Shtegu i Çezarit, një rikthim në rrugën e legjionarëve romakë dhe një destinacion i lakmueshëm turistik

October 3, 2023 || views

Ilirjan Gjika 

Historian, studiues

 

Dikur, në ato vite të largëta askujt prej legjionarëve romakë, bile as vetë Çezarit që zbarkoi në ‘’Rrugët e Bardha’’ apo bregun e Palasës, nuk do t`i shkonte ndër mend se ky itinerar do të bëhej një ditë një atraksion turistik. Gjithsesi një gjë e tillë ndodhi dhe sot janë me dhjetëra turistë shqiptarë dhë të huaj që e provojnë këtë aventurë në të katër stinët e vitit. Këtu në këtë cep të Shqipërisë jugperëndimore, gjithçka nis me natyrën e bukur por të ashpër, ku kombinohet bregdeti abraziv detar, mali me shpate të thepisura, shtigjet këmbësore të kalimit, natyra e harlisur, laguna dhe ligatinat bregdetare. Me hapësirë që mund të përshkohet brenda ditës, ku dielli, retë, mjegulla apo pylli, mund të bëjnë të ngatërrosh jo vetëm stinën por edhe sensin orar. Gjithçka nis në fund të gadishullit të Karaburunit, aty ku vija e tij bashkohet me atë të Rivierës Shqiptare dhe ku dallgët e detit përplasen fort me përroin e Palasës. E ndërsa lart ngrihet mali i Çikës dhe Qafa e Llogorasë, ku dikur inxhinierët e xhenios së ushrisë italiane projektuan një nga rrugëkalimet më të vështira malore të Shqipërisë, poshtë bluja e detit nuk ka fund, duke u shkrirë e me atë të qiellit dhe duke i bërë tragetet e linjës të duket sikur lundrojnë në qiell.

 

Ekologjia Urbane e Shqipërisë së sotme qenka vërtet e mahnitshme. Njeriu ndërhyn jo vetëm për ta transformuar natyrën në një peisazh urban por edhe e lidh atë me të kaluarën historike. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Balfin Group me rijetëzimin e kësaj pjese të historisë përmes ofrimit të një shtegu turistik.

Dikur këtu u ndal Çezari ndërsa sot nëpërmjet detit mund të arrish në Green Coast. Edhe atëhere nuk kishte port apo ndonjë liman ankorimi por kjo nuk e pengoi zotëruesin e Romës të zbarkonte këtu. Ishte 5 janari i vitit 48 PK, kur në krye të 42 000 legjionarëve të sprovuar ai zbarkoi në Paleste. Kështu quhej atëherë Palasa, porta hyrëse e Bregdetit. Zbarkimi u krye me shpejtësi në kushtet e ndonjë sulmi të mundshëm të flotës së Pompeit që kontrollonte Kanalin e Otrantos. Operacioni përfundoi me shpejtësi dhe trupat nisën të ngjsin shpatin fundor të malit të Rrëzës së Kanalit për të vijuar më pas në afërsi të Llogorasë. Edhe sot ky shteg quhet rruga e Çezarit. Është një rrugë malore që kërkon pak ‘’trajnim sportiv’’ për gjithkënd. Rruga ka pjerrësi dhe ‘’sëmundja e malit’’ apo trysnia atmosferike mbi mushkritë e bën të vetën. Gjithsesi gjithçka është e arritshme ndërkohë që godinat e bukura të Green Coast të shërbejnë për të mos e ngatërruar drejtimin. Biles ka nga ata që kanë guximin ta ngjisin edhe në mbrëmje për të ndjerë adrenalinën e shpirtit ushtarak që u fle në vena.

 

Por le t`i rikthehemi në një moment historisë. Qafa e Çezarit ishte ndalesa e radhës së legjionarëve romakë. Ajo sot ndodhet pranë Qafës së Llogarosasë, pjesë e parkut kombëtar me të njëjtin emër, që shtrihet në lartësitë 500 – 1100 m. Brenda tij, buzë rrugës ndodhet edhe një monument natyre shumë i veçantë. Ajo është Pisha Flamur, e quajtur kështu nga forma e degëve të përpunuara nga erërat e Jonit. Natyra ka bërë që trungu dhe degët t`i ngjajnë valëvitjes së flamurit. Pikërisht këtu në pikën e njohur turistike edhe për hotelet dhe lokalet aq të familjarizuara për udhëtarët dhe turistët e fundjavës, mbaron edhe marshimi i sforcuar. Tashmë Lugina e Dukatit përveç rrugës gjarpërushe në zbritje, të ofron edhe peisazhin çlodhës mes dy shpateve të maleve të Lungarës në krahun e djathtë dhe Rrëzës së Kanalit majtas, ku vijon edhe shtegu malor.

 

Pikërisht këtu ritmi bëhet më i shpejtë ashtu si edhe siguria vetjake. Nuk është pak për të ngjitur shtegun e Çezarit. Është një trajnim i ngjashëm me ato që repartet speciale të ushtrive të sotme e bëjnë çdo ditë.
E ndërsa nisim dhe zbresim Llogoranë futemi pa e kuptuar në një tjetër territor, atë të Parkut Kombëtar ‘’Karaburun-Sazan’’, i cili përveç natyrës unike, ofron edhe një trashëgimi kulturore dhe historike të jashtëzakoshme. Duke kaluar Dukatin e Ri, përpara të shfaqet mbi majën e një kodrine të vetmuar kisha e Marmiroit, një objekt i veçantë që gëzon statusin e monumentit të kulturës. E veçuar dhe larg qendrave të banuara, Kisha e Marmiroit ose ‘’Kisha e Mermertë’’ siç quhet, dëshmon traditën e dikurshme mesjetare të këtij rajoni, ndërtuar në shek. XII-XIII. Pas saj, në kodrën e Paleokastrës shfaqen rrënojat e qytetit antik dhe mesjetar të Orikut, ku u ndal edhe marshimi i përshpejtuar i Çezarit. Të gjithë këtë intinerar strategu-shkrimtar e ka përshkruar aq bukur në librin e tij, ‘’Lufta Civile’’, duke na lënë njëkohësisht edhe këtë trashëgimni historike.

 

Këtu ndalet edhe udhëtimi ynë pa harruar edhe kalimin gjatësor të Lagunës së Orikumit, gjirit të dikurshëm detar, të cilin, besnikët e Pompeit e mbyllën duke mbytur anijet e luftës. Një udhëtim i jashtëzakonshëm prej prej 34 km, që nis nga Greean Coast në Palasë, për të vijuar në Qafën e Llogarasasë, Luginën e Dukatit dhe për të përfunduar në Orikum.
E ndërsa sot, 14 km të itinerarit Palasë – Qafa e Cezarit janë të përcaktuara sipas standarteve të shtigjeve malore, me sinjalistikën, kufizimet dhe pjesë të shtruara me kalldrëm. Tashmë sfida mbetet për pjesën e mbetur nga Llogaraja drej Orikut antik. Këtu rruga mund të marrë disa drejtime apo degëzime të mundshme të cilat mund të lidhen me destinaciomet e kërkuara. Gjithsesi gjithçka po shkon drejt konkretizimit. Në të ardhmen e afërt gjithçka do të jetë e prekshme dhe e realizueshme e cila do të ketë një piknisje: Greean Coast.

Shiko më shumë për Shtegun e Cezarit në faqen e Green Coast Resort

 

View this post on Instagram

 

A post shared by GREEN COAST (@greencoastresort)