SOT ASHT DITA E TOKËS

April 22, 2020 || views

Nga Ilir Seci

Sot asht data 22 Prill – Dita Nderkombetare e Tokës… Ba me ndejtë ndrejtë e me folë si asht, Ditë e Tokës duhet me kenë çdo ditë e lume që fal i madhi Zot. Çdo ditë e lume të cilën e çilë Dielli, çdo dite që e pershendet Ylli i Aferditës, çdo ditë ne te cilën shkumët e valeve te detit puthin bregun, çdo ditë në të cilën bulëzat e vesës së mjesit vijnë e mblidhen në skaj të petaleve të luleve dhe mbasadej bien përdhe si ajo djersa e ballit të Bujkut që lëvron arën… Çdo ditë kur brazda e tokës së çilun prej plugut qet avullin me amën e dheut te njomë, çdo ditë kur lulet kokërrdhoke ndjekin hap mbas hapi borën që arratiset në shkrimje…

Çdo ditë në të cilën Bjeshka e lume gazmohet per stinët dhe stolis gjoksin me Zambakët e Alpeve…Zambakun e kuq si gjaki, Zambakun që çilë petalet si çilet buzeqeshja në ftyrën e nji kërthie, zambakun që lulëzon përmbi Bunin e Jezercës, rrazë Majës së Jezercës…
Sa vera të bekueme e kam pa këtë Zambak të kuq të Bjeshkeve të Nemuna…si mund harrohet shendi e gazmendi që ngjallte ne shpirt pamja e kesaj lulje maje shkrepave, me ngjyrat që shkelzenin të dhezta flakë, si munden me u dhezë vetëm atje, aq nelt, maje Bjeshke ku verojnë Zanat e Orët e Maleve…

Sot asht Dita e Tokës…
Sa here permendet kjo Dite mue më kujtohen ato vera në Bjeshke kur si fëmi u rreksha me u gjetë përgjegjie hamendjeve të mia…çka asht kjo bukuri e nga vjen. Atëherë si fëmije une mendojshe se tanë ate bukuri e kena dhuratë nga prindët tanë që e kishin ba gati per ne…Sot qe jam ba vetë prind e gjysh, mendoj ndryshe…Sot mendoj se tane këtë bukuri ia kena marrë hua fëmijeve tanë, nipave e mbesave tona…që duhet me e ruejte fort e me ua dhanë pa damtueme kur ti vijë rendi…
Sot asht Dita e Tokës…