Shtëpia e Miqve, një vend që na tregon Pogradecin e vërtetë
December 29, 2020 || views
Të gjesh Lasgushin, Mitrushin, Pogradecin e vjetër, kulturën, artin, librin, artizanatin, madje ashtu siç e do autenticiteti, edhe pijen e shtëpisë, në një vend të vetëm, në një rrugë që mund të ishte qendra historike e qytetit, do të thotë që të kesh në pëllëmbë të dorës një pasqyrë se si mund të kishte qenë oferta autentike e një qyteti si Pogradeci.
…
Imagjinoni për një çast sikur dikush t`ju çojë me sytë të mbyllur diku në një vend të caktuar. Pastaj, kur të jeni brenda atij vendi, të hapni sytë. Dhe sapo t`i hapni, filloni të shquani sendet e para. Një bibliotekë e madhe me libra. Ndjenjëse të vogla e të rehatshme në formë kolltuqesh, rrethuar metavolina bërë me copa trungjesh, foto të kohëve të vjetra nëpër mure, dritaret me dantella…
Qenkam në një shtëpi, thua me vete. Posi, ja edhe një maçok që përqallet mbi kolltukun e butë pranë dritares. Pastaj vështrimi bie mbi një banak të madh të bukur, një ndarëse prej hekuri të rrahur e bën më të këndshme atmosferën e pak më tutje, ku biblioteka vazhdon, nga raftet e saj të vështrojnë fytyra njerëzish të njohur… Teto Ollga, Meli, Xha Bakoja, (personazhet e “Zonja nga Qyteti”, Sandër Prosi, Ndriçim Xhepa, Robert Ndernika…. Afrohesh dhe shikon librat. Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci…
Atëhere e kupton. Qenkam në Pogradec. Po është një lokal apo shtëpi?
Është edhe lokal edhe shtëpi. Quhet Shtëpia e Miqve. Dhe nëse ti e kuptove se je në Pogradec, dhe t`u duk si shtëpi, do të thotë se e zonja që e ka krijuar këtë mjedis të këndshëm ia ka arritur qëllimit që ka pasur. Është shtëpia e Diana Miles, shtëpia e prindërve të saj, pjesën e poshtme të të cilës ajo e ktheu në kafe-galeri këtu e rreth 15 vjet më parë, me qëllim që t`u ofronte turistëve një pjesëz të Pogradecit, ashtu siç ka qenë dikur, kur ishte dyqani i gjyshit të saj, duke ruajtur sa më shumë nga gjërat e vjetra si fotot, kartolinat, sendet e përdorimt të përditshëm dhe gjithçka tjetër që të kujtonte kohën e shkuar, madje edhe fasadën e dyqanit të dikurshëm, të paprekur,
Kur e takuam Dianën në Tiranë, aq me dashuri na e shpjegoi të gjithë këtë, saqë jo vetëm u bëmë kureshtarë por vendosëm që në udhëtimin e radhës për në Pogradec ta vizitonim patjetër.
Ishte ashtu siç e kishte përshkruar ajo. Madje shumë më bukur. Nuk na priti vetëm Diana por edhe Spajki (maçoku), kruspullosur përgjumshëm mbi kolltuk.
Dhe e dini si i pret miqtë Diana? Me një pije të veçantë, një prej gjërave më të mira që ka trashëguar nga babai i saj, profesori i njohur i fizikës Thoma Mile. Pija e Thomos e ka quajtur. Është një pije alkoolike që i ati e përgatiste në mënyrë artizanale, sipas një formule të veçantë e që sigurisht Diana e zbaton sot duke i qëndruar besnike.
Pija e Thomos, për të cilën sot turistët vijnë nga ana e anës për ta provuar, e madje e marrin edhe me vete tani, ishte e mrekullueshme. Me shegë e provuam ne por ka plot shije të tjera. Është emblema e “Shtëpisë”. Tani që të gjithë duan ta marrin me vete, Diana e ka “ambalazhuar” në shishka të vogla, me etiketa artizanale, në formë suveniri për t`ua dhuruar miqve, që nuk vijnë dot këtu.
Sa gjëra të vogla e të dashura gjen këtu! Pa fund. Për shembull teksa je duke pirë kafen, mund të shkëpusësh një fletë libri, prej atyre që Diana i ka “nderë” me kapëse rrobash mbi një tel tek xhami i dritares, që të mos lodhesh të shfletosh librin. Mund të jetë një poezi e Lasgushit, një copëz tregimi e Mitrushit, një paragraf romani… që ta bën magjike shijen e kafes apo të pijes.
