Siguria e siteve të Trashëgimisë Kulturore dhe objekteve të saj mijëravjeçare në kohën e dixhitalizimit.
March 6, 2023 || views
Enkeleda Memisha, Grigorina Boce *
Ngjarjet e kohëve të fundit kanë vendosur në pikëpyetje besueshmërinë e shqiptarëve mbi politikat qeveritare lidhur me shumë cështje jo vetëm në aspektin politik por vecanërisht, në ruajtjen dhe sigurinë e historisë tonë dhe objekteve të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore Kombëtare.
A duhet të menaxhohet kjo trashëgimi nga shteti, dhe a ka kapacitet shteti shqiptar për sigurine e siteve te trashëgimisë tonë historiko-kulturore, apo do të funksionte më mirë nëse do t`u jepej me koncension fondacioneve të huaja apo më mirë bizneseve shqiptare?
Kjo mund të vlente si teori në rastin e trashëgimive të cilat janë jo të promovuara apo e kanë të pamundur të administrohen për shkak të vlerave të larta financiare që do të kërkonin.
Po në rastin e Butrintit???
Sipas të dhënave statistikore nga vetëm disa qindra vizitorë që kishte Butrinti në vitin 1998, numri i tyre arriti 211,500 persona në vitin 2018. Me normat aktuale të rritjes, përllogaritet se deri në vitin 2023, Butrintin do ta vizitojnë rreth 300,000 persona, shumica prej të cilëve (të paktën 60%) nuk do të jenë shqiptarë.
Për ta mbështetur këtë vlerësim, përmendim se gjatë periudhës 2013-2017 numri i vizitorëve të huaj në rajon u rrit me një mesatare vjetore prej 17%, ndërsa numri i vizitorëve vendas u rrit me ritme më të ngadalta.
Çmimi i biletës për të vizituar parkun është 10 mijë lekë (te vjetra). Të ardhurat vjetore nga shitja e biletave arrijnë në rreth disa milionë euro.
Shqipëria përfaqësohet tashmë në UNESCO me 8 (tetë) pasuri të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, ndër të cilët Butrinti ishte siti i pare që u pranua në vitin 1992 pas daljes së vendit nga diktatura. Edhe pse Shqipëria ishte pjesë e organizatës së UNESCO-s që në vitin 1958, deri në këtë vit nuk kishte pasur asnjë tentavivë për pranim.
Këtu nuk flasim vetëm për atë pjesë të trashëgimisë shqiptare e cila është edhe pjesë e trashëgimisë botërore, por për mijëra objekte dhe site të trashëgimisë sonë kuturore të cilat rrezikohen nga shkatërrimi, keqmenaxhimi, vjedhja apo edhe dukuri te tjera dëmtuese. Përfitimet që mund t`i vijnë shtetit shqiptar nga mirëmenaxhimi dhe promovimi i duhur i tyre, do t`i kalonin shifrat e disa miliona eurove, shumë kjo që mund të conte në një reduktim të theksuar të papunësisë, dhe rritje të investimeve në infrastrukturën e zonave ku këto site ndodhen.
Teknologjia e informacionit në ditët e sotme ofron mundësi të mëdha si në ruajtjen/ sigurinë e objekteve me vlera të mëdha trashëgimore edhe për njohjen dhe promovimin e këtyre objekteve në të gjithë botën.
Mekanizmi i teknologjisë së informacionit që përdoret sot, përbëhet nga një sistem shumë i përparuar për sigurimin e këtyre objekteve, çka është duke u aplikuar në shume vende dhe po vendoset si domosdoshmëri nga UNESCO-ja.
Duhet të theksohet se ky sistem teknologjish përdoret jo vetëm nga agjentët turistikë apo linjat ajrore individualisht, por nga të gjithë.
Për më tepër, përdorimi nga çdo segment i sistemit turistik të teknologjisë së informacionit, është i rëndësishëm për të gjitha pjesët e tjera.
Për shembull, sistemet e menaxhimit të brendshëm të siteve mund të lidhen me rrjetet kompjuterike të zonës së gjerë, të cilat nga ana e tyre ofrojnë bazën për komunikim me rrjetin e sigurimit.
Prandaj kemi të bëjmë me një sistem të integruar të teknologjisë së informacionit që po përhapet në të gjithe botën. Kjo trashëgimi duke u lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me turizmin dhe zhvillimin e tij, kërkon pajisje dixhitale të kohëve të fundit dhe personel të specializuar. Kjo jo vetëm për sigurinë e objekteve por edhe për aksesimin e tyre për të gjithe individët e interesuar. Industria e turizmit është aq e shumëanshme, saqë kërkon përdorimin e një shumëllojshmërie të gjerë të teknologjive të informacionit, duke filluar nga zhvillimi i softuerit të specializuar, sigurimi i automatizimit të punës së një kompanie, e deri në përdorimin e rrjeteve globale kompjuterike.
Turistët, nëpërmjet përdorimit të teknologjive të informacionit, arrijnë të marrin në kohë dhe me hollësi informacionin e nevojshëm për një destinacion turistik nëpërmjet faqeve të ndryshme dhe të shumta online.
Zgjidhja e këtyre problemeve është aplikimi i teknologjive të informacionit gjeografik për të paraqitur harta interaktive, me informacionin e nevojshëm dhe efektiv për turistët. Por nga ana tjetër, GIS gjen përdorim të gjerë dhe në
menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të një destinacioni turistik. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet interpolimit të të dhënave gjeohapësinore, ku evidentohen burimet turistike, infrastruktura pritëse turistike, kapaciteti mbajtës si dhe hartografimi i problemeve të ndryshme të cilat lidhen me qëndrueshmërinë e destinacionit turistik.
* Pedagoge “Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë”.