Shëngjini dhe Lezha, gati për pushuesit e sezonit veror

April 12, 2021 || views

Shëngjini, qyteza bregdetare e Lezhës, vetëm 7 km nga superstrada Milot – Lezhë, po bëhet gati për sezonin e verës. Shëngjini dallohet për mundësitë e shumta që kanë vizitorët dhe turistët që frekuentojnë këtë plazh. Udhëtimi drejt plazheve të Shëngjinit si tek Rana e Vogël, Rana e Hedhun, Kune dhe Vain, do të shfaqë para jush një peisazh të bukur dhe një endje për syrin. Larmia e zgjedhjeve për të qëndruar, ushqyer, mundësitë e argëtimit, vizitave turistike dhe shëtitjet buzë mbrëmjeve janë arsye të mira për të cilat ky plazh ka kaq shumë vizitorë. Pushuesit nga Kosova e kanë vendosur në top listën e zgjedhjes për pushimet verore, por së fundmi është kthyer në rezidencën e shumë shtetasve italianë që ë kanë zgjedhur për të jetuar dhe dëshira e shumë shtetasve polakë, çekë, gjermanë e shtetas të tjerë europianë.

Për vlerat peisazhore, klimën dhe ambientin tërheqës, në breg të detit të Ranës së Hedhun, organizohet çdo vit festivali më i madh i muzikës elektronike “UNUM Festival”. Të rinjë nga e gjithë bota kanë si orientim të tyrin Shëngjinin në fillim qershori, duke e shndërruar krejt Lezhën në qytetin e të rinjve.

Një plazh vetëm 3 km në jug qytetit të Shëngjinit, duke ndjekur rrugën Lezhë – Knallë është edhe ai i Kunes. Në këtë bregdet mund të gjeni pushimet më të qeta dhe me shumë elementë të veçantë. Mund të mos keni një çadër me vete, por mos u shqetesoni, pishat do ju dhurojnë hije natyrale dhe nje ambient shumë të bukur. Pishat, të cilat përshkojnë të gjithë rrugën dhe bregdetin e Kunes, e bëjnë akoma dhe më të veçantë këtë zonë. Shëtitjet me biçikleta janë mundësi për ata që zgjedhin të pushojnë në këtë plazh. Pushime kaq ndryshe në vende magjepsëse është ftesa për vizitorët dhe turistët këtë verë në Kune.

Mos harroni që në Shëngjin ka një plazh që vijon të mbërthejë shumë kureshtje e që tërheq gjithnjë e më shumë të huajt. Rana e Hedhun, nuk ofron thjesht turizëm por momentet më të bukura ndërsa temperaturat do të rriten ndjeshëm gjatë verës. Plazhi arrihet në këmbë pasi keni lënë makinën në një prej vendparkimeve të operatorëve turistikë në këtë zonë. Përgjatë vijës bregdetare gjenden bare, beach bare, restorante, hotele dhe kampingje ndër më të mirat dhe shumë të frekuentuara. Çdo fillim qershori, në plazhet e Ranës së Hedhun, zhvillohet festivali më i madh i muzikës elektronike UNUM. D.J ndër më të njohurit në botë luajnë muzikë përgjatë 24 orëve në 4 ditë. Turistët e huaj, kryesisht të rinj, janë vizitorët e këtij festivali duke e bërë Lezhën epiqendër të turizmit në Shqipëri. Një aktivitet që nuk duhet humbur.

Si mund të udhëtosh

Transporti është i mundur nga qyteti i Lezhës me autovetura, linja të transportit publik apo duke marrë taksi. Në këtë plazh mund të vini edhe nëpërmjet detit duke përdorur anije personale me vela apo kroçera të vogla

Çfarë mund të bësh.

Lundrimi me anije turistike për të parë peisazhin e bukur të Ranës së Hedhun, Rrjollit dhe Kepin e Rodonit janë një mundësi e mirë për të eksploruar gjithnjë e më shumë. Bukuria që shfaqet me malin pranë e bën Shëngjinin një vend interesant për aktivitete në natyrë, duke përfshirë kampe, shëtitje, udhëtim me biçikletë në mal, gara me varka apo kajakë. Hiking drejt malit të Rrencit duke eksploruar natyrën e bukur, elementët kulturorë, bimësinë e shumtë dhe elementët historikë, do ta bëjnë qëndrimin tuaj në Shëngjin edhe më interesant dhe me shumë kujtime. Nga Shëngjini mund të vizitoni disa nga objektet më të rëndësishme historike e kulturore si Memoriali i Skenderbeut, Kalanë mesjetare, Muzeun Etnografik, agroturizme ndër më të mirët në vendin tonë, punishte artizanale, fabrika të prodhimit të verës me rrush lokal, lagunat e bukura të Kune – Vainit dhe shumë më tepër.

