Rrëfime nga qyteza përrallore Bled!

January 16, 2023 || views

Nuk ka nisje për udhë pa e puthur birin në dyja faqet, dhe pa e rehatuar ballin në tokë me lutje dhe falenderime…
Valixhja është pak më e lehtë se herët e tjera, se kur mësohesh me udhëtime, mësohesh me mbart me vete edhe më pak, sipas filozofisë: “pak e sakt” apo ndryshe “pak është shumë”. Se ç’fshehin një mister udhëtimet natën… Dritat e qytetit kur ndodhesh mbi re. Ai kalimi sa mbyll e hap sytë kur e gjen veten në një tokë tjetër.
Sytë çelen nga gjelbërimi në Slloveni. Sidomos kur je mësuar të rrethohesh nga beton, grataçela, shkretëtira…etj, gjelbërimi të verbon. Papritmas të hapen sytë dhe vetëdijësohesh se në në çfarë realiteti të mjerueshëm e kalojmë jetën: përse nuk dime dhe ne të ruajmë dhe të kultivojmë të tillë gjelbërim?

 

 

Bled

Bledi më kujton Ohrin, një qytezë tipike e vogël, përrallore, buzë liqeni, me fortesa dhe një kështjellë në kodër. Qytezë në rrugët e së cilës nuk humbet kurrë, sepse ngado që të drejtohesh, të gjitha rrugët të shpien tek pikënisja. Qytezë me çdo gjë pranë: shkollë, spital, varreza, posta ..

Qyteza ku dhe fëmijët e vegjël në rrugë të thonë “mirëdita”, ku edhe pse të moshuarit ndoshta përbëjnë përqindjen më të madhe të banorëve vendas, turistët i japin gjallërinë e duhur që i shkon për shtat një qyteze buzë liqeni. Ku shumica dyqaneve mbyllen para perëndimit të diellit, gjë që ndoshta tregon se vendasit preferojnë bashkimin në sofrën familjare të darkës se sa manisë kapitaliste për të kapur ca klientë më shumë. Edhe pse ne si turistë na shqetëson si fenomen dhe shfryhemi e ironizojmë për faktin se nuk ofrohen shërbime bazike si supermarketet, por me t’u mësuar me rendin vendas pajtohemi dhe e hedhim pas shpine, ashtu sikurse mbyllim një sy edhe për çmimet e shtrejnta.

Të gjithë ne shqiptarët këtu, jemi të mendimit se Bled është vendi ideal “për pleqni”. E kush nuk do donte t’i kalonte ditët e pensionit në një vend kaq të qetë larg stresit dhe kaosit të qyteteve të mëdha, në një oaz përallor ku përveç të tjerave, mjafton fakti që dëgjohen cicërimat e zogjve. Një aktivitet natyror tashmë i harruar për ne që jetojmë në kryeqtytet tona kaotike si Tirana, Prishtina, dhe Shkupi.

Duke ecur, më doli me zë të lartë një mendim i brendshëm, ashtu si padashje: një pasthirrmë e tipit “sa mirë që nuk ka qen rruge”. Dhe aty të gjithë biem dakort se si fenomene të tilla traumatike jo vetëm janë bërë pjesë e “urbanistikës” tonë vendore por edhe mendore. Një traumë kolektive që të çon të vlerësosh gjëra kaq bazike si fakti i të ecurit i qetë nëpër rrugë të panjohura qoftë dhe në orë të vona apo edhe në orare dite me shumë pak lëvizje. Të ecësh i sigurt në rrugë se nuk do të sulmohesh, është një bekim, të ecësëh tek vizat e bardha i sigurt se nuk do të shtypesh është një super bekim.

Dhe ndoshta as vetë vendasit këtu nuk janë të vetëdijshëm për këto bekime.
Ndërsa ne kthehemi në realitetet tona teksa mbartim me vete një ndjesi të re qetësie që vetëm Bledi din të t`i japë!