Si mund t’i shërbejë 100 vjetori i Pavarsisë turizmit shqiptar
August 6, 2019 || views
2012 nuk ka me qenë një vit elektoral, për aq kohë sa posti i presidentit të vendit shihet prej politikës si arritje personale që mundesh me e mbërritë brenda një salle me 140 karrige, e jo si përgjegjësi publike që duhet me e marrë shtëpi-më-shtëpi.
Deri këtu ky është një vit i mirë për turizmin.
Por gjëja më e mirë është se 2012 është 100 vjetori i Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Prandaj, si në të gjithë botën, edhe pse gjysma e njerëzve nuk i dashurojnë qeveritë, ata janë megjithatë të prirur t’i besojnë premtimit për një vit të madh festimesh.
E festat nuk bëhen pa mysafirë.
Është e sigurt se Shqipëria nuk do të organizojë 14 Juillet, Fourth of July, e meqë s’është rasti, as Carnaval do Rio. Megjithatë, duke dashur ta shohim këtë vit si një mundësi unike për turizmin, konstatojmë se deri tani nuk është hartuar e as publikuar kurrfarë kalendari festimesh, çka do të thotë se edhe kjo ngjarje është e ekspozuar ndaj spontanitetit.
Turizmi mund të jetë në këtë vit një nga organizatorët e mëdhenj dhe gjithashtu përfituesit e mëdhenj të festimeve. Kuptohet, nëse turizmi do të shihej me prioritetin që meriton. Do të ishte shumë e rendësishme joshja në festimet gjithëvjetore e turistëve të huaj, një pjesë e të cilëve mund të vijnë në Shqipëri me kuriozitetin e të zbuluarit të një vendi që ka ekzistuar si shtet jashtë dijes së tyre, tash 100 vjet. Kjo mbetet ndoshta pjesa më e vështirë e këtij marketingu ndërkombëtar që Shqipëria duhet t’i bëjë vetes në këtë 100-vjetor, sepse shqiptarët e shpërndarë nëpër botë do të mblidhen në këtë çerdhe edhe pa i thirrë kush. Kjo mbetet pjesë e vështirë edhe sepse, në mënyrë paradoksale, në një botë që planifikon gjithçka, Shqipëria ende nuk po e identifikon dhe as po e fton këtë përqindje të vogël të njerëzimit që t’i planifikojë pushimet e ardhshme në Shqipëri. Kjo është një punë që së pari duhet ta kishte nisur shteti nëpërmjet kapilarëve të vet në çdo vend të botës, e sigurisht, i ndjekur nga sektori privat i turizmit, që gjithashtu në mënyrë paradoksale i fton shqiptarët ta kalojnë nëpër botë Ditën e Flamurit!
Do të duhej pra, që nëpërmjet institucioneve të hartoheshin dhe të aplikoheshin strategji të tilla që të përfshinin sektorin privat të turizmit së pari në prezantimin e një oferte speciale për këtë vit festimesh në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu, i menjëhershëm duhet vetëdijsimi i turizmit mbi përvojat jo forttë ëmbla të viteve të shkuara, si loja me çmimet, me kulturën, cilësinë e sasinë e shërbimit etj.