Rodoni dhe Shën Pjetri – det, natyrë dhe histori

August 6, 2019 || views

Rodoni dhe Shën Pjetri - det, natyrë dhe histori

 

Deri para pak kohësh ka qenë një zonë plotësisht e pavizitueshme, ndonëse një nga më të bukurat e Shqipërisë. Këtu nuk po ju propozojmë vetëm plazhe por edhe natyrë, kulturë dhe histori. Plazhi i Kepit të Rodonit, i cili në fakt është vetëm fundi i skajshëm i Gjirit të Lalzit, është gjithashtu skaji më verior i Gjirit të Durrësit dhe gjithë vijës së tij bregdetare. Një zonë që ndodhet rreth 24 km larg rrugës kombëtare Tiranë-Durrës dhe kalon nëpër fshatrat Draç e Shetaj, duke marrë natyrisht në të djathtë të superstradës, në kthesën ku tabela shkruan Gjiri i Lalzit. Përveç bukurisë së rrallë të plazheve, që hijeshohen nga brigje me gurë shumëngjyrësh që ushqehen nga shkëmbinjtë me përbërje konglomerati, zona ju ofron dy monumente kulture pranë e pranë njëri-tjetrit; Kishën e Shën Ndout, që është shumë herë më e vjetër se Kisha e Shën Ndout në Laç dhe Kalanë e Rodonit ose siç quhet ndryshe, kalaja e Skënderbeut. Meqenëse kjo zonë është pajisur tashmë me infrastrukturë rrugore, realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ne ju themi se është një nga vendet më të bukura që do të vizitoni këtë verë, nëse e zgjidhni. Plazhi i Rodonit është përfolur gjatë edhe për papastërtitë urbane, që rrymat detare i mbledhin pikërisht në brigjet e tij por tashmë edhe ky problem ka gjetur zgjidhje nga Rojet e Kepit të Rodonit, një grupim të rinjsh vullnetarë, që shkojnë çdo prag vere e fillim vjeshte të heqin papastërittë e grumbulluara, duke e lënë plazhin vetëm në dorë të natyrës. Sigurisht edhe ju mund të jepni kontributin tuaj duke mos e ndotur zonën teksa pushoni aty, e duke i marrë me vete mbeturinat që konsumoni që Rodoni të mbetet i bukur siç e gjetët!