Shqipëria destinacion i 2020-ës/ Prestigjiozja “Fodors”: Vendi mesdhetar më tërheqës
November 23, 2019 || views
Nga Adela Alla
TIRANË, Nëntor /ATSH/ Guida prestigjioze e udhëtimeve në botë, “Fodors”, e ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve mesdhetare më tërheqëse për vitin 2020.
Kjo guidë ka publikuar dy lista, atë të vendeve ku nuk duhet shkuar dhe atë të vendeve ku duhet shkuar në 2020-ën. Shqipëria është listuar në vendet që duhet të shkuar, e madje cilësohet si vendi mesdhetar më tërheqës për 2020-n.
Shqipëria renditet nga prestigjiozja “Fodors” e dyta në listën e destinacioneve që duhet të vizitohen për vitin 2020 pas ishullit të Sicilisë, duke lënë pas Athinën, Bukureshtin, Ishujt Faroe, Andaluzinë në Spanjë dhe Britaninë.
“Liqenet e saj malore, pyjet magjepsëse dhe kultura e pasur e bëjnë këtë vend jo shumë të populluar bregdetar destinacionin më të nxehtë mesdhetar për vitin 2020”, kështu e nis shkrimin për Shqipërinë “Fodors”.
“E vendosur përgjatë deteve Adriatik dhe Jonit, Shqipëria ka një pozicion mahnitës në Mesdhe. Malet në veri janë shtëpi për disa nga liqenet më të bukur në Europë, përfshirë liqenin ngjyrësmerald të Komanit dhe liqenin e kristaltë të Ohrit, ndërsa vija bregdetare është e rrethuar nga plazhet me rërë të bardhë që mbeten freskuese dhe gjatë sezonit të pikut turistik dhe në brendësi të vendit gjenden qytete të vogla të tipit mesdhetar, si Gjirokastra që është shpallur si zonë e trashëgimisë botërore”, shkruan prestigjiozja e udhëtimeve në botë, “Fodors”.
“Pushimi i kafes në Shqipëri zgjat me orë dhe ndodh gjatë të gjitha orëve të ditës, ku kafenetë mbushen me shokë e kolegë të cilët e shijojnë kafen në stilin turk “avash-avash””, mbyllet shkrimi për vendin tonë. /a.a/ /a.g/
Burimi: ATA