South Outdoor Festival 2017, mënyra më e mirë se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri

August 6, 2019 || views

South Outdoor Festival 2017, mënyra më e mirë se si mund të zhvillohet turizmi në Shqipëri

Që Shqipëria është e mbushur nga Veriu e deri në Jug me bukuri të pashoqe, në daç natyrore, në daç kulturore, në daç historike, këtë tashmë nuk ka njeri që nuk e di. Që jo vetëm nga krahina në krahinë por edhe nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat, traditat, zakonet e ushqimet janë aq të larmishme  sa të lenë pa fjalë, edhe këtë bësoj se e dinë të gjithë ata që pëlqejnë të udhëtojnë e të përjetojnë përvoja të reja. Por që t`i ofrosh të gjitha këto në një festival të vetëm, si një ansambël ngjyrash, formash, ndjesish, përvojash, aventurash, ngjarjesh, aktivitetesh, festash e shijesh, kjo ndodhi vetëm me South Outdoor Festival “Pilur 2017”, Një festë e stërmadhe turistike për të cilën Bashkëpunimi Teknik Gjerman Giz punoi  më tepër se gjashtë muaj.
“South Outdoor Festivali” uli të hënën në mbrëmje siparin e tri ditëve magjike, ku më shumë se 1000 pjesëmarrës shijuan aventurën dhe bukuritë natyrore të Pilurit, përmes sporteve të natyrës. Pjesë e këtyre aktiviteteve u bënë edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi si dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të cilët diskutuan në një forum me më shumë se 20 gazetarë mbi problematikat e kësaj zone dhe mundësitë për përmirësim.
Asnjëherë më parë Piluri nuk kishte parë kaq shumë mysafirë të pushtonin rrugët e fshatit, asnjëherë Pllaja e Vanovës nuk ishte populluar me kaq shumë njerëz, mysafirët e saj të përhershëm ishin vetëm tufat e dhenve e barinjtë, admiruesit e pakët të ansamblit të mrekullueshëm të luleve pranverore që kishin përmbytur lëndinat.
Tri ditë festë si asnjëherë, ku pavarësisht  se për gjithçka të shijshme e të ngrënshme u kujdes Shef Sokol Prenga, aty hahej e pihej fshatçe. Tri di ditë e net, muzikë labe, valle popullore por edhe muzikë moderne për të kënaqur të rinjtë e shumtë që ishin dyndur nga Tirana. Aventurë e vërtetë ku do të flihej me çadra, sepse ndonëse banorët e Pilurit i kishin hapur dyert kanat, ato ishin shumë pak për të pritur lumin e miqve. Kjo buqetë e bukur aktivitetesh, Trekking, hiking, mountain bike, scuba diving, jeep safari, kayak, stand up paddle, paragliding; ishin vetëm disa nga disiplinat ku qytetarë të grupmoshave të ndryshme – të ardhur nga i gjithë vendi, por edhe turistë nga jashtë – eksploruan në terrenin e virgjër të atij që njihet si ballkoni i rivierës shqiptare dhe në zonat përreth. Isopolifonia, muzika live, gatimet tradicionale, panairi i artizanatit e aktivitetet për fëmijë ishin disa nga atraksionet e tjera turistike që “South Outdoor Festival” ofroi për të gjithë të pranishmit. Ture të gjata u përshkuan në këmbë, nga Piluri deri në Vlorë, përmes maleve, me makina off-road përmes rrugëve pa rrugë, nëndeti e mbideti takuan miqtë e shumë të ujit më sporte të shumta ujore, por edhe ajri frushulliu  nga fluturuesit dhe ëndërrimtarët e sporteve të fluturimit…
Është kjo mënyra se si Shqipëria duhet ta ofrojë turizmin e saj. Burimet e saj të shumta natyrore, kulturore, historike e gastronomike duhen shfrytëzuar plotësisht që të japin rezultat. Jugu është një krahinë e përkryer për ta shfrytëzuar këtë potencial dhe Giz e ka kuptuar shumë mirë këtë. Prandaj projekti “South Outdoor Festival” premton të kthehet vitin e ardhshëm në një tjetër destinacion, me të tjera aventura për t’u zbuluar…