Shpellat e Shqipërisë, si mund t`i hapim rrugë turizmit shkencor

November 15, 2022 || views

Në fundtetorin e vitit 2010 ndodhesha në Pukë me guidisten skoceze Gillian Gloyer (për të cilën do të shkruaj një herë tjetër) në një përpjekje për t’u njohur me potencialin turistik të zonës. Shoqëruesi ynë, mjeshtri pukjan i sportit Përparim Laçi, që na shoqëroi në tri ditët e qëndrimit tone, sugjeroi që eksplorimi i Pukës nuk mund të konsiderohej i plotë pa vizituar Shpellën e Kaurrit.

 

U nisëm herët në mëngjes por vajtja tek shpella rezultoi një aventurë sfiduese. Një javë rreshje të pandërprera e kishin dëmtuar rrugën dhe shpejt e braktisëm makinën për të vazhduar në këmbë. Në kohë normale rruga deri tek Shpella nuk do të zgjaste më shumë se 1 orë, por atë ditë neve na u desh të ecnim rreth katër orë për të shkuar, pasi ujrat e Liqenit të Komanit, ishin rritur shumë. Më në fund arritëm në fshatin Buzhalë, ku gjetëm një banor vendas që na shoqëroi me varkë përmes liqenit, deri në faqen e thiktë përballë fshatit, ku ndodhej hyrja e shpellës. Ngritja e nivelit të ujit na e lehtësoi hyrjen në shpellë pasi lartësia e hyrjes së saj thuajse ishte përgjysmuar ngarritja e nivelit të ujit.

 

 

Gjurmët e ‘Kaurrit’ eremit që, sipas gojëdhënave kishte zgjedhur të jetonte aty pas pushtimit të vendit nga hordhitë e para otomane, në përpjekje për të ruajtur besimin e vet kristian, dalloheshin në hyrje të shpellës: një kryq dhe disa ikona të muruara nëpër faqet e saj. Këndi i lutjes i përforcuar me një mur të ndërtuar, ndoshta në atë periudhë. Shpella dykatëshe me gjatësi rreth 100 metra kishte hyrje të gjerë dhe që ngushtohet ndërsa kalohej për në katin e dytë. Gryka e shpellës ishte e pushtuar nga një bimësi e pasur që kornizonte mrekullisht pamjen mbresëlënëse të Liqenit të Komanit parë nga brenda shpellës. “Fantastike! – deklaroi Gillian. – Mendoj se ia vlejti mundimi për të zbuluar këtë vlerë të jashtëzakonshme.”

 

Dhjetë vjet më vonë, në gusht të vitit 2020, sërish me Gillian, ndodhemi në Librazhd, këtë herë për të eksploruar zonën e Fushë-Studenit, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Ditën e dytë të qëndrimit tonë në zonë, takohemi me drejtorin e Zonave të Mbrojtura të Qarkut të Elbasanit, Fatmir Brazhda, i cili na shoqëron për tek shpella e Koshorishtit. Shpella ndodhet në zonën e Çermenikës, 12 km nga Librazhdi. Shpella më e famshme eremite në Shqipëri ndodhet në faqen e malit të Letmit dhe në të gjendet një nga pikturat më të mëdha shpellore në vend. Gryka e shpellës i bie mbi një shkëmb të thepisur në një lartësi prej 300 metrash nga baza e faqes jugore të malit. Mali ishte shenjuar për të orientuar turistët që të ngjiten në shpellë. Edhe pse kacavjerrja në faqen e malit nuk ishte e lehtë, guximi në fund shpërblehet.

 

Ndërsa hedh hapat e fundit drejt zgavrës së shpellës, ndalem me sytë e ngulur mbi tavan nga ku vështrojnë disa figura njerëzore sa një bojë njeriu me ngjyra të ndezura, si të krijuara vetëm para disa muajsh. Në shpellën në formë gjysëm-sferike, me dimesione rreth 8 m me 5m, dallohen fragmente muresh guri të lidhura me gëlqere, shenjë se shpella ka qenë e ndarë në dy ambiente. Në dhomën-shpellë mund të sodisim më nga afër pikturat mbi tavanin e suvatuar: brenda dy rrathëve në formë 8-te janë pikturuar dy skena biblike dhe pranë tyre anëtarët e një familjeje që supozohet që të jenë anëtarët e familjes Araniti. Përtej grykës së shpellës na përshëndeste pamja magjike e luginës së Qarrishtës.

