Ja si kujton Yigal Halo, atë natë korriku, në mesin e një fushate të zjarrtë elektorale, gjatë udhëtimit me grupin e saj në Malësine e Shalës me destinacion Thethin : Momentet më të vështira për ne deri atëherë kishin qenë një gomë e shpuar makine ose ndonjë vështirësi tjetër teknike, por kësaj radhe ishim para një surprizë speciale, një sfidë veëanërisht e vështirë! Një rrëshqitje e madhe dheu që kishte marrë me vete dhe një pemë, kishte bllokuar plotësisht rrugën. Ishte mesnatë e ne nuk kishim ku shkonim. Dymbëdhjetë fuoristrada në kolonë, në majë të maleve, në një rrugë të ngushtë, pa asnjë shans për të marrë kthesën. Dhe nuk është nevoja të them që as që ekzistonte mundësia që të gjendej ndonjë traktor në zonë që të na ndihmonte! Por përpara se ne të kërkonim ndihmë, ndihma na gjeti ne! Agia dhe Nika, një cift që jetonte në një shtëpi aty afër kishte dëgjuar zhurmën e makinave dhe duke menduar se kishim nevojë për ndihmë, erdhën të na e ofronin atë, edhe pse ishte mesi i natës. Ata nuk mund të na ndihmonin për të hapur rrugën. Por duke qenë se u ndjenë përgjegjës për jetën tonë meqë ishim aq pranë shtëpisë së tyre të vogël, ky cift i mrekullueshëm ndenji pranë nesh deri në dy pas mesnate, deri sa pa që gjithësecila prej nesh do të ishte sistemuar tashmë në çadrën e saj! Sigurisht ata na ofruan shtëpinë e tyre për të fjetur atë natë, por ajo ishte aq e vogël për 44 persona! Nuk mund të harroj pa përmendur këtu dhe Franin, pronarin e hotelit në Theth i cili udhëtoi për më shumë se dy orë për të na sjellë ushqimin e ngrohtë nga matanë rrugës së bllokuar! Ndërkohë Flamuri, guida jonë e palodhur organizonte banorët e fshatit së bashku me kryetarin e komunës dhe dy djemtë e tij, të cilët ecën dy orë më këmbë për të arritur aty ku ishim ne në orën katër të mëngjezit. Kur ne u zgjuam njerëz të panjohur për ne së bashku me Flamurin, kishin prishur gjumin e tyre dhe kishin punuar gjatë gjithë natës për të hapur rrugën! “Besa, fjala Besa më ka shoqëruar gjithë jetën time” – kujton Missy Glaser, pjestare e këtij grupi. Nëna e saj është një nga të mbijetuarit e Holocaust-it, pikërisht nga ndihma që i dha një familje shqiptare. Ajo kujton nënën e saj ti ketë thënë: Besa është kodi i nderit në Shqipëri. Ju jap besën, ju garantoj jetën! Ky kod që shqiptarët e njohin do të thotë që ju keni detyrim të ndihmoni këdo që takoni! Ju duhet të bëni cdo gjë që të ndihmoni një person që e takoni fare rastësisht pranë ambjentit që ju rrethon, edhe pse krejt i huaj për ju! Kur unë i tregova nënës sime që do të shkoja në Shqipëri ajo më tha: Ti duhet ta puthësh atë tokë të bekuar për mua! Është kombi më i mirë në botë. Por ajo gjithashtu më tha që mbase ka ndryshuar, se ka kaluar shumë kohë! Por shqiptarët nuk kanë ndryshuar aspak! Ajo as që e kishte menduar që pas kaq shumë vitesh do të gjendesh në një situatë të tillë emergjence pa rrugëzgjidhje dhe do të ndihmohej pa asnjë hezitim këtu në Shqipëri, po njësoj si nëna e saj! Kur pashë atë çift –thotë Missy – kuptova për çfarë fliste nëna ime. Ishte për mua shumë e qartë! Në mëngjes porsa hapëm sytë dhe u njoftuam që rruga ishte tashmë e hapur, para nesh u shfaq Agia me një tenxhere plot me qumësht të porsamjelur për të gjithë grupin! Pas një lamtumire të gjatë dhe emocionuse me mikpritësit tanë ne vazhduam rrugën tonë, të lumtur që kishim qenë dëshmitarë të shfaqjes së humanizmit në më të mirën e tij, duke na dhënë kështu shembullin më të mirë të mikpritjes mes qenieve njerëzore! Nuk do ta kisha ndërruar me asnjëlloj komoditeti secilin moment të asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme! Kështu e mbyll kujtimin e saj për atë ditë Missy.Edhe unë e kujtoj shumë mirë atë natë korriku, në kulmin e një fushate të zjarrtë politike, kur politikanët në Tiranë dukeshin sikur do të shqyenin njëri tjetrin, atje në mes të asgjëkundit, shqiptarët e thjeshtë, ata të mirët, të pandryshuarit as nga diktatura më e egër komuniste as nga njëzet e tre vjetët e kësaj politike rrumpallë, do të bënin të flitej dhe një herë për vlerat tona në dymbëdhjetë stacione televizive te Izraelit! Ata njerëz të thjeshtë, të atij fshati aq të larget diku në veriun e thellë të Edith Durhamit, së bashku me Flamurin, guidën e dashuruar me vendin e tij, që vjen nga ato anë, bënë të flitet dhe disa herë më shumë për Shqipërinë tonë dhe mënyrat si ajo nderon miqtë!