“Shqipëria Punon Tokën” sjell magjinë e fshatit e produkteve vendase në Tiranë
November 17, 2019 || views
Nga Etleva Xhajanka
TIRANË, 16 nëntor /ATSH/- Sheshi “Skënderbej” në kryeqytet mori sot pamjen e një ferme gjigante në mes të Tiranës. Panairi “Shqipëria Punon Tokën”, eventi më i madh për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri, mblodhi në kryeqendrën e Shqipërisë mbi 400 fermerë, agropëpunues, mekanizatorë, blegtor peshkatar e deri artizanë të cilët kanë sjellë magjinë e fshatit në qytet, si asnjë herë më parë.
Ky është edicioni i tretë i këtij panairi, i cili organizohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia Tiranë.
Grupi i ATSH-së vizioi nga afër panairin dhe gjatë intervistave me fermerë e agropërpunues u njoh me gjeografinë e pjesëmarrjes nga jugu e deri në veri të vendit, me larmishmërinë e produkteve të prodhohen në vendin tonë, teknologjitë, ambicjet e tyre për të zgjeruar eksportet dhe mbështetjen që kanë përfituar nga qeveria në zgjerimin e investimeve në biznesin që zhvillojnë.
Një prodhues i mjaltit u shpreh i impresionuar për organizimin e panairit dhe tha se po bëhet gati falë marrëveshjes që ka qeveria shqiptare me atë kineze të eksportojë për herë të parë mjaltin e kompanisë së tij në Kinë.
Ndërsa fermeri nga Lushnja që merret me kultivimin e fidanëve shprehet shumë i entuziazmuar për lehtësitë që ka ndërmarrë qeveria duke i hequr TVSH për fidanët, masën të cilën siç thotë ai “më ka ndihmuar shumë të rris të ardhurat dhe të fitoj më shumë”.
Panairi “Shqipëria punon tokën” ka një pjesëmarrje masive, jo vetëm të fermerëve dhe bizneseve agropërpunuese, por edhe të qytetarëve të Tiranës e mbarë Shqipërisë, që kanë ardhur për të festuar së bashku prodhimet e tokës shqiptare.
Panairi krijon mundësi për të shijuar, blerë produkte shumë të mira Made in Albania. Ky është një panair 360 gradë, që ka një interes të jashtëzakonshëm nga qytetarët të cilët për dy ditë do të kenë fshatin në mes të Tiranës.
Për herë të parë marrin pjesë edhe sipërmarrje nga vendet e rajonit. Panairi “Shqipëria Punon Tokën” ka një program të pasur përgjatë dy ditëve, me aktivitete të shumta për të rriturit dhe fëmijët. Atraksion më vete është edhe një fermë me kafshë të ndryshme e cila ndodhet në një hapësire të veçantë të sheshit “Skënderbej”, harta e Shqipërisë e vendosur në sipërfaqen e sheshit, si dhe një balon e madhe që tërheq vëmendjen e të gjithëve. Në mbrëmje do të ketë edhe një koncert nga kuarteti Peter Pan.
Burimi: ATA