Ushqimi.

Shëngjini është i lidhur ngushtë me peshkimin. Varka të shumta shfaqen çdo mëngjes duke dalë në det të hapur dhe nga ku vjen më pas peshku i freskët dhe produkte të tjera të detit. Ushqimet e përgatitura me këto produkte janë të veçanta, të shijshme, unike dhe me plot vlera ushqyese. Por nëse po kërkoni të eksploroni edhe në kuzhinë, thjesht do të identifikoni restorantet në zonë, pasi do të gjeni pjata po kaq të mira edhe me mish apo gatime me produkte lokale nga banorët e zonave përreth. Restorantet nisin nga ato afër shëtitores dhe vijojnë si në Kune, Rana e Hedhun, Ishull – Shëngjin dhe Ishull Lezhë, por të gjithë të veçantë në pjatat që ofrojnë. Dreka apo darka juaj duke përfshirë produkte mishi dhe prodhime bujqësore e blegtorale do të kushtojë jo më shumë nga 12 – 15 euro për person, ndërsa për produke peshku ato variojnë nga 15 – 20 euro personi. Ju mund të gjeni cilësi dhe sasi të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe gjithmonë mund ta shoqëroni me verën më të mirë të prodhuar në kantinat e Lezhës me varietetin e rrushit Kallmet.

Akomodimi në plazhet e bukura të Shëngjinit do t`ju ofrojë mundësi zgjedhjesh dhe me çmimet më konkurruese. Një natë në hotelet prestigjoze dhe me pamje nga deti kushton vetëm 40 euro nata, por në qershor ky çmim mund të jetë akoma më i lirë. Normalisht çmimet variojnë nga 15 euro për person për apartamente, në 20 euro nata për hyrje në shtëpi private, hotele që nisin nga 30 euro nata dhe në rritje në varësi të standarteve hoteliere por gjithmonë do mbeteni të kënaqur për shërbimet që ofrohen. Çmimet e shezlloneve variojnë  nga 300 në Kune deri në 700 lek tek Rana e Hedhun, ndërsa baret janë një tjetër mundësi për të zgjedhur sipas parashikimeve të shpenzimeve tuaja. Për më tepër ju mund të klikoni dhe në Booking dhe mund të njiheni me çmimet, hotelet dhe bujtinat.

Shëngjini në dy vitet e fundit ka pësuar të tjera ndryshime. Shëtitorja që përshkon bregdetin e Kunes është një vlerë e shtuar që mundëson të shijoni peisazhin e bukur ndërsa ndodheni mes natyrës së lagunës dhe dallgëve të detit. Nuk mungojne aktivitetet gjatë mbrëmjes, ndërsa ambientit i është kushtuar një vëmendje e madhe duke bërë që pastërtia të jetë një element tërësisht i dukshëm. Në këtë bregdet janë përcaktuar edhe plazhe publike, si një mundësi për të gjithë ata që duan të kenë të vendosur në rërë çadrën e tyre. Hyrja e qytetit është një prezantim fantastik nga ku duhet të marrë patjetër një kujtim fotografik. Plazhi është më i pastër falë angazhimit të Bashkisë Lezhë për të ofruar një shërbim ndryshe dhe gjithnjë më të përmirësuar nga viti në vit. Kjo ka sjellë edhe sensibilizimin e vizitorëve e pushuesve duke bërë që rëra të jetë më e pastër ashtu si i gjithë ambienti. Për të shmangur ndotjen, në bashkëpunim me banorët dhe bizneset, janë përcaktuar orare të veçanta për hedhjen e mbeturinave e kjo ka krijuar një imazh të bukur për Shëngjinin. Efektet kanë qënë të menjëhershme pasi është reduktuar sasia e mbetjeve që qëndron në breg duke e bërë këtë plazh të pastër edhe jashtë sezonit veror. Siguria në këtë bregdet është rritur, janë vendosur pika vrojtimi në çdo stacion plazhi, janë vendosur bovat kufizuese si dhe përcaktohen vende të posaçme për mjetet motorrike të ujit.

Këtë vit, vizitorët, pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë plazhin e Shëngjinit, do të kenë mundësi të marrin më shumë informacion për asetet turistike në Lezhë, shërbimet e ndryshme dhe gjithçka që lidhet me turizmin. Zyra e Informacionit që do të vendoset në shëtitoren e qytetit do të jetë takimi i vazhdueshëm i pushuesve me Lezhën turistike dhe mundësive që do të kenë ndërsa do të pushojnë në plazhin e bukur të Shëngjinit.

Më shumë info: www.visitlezha.al

Përgatiti  Sebastjana Leci