Shqipëria, destinacioni që mund ta zbuloni gjithë vitin!

May 7, 2021 || views

 

Viti që shkoi nuk ka qenë viti i turizmit. Mbyllja e botës, ndërprerja e linjave ndërkombëtare, mungesa e lëvizjes së njerëzve nga shteti në shtet, kriza e thellë që u reflektua drejtpërdrejt në ekonomi, ndikoi edhe tek turizmi, duke ulur ndjeshëm numrin e njerëzve që shkojnë me pushime.
Por sot, në një kohë që interneti e ka shndërruar globin në një topth të vogël në pëllëmbën e dorës e që mund të arrihet me çdo lloj mjeti lëvizës, mjaft që të kesh para, mendja dhe dëshira e njeriut nuk mund të mbyllet më, siç mbyllet xhindi në llambën magjike. Dëshira për të udhëtuar e për t`u argëtuar përmes udhëtimit, është bërë kultura e re, mënyra e re për t`u njohur me botën ose edhe me vendin tënd. Prandaj me gjithë vështirësitë, edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë. Njerëzit dolën, shkuan me pushime, u argëtuan sa mundën dhe aq sa ua lejuan xhepat e lodhur nga pandemia.
Vera ishte e detit, e brigjeve, e qyteteve buzë liqenit por edhe e maleve, bujtinave dhe fermave, që kanë zbukuruar tashmë me aktivitetin e tyre mikpritës shumë prej zonalve rurale të Shqipërisë.
E meqenëse vera i përket detit, duhet që dimri dhe pranvera t`i përkasin qyteteve kulturore. Prandaj nuk ka pse të jetë më e çuditshme që ashtu siç organizoni fundjava për në bregdet, të organizoni e të blini paketa turistike për të vizituar qytetet kulturore, të shkoni në Shkodër, Lezhë, Krujë, Peshkopi, Durrës, Berat, Gjirokastër, Elbasan e Korçë, jo vetëm thjesht për të fjetur në një hotel a për të ngrënë në një restorant por për të vizituar një muze, një galeri arti, një sit kulturor, një mozaik, një park arkeologjik, një zonë historike por mbi të gjitha, për të takuar njerëz, për të mësuar historitë e tyre, që kanë gjithmonë diçka për të thënë.
Qytetet kulturore si Berati, Gjirokastra, Kruja e Shkodra, e vuajtën shumë mungesën e turistëve të huaj në këtë sezon por aty gjithashtu munguan turistët shqiptarë që zgjodhën bregdetin për pushimet verore. Prandaj ne do t`ju sugjeronim fort që dimri dhe pranvera juaj, të mbushet me fundjava jo vetëm në Korçën e bukur që e dashurojnë të gjithë por edhe në Shkodër, për të vizituar Marubin elegant, Beratin, ah Beratin e florinjtë, Krujën, që është gjithmonë aty për të na kujtuar identitetin, Gjirokastrën e larë në argjend, që nuk ka vetëm kalldrëme por edhe një kurorë të gjelbër për zili.
Shkoni në një kullë malësori e uluni pranë zjarrit, të dëgjoni legjenda kreshnikësh por edhe histori njerëzish të thjeshtë, zbuloni zemrën e tyre të qashtër, nderojani vatrën.
Me pak fjalë zgjidhni, kaq kaq shumë gjëra të bukura për t`u zbuluar nëpër Shqipëri e që mund të pasurojnë jetën tuaj, siç është në modë të pasurohet ajo në vitet e fundit; me udhëtime!
Shqipëria po ju pret!