Para një jave sërish ndodhem në Fushë-Studen, këtë herë për të vizituar një shpellë të re, zbuluar rastësisht vetëm dy vjet më parë, shpellën e Sebishtit. Shpella ndodhet në faqen e një mali në rrugën që lidh zonën e Steblevës me Dibrën.

Ndërsa kryheshin punimet për ndërtimin e një hidrocentrali aty pranë, një nga fadromat përfundoi në një gropë që u hap poshtë saj. Menjëherë u kuptua që bëhej fjalë për një shpellë të mbyllur që në atë moment pa dritë për herë të parë. Sapo arrijmë në hyrjen kryesore të shpellës së Sebishtit, tufa pëllumbash dalin nga brendësia e shpellës. Sipas Albertit, administratorit të Fushë-Studenit, i cili më shoqëron, shpella është populluar nga shpendët vetëm pasi u zbulua. Pamja e brendshme e shpellës është fantastike, me dendësi stalaktitesh dhe stalakmitesh që pranë faqeve të shpellës janë bashkuar me njëra-tjetrën dhe kanë krijuar kolona natyrore të kuqërremta, ngjyra mbizotëruese në shpellë. Shpella është dëmtuar shumë nga shembja dhe në dysheme, bashkë me inertet e pjesës së shembur, dallon edhe copëza staktitesh dhe stalakmitesh të të gjitha formave dhe përmasave ndërkohë që shumë prej stalaktiteve që varen nga tavani janë të thyera apo të krisura. Lartësia e shpellës shkon rreth 10 m dhe sipërfaqja e saj jo më e madhe se 100 m2.

Shpella deri para dy vjetësh pa asnjë hyrje natyrale, falë “aksidentit” tani ka tre hyrje të krijuara pikërisht nga aksidenti. Me gjithë dëmtimet, shpella mbart ende vlera të mëdha por të cilat rrezikojnë të dëmtohen edhe më, nëse nuk merren masa të menjëherëshme nga institucionet, dhe hapi i parë është futja në listën e monumenteve natyrore.
Shqipëria, thesari i gjeo-monumenteve

 

Shqipëria ka shumë shpella me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit, edhe pse pas viteve ’90 gjeomonumentet, sidomos shpellat karstike, pësuan dëmtime të mëdha. Ndër shpellat më të njohura, por edhe me potencial të madh për zhvillimin e turizmit në Shqipëri mund të përmendim:

Shpella e Spilesë në Himarë

E shpallur monument kulture/natyre në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit të Tiranës, konsiderohet nga vendasit si shpella e famshme e mitologjisë ku ka jetuar Cikllopi, Polifemi i veprës “Odisea” të Homerit. Nëse kjo shpellë do të ndodhej në çfarëdo vendi tjetër të Botës, patjetër do të ishte kthyer në atraksionin turistik më të famshëm të vendit dhe Rajonit. Por shpella mitike që ndodhet në qendër të qytetit të Himarës si rrallë ndonjë shpellë tjetër, është pak e njohur dhe edhe më pak e vizituar. Në brendësi të saj ekzistojnë disa stalaktite të zhvilluara mirë dhe bazuar në ekzaminimet sedimentologjikale brenda saj, dokumentohet veprimtari prehistorike e njeriut nga Periudha Mesolitike, 8.000 p.e.s.

