Rozafa, destinacion turistik qe s’duhet kurresesi ta humbisni…

November 27, 2022 || views

Teksa dëgjon të përmendet Rozafa, nëse je në Shkodër, menjëherë te kujtohet legjenda e murimit në kështjellën që mban të njëjtin emër.

 

Për shkak të pozicionit në kodrën në hyrje të qytetit, ajo shquhet sapo i afrohesh Shkodrës. Kalaja është objekti kryesor i përfshirë në axhendën e turistëve, si vendas ashtu edhe të huaj. Mes tyre gjen edhe shumë nxënës shkollash, që kanë kërshëri të shohin nga afër çdo pëllëmbë të objektit që daton që në shekullin e katërt para Krishtit, por që zhvillimin më të madh e mori gjatë mesjetës.

Sipas legjendës, tre vëllezër që po ndërtonin kalanë, murosën gruan e më të voglit, pasi objekti ngrihej ditën dhe shembej natën. Drejtuesit e parkut tregojnë se vetëm gjatë dy muajve e kanë vizituar atë rreth 6 mijë persona. Kalaja dhe objektet rreth saj shtrihen në një sipërfaqe prej 9 hektarësh. Brenda mureve ruhen pjesë të depove, ndërtesave administrative, kullave, si dhe objekteve të kultit kisha e xhami.

Ndërsa në muzeun e kështjellës arkivohen rreth 20 mijë dokumente dhe sende të ndryshme që tregojnë për qytetërimin e hershem të Shkodrës. Pas kalasë, Ura e Mesit në Postribe është destinacioni tjetër me i preferuar nga vizitorët. Ajo është ndër urat më të vjetra edhe në rajon, e ndërtuar në vitin 1769 nga Mehmet Pashe Bushatlliu, për të lidhur Postriben me Shkodrën.