Ose, mund të hapësh albumet e vjetra, ku Pogradeci i dikurshëm shpërfaqet në forma nga më të ndryshmet, që nga kartolinat e kohës së komunizmit, e deri tek fotot bardhë e zi, realizuar në kohë të ndryshme. Disa prej faqeve kishin vende bosh. I marrin njerëzit, shpjegon Diana. U pëlqejnë siç duket ose gjejnë ndonjë element që u kujton diçka dhe i marrin. Unë nuk mërzitem, i zëvendësoj. Atë kam dashur në fakt kur e kam krijuar këtë vend, që çdokush të gjejë veten ose një pjesë të së shkuarës që për fat të keq po humbet dalngadalë.
Është thuajse e pamundur të gjesh sot vende ose objekte që të kujtojnë Pogradecin e Vjetër. Ja, ka mbetur kjo rrugë, “Naim Frashëri” ku ndodhet shtëpia ime dhe ndonjë shtëpi aty-këtu nëpër qytet. Por edhe kjo nuk është më ashtu siç ka qenë dikur, kur amvisat si nëna ime zbukuronin sofatet me lule, kur nuk kishte makina që të kalonin në rrugicë e në vend të erës së rëndë të karburantit, ndjehej aroma e trëndafilave. Unë do të kontribuoja me qejf që kjo rrugë të kthehej e bukur, siç ka qenë dikur, me kalldrëm, me fasada të kuruara, me lule jashtë shtëpive, e ndonjë prekje aty-këtu për ta bërë më tërheqëse. Dhe të ishte vetëm rrugë këmbësore. Me dyqane suveniresh, lokale të vogla me aromë kafeje e frutash të freskëta. Kjo do ta bënte edhe qendrën e Pogradecit si Tushemishti sot.
Ju të gjithë sot keni qenë së paku një herë besoj në Tushemisht vitet e fundit. Sepse qysh kur në sheshin e fshatit u rikthye Teto Ollga, personazhi i famshëm i serialeve të viteve `80, “Zonja nga Qyteti” dhe “Një shoqe nga fshati” , “Marena” rigjallërua aq shumë sa nisi të konkuronte edhe vetë Pogradecin. Ndoshta pak nga ju e dinë që ideja e risjelljes së “Teto Ollgës” në Tushemisht dhe rikonstruksioni i gjithë sheshit, ishte puna e Dianës, e cila bashkë me artistin korçar Vasi Kolevica, që krijoi statujën e Teto Ollgës, i dhanë fshatit identitet e për rrjedhojë, edhe turistë. Sepse Diana në profesion është arkitetkte mjedisi. Prandaj dhe ka dëshirën e madhe që rrugën e shtëpisë së saj ta kthejë në një vepër arti, ku turistët të ndjehen as më pak e as më shumë po si në çdo rrugë tjetër të një qyteti ballkanik me identitet. Prandaj dhe në Shtëpinë e Miqëve ka aq shumë elemntë identitarë që mbajnë aromë Pogradeci e janë kombinuar me shije aq të hollë.
Ajo e dashuron punën e saj dhe mjedisin. Këtë e pamë edhe tek tre apartamentet që ka kthyer së fundmi në shtëpi pritëse diku përballë liqenit, rrugës për Drilon dhe që i ka quajtur “Sun Moon Ohrid Lake” . Tri struktura, sa të thjeshta, aq edhe funksionale dhe elegante, me stil “minimalist” po ku asgjë e nevojshme nuk mungon e që shpërfaq artin e së bukurës përmes racionalitetit dhe mosshpërdorimit. Perfekte na u dukën neve, me një natë qëndrimi aty.
Dhe prekjen e fundit elegante të “veprave” të Dianës do ta shijonim mëngjesin e nesërm, kur pranë dritares së veshur me avull nga freskia e Pogradecit, do të provonim mëngjesin e “Shtëpisë”. Gjalpë, reçelra, fruta të stinës, sanduiçë të vegjël me shije, çaj mali ose kafe, me filxhanët e personalizuar që miqtë e shumtë i kanë sjellë për ta bërë atmosferën më të bukur… ah çfarë dashurie!
Ky vend është një magji e vërtetë.
Të gjesh Lasgushin, Mitrushin, Pogradecin e vjetër, kulturën, artin, librin, artizanatin, madje ashtu siç e do autenticiteti, edhe pijen e lokalit, në një vend të vetëm, në një rrugë që mund të ishte qendra historike e qytetit, do të thotë që të kesh në pëllëmbë të dorës një pasqyrë se si mund të kishte qenë oferta autentike e një qyteti si Pogradeci.
Po të kishte patur një kryetare bashkie si Diana.