 

Shpella “Bira e Zezë”

në Qeresh, Mulaj, Nikaj-Mërturi. Gjatësia e kësaj shpelle deri tani kalon shifrat e 6.5 km dhe vazhdon. Në brendësi të saj ka liqene dhe një ekosistem të pasur. Dalja mendohet të jetë afërsisht në njërën nga pllajat e Majës së Hekurave. Ndoc Mulaj, njeriu që e ka zbuluar këtë shpellë, me ndihmën e miqve speleologw italianë, shprehet se është fantastike të hysh në një shpellë 700-800 m mbi nivelin e detit dhe pas disa orësh, të dalësh në lartësinë 2100-2300 m, aty diku rrëzë Majës së Hekurave. Dhe për këtë duhen falenderuar speleologët e Shoqatës “Boegan” të Triestes dhe ata të Federatës Sllovene të Speleologjisë, të cilët prej dhjetë vjetësh me radhë, me këmbëngulje dhe pasion, po punojnë për eksplorimin e kësaj shpelle, të cilën e vlerësojnë si njërën nga më të rëndësishmet në Ballkan dhe Europë. Ata janë heronjë të vërtetë.
Shpella e Pëllumbasit

e njohur edhe si Shpella e Zezë ndodhet 25 km nga Tirana dhe është një nga shpellat më të vituara në vend. Ajo konsiderohet si shpellë me pasuri arkeologjike pasi në të janë zbuluar gjetje njerëzore e shtazore, që datojnë më shumë se 10 mijë vjet më parë.

 

Shpella e Nezirit

ndodhet rreth 800 m në verilindje të shpellës së Blazit në zonën e Matit. Gërmimet janë bërë më 1979-1981. Vendbanimi ka pasur një jetë mjaft të gjallë. Janë përcaktuar tre periudha: eneoliti, bronzi i hershëm dhe bronzi i mesëm. Karakteristike për eneolitin është qeramika njëngjyrëshe gri në të zezë, e ngjashme me qeramikën eneolitike të Maliqit. Për periudhën e bronzit të hershëm tipike është qeramika shiritore dhe ajo pseudobarbotine. Qeramika e bronzit të mesëm është punuar më me kujdes, paraqitet e thjeshtë, por më e larmishme nga format.
Shpella e Pirogoshit

 

një nga shpellat karstike më të mëdha të Shqipërisë, ndodhet në luginën e lumit të Çorovodës, në Skrapar. Ka shumë dhoma, kthina, puse e galeri, që zgjaten mbi 120 m. Nga tavani dhe muret anësore varen stalaktite të shumta një pjesë e të cilave janë bërë njësh me stalagmitet duke formuar kolona natyrore.

 

Shpella e shkruar

ose Shpella e Lepenicës ndodhet në zonën e Vlorës. Muret e shpellës janë të “dekoruara” me 19 figura antropomorfe dhe 8 piktura gjeometrike të konsideruara si pikturat më të vjetra të kontinetit evropian të periudhës së artit post-paleolitik.

Shpella e Vanistrës

ndër shpellat më të mëdha karstike të vendit, gjendet në zonën e Gjirokastrës, në këmbët e Malit të Gjerë. Uji që rrjedh nga shpella me gjatësinë 113 m dhe gjerësinë nga 5 deri në 20 m, shfrytëzohet për të ujitur një pjesë të fushës së Dropullit.

 

Shpellat e Velçës në Brataj të Vlorës pranohen si vendbanimet më të hershme në territorin shqiptar. Nga rreth 300 shpella që mendohet se ka kjo zonë të paktën 10 prej tyre janë përcaktuar të kulturës se Neolitit të vonë, rreth mijëvjeçarit III p.e.s.

 

Këto janë shpellat më unikale në Shqipëri bazuar në llojin dhe vjetërsinë e tyre dhe ndër më të vjetrat në Evropë.
Shqipëria është e njohur jo vetëm për pasurinë e shpellave karstike në brendësi të territorit të saj, por edhe për shpellat bregdetare ku dy më të famshmet janë:
Shpella e Piratëve

 

me stalaktite të dendura, ende e paeksploruar në brendësi, pasi në thellësitë e ujërave rreth saj, ka shpesh edhe ndalesa për peshkaqenë. Shpella është lehtësisht e arritshme nga plazhi i Jalit por mund të kundrohet edhe nga lart mbi kodër, ose në thellësinë e ujërave poshtë në shpellë.
Shpella e Haxhi Aliut

 

