“River clean up” – 200 aktivistë nga Shqipëria dhe Kosova pastruan Liqenin e Komanit, radhën e ka Fierza
April 15, 2021 || views
Fundjava që u mbyll i gjeti më shumë se dyqind dashamirës të natyrës, udhëtarë amatorë e profesionistë, operatorë turistikë, shoqata të mjedisit dhe aktivistë të shoqërisë civile në Liqenin e Komanit. Këtë herë jo për argëtim po për punë, në përpjekje për të pastruar Liqenin nga mbetjet urbane. Ishte një nismë e Adelina Hajzeraj emigrante në Belgjikë, që propozoi këtë aksion.
Ndotja alarmante e ujërave të liqenit dhe brigjeve përreth nga akumulimi i mbetjeve urbane që rrjedha e lumit Drin i sillte nga Kosova dhe pasurohej edhe me ato të Shqipërisë, e kishte çuar peisazhin më të bukur në Shqipëri në një gjendje të degraduar e në rrezik stadi të pakthyeshëm.
Shtimi i fluksit të turistëve në zonën e Komanit, Valbonë dhe Lumin e Shalës, ka gjeneruar një sasi shqetësuese mbetjesh, një pjesë të mirë të të cilave i lënë pas turistët e pandërgjegjshëm, shpeshherë të pashoqëruar prej grupeve dhe agjencive turistike. Edhe pse është folur shumë në media për problematikën e plehrave dhe dukurinë “over crowded” për destinacione si Lumi i Shalës apo Komani, situata ka ndryshuar pak ose aspak, derisa fundjavën që shkoi, ky grup i madh aktivistësh ndërmori aksionin e përmasave të mëdha, ku më shumë 450 thasë me mbejte të të gjitha llojeve u larguan nga uji dhe brigjet e Komanit.
Këtë fundjavë, me 18 prill, një tjetër aksion i këtyre përmasave do të vijojë me pastrimin e liqenit të Fierzës. Do të jenë po ata, aktivistët e “River clean up”, që i kanë vënë këtë emër nismës së tyre, në përpjekje për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur ndotjen mjedisore në zonat turistike të Shqipërisë e sidomos në brigjet e lumenjve.
Ata ftojnë të gjithë dashamirësit e natyrës e turizmit, që duan t`i bashkohen këtij aksioni, me qëllim që t`i ofrojnë sezonit të ri veror një mjedis sa më të pastër. E gjithashtu bëjnë thirrje për ndërgjegjësim, për turistët që i vizitojnë këto zona, që plehrat e tyre t`i marrin me vetë kur të kthehen e të lenë pas një mjedis të pastër për turistët e tjerë.