kulinari, traditë, shije të pakrahasueshme produktesh vendase, aromë limoni e ulliri, tinguj të zjarrtë muzike, miq e shokë pranë zjarrit, forume konstruktive, fëmijë të lumtur, hotele me miliona yje, ture në natyrë, zhytje thellë në kaltërsitë e Jonit e çnuk tjetër. Ngjarje e aktivitete që South Outdoor Festival i ka krijuar të gjitha vetë, në këto pesë vjet e për të cilat ka të gjithë të drejtën të krenohet.

Po ti, a e ke blerë biletën tende për në SOF?

Nese ende jo, nxito! Ke edhe dy ditë kohë!