“Shqipëria një destinacion shumë i bukur”/ Nënsekretarja e Shtetit, Orrico: Rritje e numrit të turistëve italianë
January 19, 2020 || views
Nga Arbi Fortuzi
TIRANË, 19 janar/ATSH-A. Fortuzi/-Flukset turistike të italianëve drejt Shqipërisë janë në rritje dhe kjo forcon partneritetin mes dy vendeve, i cili duhet të shtrihet edhe te turizmi i Origjinës.
Kështu u shpreh, Anna Laura Orrico, Nënsekretarja e Shtetit për Trashëgiminë, Veprimtaritë Kulturore dhe Turizmin në Itali, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
“Sigurisht që Shqipëria është një destinacion shumë i bukur. Ka bukuri piktoreske, natyrë të mrekullueshme. Ka peizazhe me ngjashmëri morfologjike me vendet e Italisë së jugut. Ka një sintoni shumë të mirë mes dy vendeve”,- tha ajo për ATSH.
“Flukset turistike të italianëve drejt Shqipërisë janë në rritje. Dhe partneriteti që ekziston mes dy vendeve mund të forcohet më tej, jo vetëm në aspektin turistik, por edhe atë kulturor, pasi jemi bijë të së njëjtës nënë. Rajoni i Mesdheut është një rajon shumë i rëndësishëm i pasur me kulturë 1000-vjeçare, dhe mbi këtë kulturë mund të ndërtohen trajektore të reja turistike për të rritur vlerën e të dyja vendeve”,- theksoi Orrico, nënsekretarja e Shtetit për Trashëgiminë, Veprimtaritë Kulturore dhe Turizmin në Itali.
“Në veçanti më pëlqen të zhvillojmë së bashku me Shqipërinë, turizmin e origjinës. Në Italinë e jugut, në zonën time të Kalabrisë, kemi një prezencë të rëndësishme të komunitetit arbëresh. Mendoj se do të jetë interesante jo vetëm për arbëreshët, por dhe për italianët, që të njohin Shqipërinë, duke vlerësuar kulturën dhe traditën arbëreshe, por dhe për shqiptarët, për të rivlerësuar origjinën e tyre të lashtë. Dhe më pas janë qytetet historike. Në Shqipëri ka shumë qytete të tilla dhe Italia është vendi i historisë dhe mbase do të kemi një binjakëzim të qyteteve historike të të dyja vendeve”,- nënvizoi ajo.
“Të vij në Shqipëri është sikur të jem në shtëpi. Kam gjetur një mikpritje të jashtëzakonshme, të njëjta me ato që kanë komunitetet arbëreshë dhe krenarinë arbëreshe. Jam e lumtur që jam këtu”,- tha Anna Laura Orrico, Nënsekretarja e Shtetit për Trashëgiminë, Veprimtaritë Kulturore dhe Turizmin në Itali, e cila të martën ishte i pranishëm në Tiranë në samitin e organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për për turizmin, solidaritetin dhe qëndrueshmërinë, ku morën pjesë dhe ministrat e turizmit të rajonit dhe operatorë të rëndësishëm turistik. /os/