Sllanica, skela e panjohur e lumit Vjosa

April 11, 2020 || views

Nga Ilirjan Gjika

Dokumentat mesjetare na dëshmojnë se pranë Spinaricës ndodhej edhe një tjetër skelë lumore, Sllanica. Te botimi ‘’Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia’’ gjejmë një dokument raguzian të datës 15 nëntor 1297 (Ragusini mercatores conqueruntur de iniuria a hominibus Matarangi in loco Slaniza illata) 1, ku dëshmohet se një anije e ngarkuar me mall u detyrua të qëndrojë në Slanicë pranë Spinaricës.
Po kështu edhe në volumin e dytë të këtij botimi, autorët, na sjellin edhe një tjetër dokument që flet për Sllanicën. Dokumenti raguzian që mban datën 15 nëntor 1402 flet për një lundrim nga Dyrrësi për në Slanicë dhe Vlorë (De navigatione Dyrrhachium, ad locum Slanizae, Valonam agitur)2. Te i njëjti libër por vëllimi i parë, pikërisht në faqet e fundit gjendet edhe një hartë të kompozuar nga Milan Shuflai dhe e titulluar ‘’Albania Medievalis’’, ku me emrin Sllanica ndeshim zonën bregdetare midis lumenjve Seman dhe Vjosë3.

Ndërkohë që historia na jep vetëm këto dëshmi, Sllanica, ndeshet sot në të njëjtin zonë me emrin Sllanik. Pikërisht në këtë vend që ndodhet në Jug-Perëndim të Fierit në fshatin Boçovë, kohët e fundit janë zhvilluar midis të tjerave edhe disa kërkime arkeologjike në terren.
Ekspedita arkeologjike e organizuar në kuadrin e ‘’Projektit Via Egnatia’’ në vitet 2003-2005, duke kërkuar në terren gjurmët e degës jugore të rrugës Egnatia, gjeti në fshatin Poro të Fierit disa të dhëna. ‘’Për rrugën e vjetër drejt Apolonisë banorët dhanë këto vendkalime Poro-Fikth-Sllanik (lumi i vdekur)-Shënepremte-Sop-Pojan’’, shkruajnë në këtë rast autorët e këtij kërkimi4.
Ndërsa gjatë viteve 2013-2015, ekspedita që kreu kërkime arkeologjike në disa zona përfshirë edhe këtë pjesë të Myzeqesë, shkruante në shkrimin e saj studimor se: ‘’Në kërkim të skelave grykëlumore të Spinaricës dhe Sllanicës ende të paidentifikuara, fillimisht mësuam se në fshatin Boçovë ruhet toponimi Sllanik’’5.

Pikërisht këtu arkeologët gjetën edhe disa rrënoja për të cilat me të drejtë ngrihen disa pyetje. Çfarë ka qenë Sllanica? Një nga degët e Vjosës apo shtrati i lumit ka kaluar aty në një periudhë të caktuar kohore. A ndodhej në këtë vend një tjetër skelë mesjetare? Ç’lidhje kishte ajo me Spinaricën dhe me prapatokën rreth saj? Por në një stad të tillë ku të dhënat dokumentare dhe gjurmët në terren janë të pakta është i vështirë ndërtimi i një historiku rreth saj.
Gjithsesi një nga faktet ku duhet mbështetur fort është vëshgimi në terren që bëri ekspedita e fundit arkeologjike. Kështu, te i njëjti artikull autorët e ekspeditës arkeologjike në vitet 2013-2015, theksojnë se: ‘’Përveç toponimit Sllanik që përdoret nga banorët për të emërtuar një nga meandret e lumit të vjetër, aty gjenden edhe rrënoja muresh që duket se i përkasin një lagjeje që ka shërbyer edhe si skelë, që mund të identifikohet me skelën lumore të Sllanicës’’6.
Por le ti kthehemi dokumentave. Sipas dëshmive të tyre, Sllanica, funksionoi si skelë në vitet 1297-1402. Ndërkohë që ajo përmendet edhe shumë kohë më vonë në hartat e ndryshme europiane.
Kështu, në një hartë të vitit 1700 vepër e hartografit francez Hubert Jaillot, të titulluar ‘’Estats de l’Empire des Turqs en Europe’’, në pjesën perëndimore të Shqipërisë (Albanie) gjendet edhe lumi i quajtur Salnich7.
I vendosur midis Spinarisës (Spinarza) në veri dhe Vlorës (la Valona) në jug nga vëzhgimi i thjeshtë i hartës duket qartë se ai korrespondon me lumin Vjosa, te i cili dallohet qartë jo vetëm lugina ku kalon por edhe degët e tij.
Po kështu edhe në hartën e tyre të vitit 1700, të titulluar ”Graeciae et Archipelago, Divisus in Singulares Regiones Macedoniae, Albaniae, Epiri, Thessaliae, Achaiae, et Moreae, quibus accedunt Insulae Candia, Corcyra, Cephalonia, Zacyntho, Stalimine, Metelino, Chius”, autorët Gerard dhe Leonard Valk, paraqesin në bregdetin e Shqipërisë (Albania) edhe lumin Salmich8. Edhe nga vëzhgimi i pjesës së bregdetit të këtij rajoni në pjesën J-P, duket qartë se lumi i emërtuar me emrin Salmich nuk është gjë tjetër veçse Vjosa që ndodhet midis Spinaricës (Spinarz) në veri dhe Vlorës (Valona) në jug.