Shpella më e madhe dhe më e njohur e bregdetit shqiptar është shpella Iliriane e njohur më vonë si Shpella e Haxhi Aliut në Gadishullin e Karaburunit. Shpella me gjatësi rreth 100 metra zbulon brenda saj një liqen në forme elipsi. Shpella është e pasur me histori pasi është vërtetuar se ka shërbyer jo vetëm si strehë për detarin i famshëm ulqinak Haxhi Aliu i cili luftonte kundër anijeve të huaja plaçkitëse që tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës por rreth viteve 1540-1545, është përdorur nga piratët frëngj për t’u mbrojtur.
Potenciali i turizmit speleologjik

Shpellat konsiderohen asete të rëndësishme për vlerat natyrore, historike, kulturore, fetare dhe turistike që mbartin. Ato janë një burim natyror kompleks në ekonominë turistike të çdo vendi. Shpellat janë pjesë e turizmit natyror që është në gjendje të tërheqë turistë.

 

Mbi 5.000 shpella në të gjithë botën fuksionojnë si atraksione turistike ku 10 janë më të njohurat. Të ardhurat nga ky lloj turizmi vlerësohen në rreth 2 miliardë dollarë. Shembulli më i mirë e më i afërt që mund të ndjekim, për të kthyer disa nga shpellat tona në burim të ardhurash për ekonominë përmes turizmit, janë Shpellat e Postojnës në Slloveni, ku infrastruktura e ndriçuar, rrjeti hekurudhor i brendshëm, sistemi gjumëgjuhësh i ofrimit të informacionit dhe udhërrëfyesve dhe vendndodhja në një zonë tejet historike, e bëjnë atë pikën më të vizituar në Slloveni në 365 ditë të vitit dhe ku bileta e hyrjes kushton së paku 25 euro.

Në Shqipëri janë rreth 2000 shpella të identifikuara dhe të listuara, por vlerësohet që numri i tyre të jetë disa herë më i madh. Megjithatë deri në vitin 2013 në listën e monumenteve natyrore ndodheshin vetëm 73 shpella. Kjo pasuri kombëtare ende fle dhe vetëm një ndërhyrje shumëplanëshe ku përfshihen institucionet qendrore dhe lokale, agjensitë turistike, organizatat ambietaliste dhe vetë komuniteti, mund ta zgjojë dhe ta kthejë atë në aset të vërtetë turistik. Ndërhyrje të tilla si përmirësimi i infrastukturës dhe lidhja e shpellave me rrugët automobilistike, investimet në ruajtjen e pasurive të tyre, sistemimi i infrastrukturës së brendshme të shpellave, krijimi dhe vendosja e ekspozitave arkeologjike në hyrje të tyre, do t’i kthente shpellat në site arkeologjike të vlefshme dhe vende të preferuara për turistët.

Ndoshta një mënyrë e mirë për ta filluar qasjen drejt shpellave, do të ishte afrimi i grupeve të shkencëtarëve, speleologëve, studiuesve të huaj, universiteteve me emër në botë, fondet e të cilëve e lejojnë studimin afatgjatë dhe njohjen e botës me këtë pasuri të paçmueshme që kemi. Ata mund të jenë pse jo, edhe turistët e parë të kësaj pasurie, duke i dhënë udhë kështu në Shqipëri edhe atij lloj turizmi, që mund ta quajmë “turizmi shkencor”. Një shembull i përkryer për këtë është edhe puna e vyer e arkeologes së njohur Etleva Nallbani, e cila për vite me radhë, “gërmon” në zonën e Komanit, për të zbuluar qytetërimin mesjetar shqiptar, përmes projekteve të saj, mbështetur nga Qendra Nacionale e Kerkimeve Shkencore dhe Shkolla arkeologjike franceze e Romës.

Turizmi i shpellave po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në përgjithësidhe si i tillë, turistët motivohen të vizitojnë shpellën për veçoritë e saj të qenësishme të peizazhit natyror. Turistët vizitojnë shpellat për rekreacion, edukim, socializim, aventurë dhe qëllime shkencore. Nga ana tjetër, shpellat janë shumë të rëndësishme për turizmin, pasi ato do të përmirësojnë mirëqenien sociale dhe ekonomike të komunitetit pritës dhe gjithashtu do të ndikojnë në ruajtjen e biodiversitetit dhe mjedisit.