Nga analiza e këtyre hartave vihet re se lumit Salmich nuk është gjë tjetër veçse Sllanica e dokumenteve raguziane. Ndërsa e paraqitur qartë në veri të këtij lumi është vendosur Spinarica (Spinarza, Spinarz) e cila është paraqitur në formën e një qendre të banuar.
Kështu duket se të dyja skelat që ndodhen pranë e pranë kanë vepruar pothuajse në të njëjtën kohë. Por këtu ka një kontraditë midis të dhënave që na japin dokumentet raguziane dhe dëshmive të hartave të mësipërme. Sipas dokumentit të dytë raguzian thuhet se ‘’për këtë lum, Slanic…nuk mund të hynin varkat’’, pra nuk ishte i lundrueshëm dhe detarët duhet të përdornin Vlorën për ankorim9.
Duke u bazuar te dokumentet të cilat janë më të besueshme se janë formuluar nga njerëz që i kanë prekur këto vende del se lumi i Sllanikut mund të ketë qenë një prej shtrateve të braktisur të Vjosës i cili në atë periudhë, (dokumentat mbajnë për koiçidencë të dy datën 15 nëntor) mbushej me ujërat e shirave të vjeshtës dhe bëhej i lundrueshëm.
Në ditët e sotme në të dy anët e shtratit të lumit Vjosa dallohen qartë meandrat e dikurshëm të Vjosës që në gjuhën e popullit quhen me emrin ‘’lumi i vdekur’’. Këto pjesë shtrati gjatë dimrit mbushen me ujë dhe shërbejnë si habitate për shumë specie të ndryshme.
Gjithsesi problemi i Sllanicës pavarësisht të dhënave të pakta duket i mbyllur. Ruajtja e e tij në termin Sllanik, në shtratin e vjetër të Vjosës (lumi i vdekur), provat arkeologjike të gjetura në terren dhe të dhënat nga hartat europiane janë fakte të rëndësishme të identifikimit të saj. Ndërkohë që ky lokalizim na çon në mënyrë të pashmangshme në një tjetër pohim. Prania e tij është prova më e fortë se Spinarica nuk ndodhej në Zvërnec të Vlorës por në zonën e Myzeqesë së Fierit. Kështu arkeologët duhet ta kërkojnë atë në veri të Sllanikut aty ku gjurmët e dikurshme të Vjosës i afrohen bregut të Adriatikut.

Literatura:
1-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol I, A. Holzhausen, Vindobonae MCMXIII, 528, gallica,bnf.fr>ark.
2-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol II, A. Holzhausen,Vindobonae MCMXVIII, 711, gallica,bnf.fr>ark.
3-L. De Thalloczy-C. Jirecek-E. De. Sufflay, Acta et Diplomata res Albaniae Meidae Aetatis Illustrantia, Vol I, A. Holzhausen, Vindobonae MCMXIII, Albania Medievalis, gallica,bnf.fr>ark.
4-Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 315.
5-S. Xhyheri-S. Muçaj-A. Pentkovskiy-I. Ristani, Kërkime arkeologjike në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Myzeqesë dhe Korçës, Kandavia, 6, Tiranë 2016, f. 309.
6-Po aty, f. 309.
7- Alexis Hubert Jaillot, ‘’Estats de l’Empire des Turqs en Europe’’, Paris 1700, David Rumsey Historical Map Collection.
8-Gerard & Leonard Valk , ”Graeciae et Archipelago, Divisus in Singulares Regiones Macedoniae, Albaniae, Epiri, Thessaliae, Achaiae, et Moreae, quibus accedunt Insulae Candia, Corcyra, Cephalonia, Zacyntho, Stalimine, Metelino, Chius”, Amsterdam 1700, Barry Lawrence Ruderman Antique Maps In.
9-Acta Albaniae, II, 711.