Qeramika, ky art mijëravjeçar nga duart e mjeshtrave të Art Zadrima

October 12, 2021 || views

Arti i qeramikës, është ndër veprimtaritë njerëzore më të vjetra në botë, i cili e ka zanafillën shumë shekuj para Krishtit. Në fakt po të shtyhemi thellë në kohë, gdhendjet, simbolet, vizatimet dhe figurat që u “transportuan” në qeramikë, janë bërë shumë më herët nëpër faqet e shpellave prehistorike, qysh kur shpirti dhe syri njerëzor filloi të perceptonte të bukurën dhe ndjeu nevojën që historinë dhe etapat e jetës së tij t`i gdhendte diku nëpër kujtesë. Prandaj punimet prej qeramike janë të lashta sa vetë njerëzimi.

Lindita Lufi, Valentin Ndoja dhe Antonin Kukaj, janë mjeshtrat që “fshihen” pas emrit të Art Zadrima. Lindita prej vitit 2004, Valentini prej 2006 e Antonini prej 2010, janë tashmë ata që çojnë përpara traditën e lashtë të punimit të qeramikës.

Qeramika dhe poçeria është një traditë që populli shqiptar e ka përdorur në të gjitha etapat e jetës së tij. Dikur, deri në fund të shekullit të kaluar, enët e baltës dhe të qeramikës ishin pjesë e përditshmërisë tonë, për gatim, transport, mbajtjen e ujit, zahireve, verës, vajit e madje edhe për pjata e supiera, pa folur këtu për objektet e zbukurimit. Sot edhe pse në përdorimin e përditshëm ka hyrë teknologjia kulinare, rizgjimi i traditës po bëhet dalëngadalë dhe në disa zona me traditë të hershme në punimin e qeramikës.


Njëra prej këtyre zonave është edhe Zadrima.
Atje prej vitesh tashmë punon e përpiqet një grup njerëzish të apasionuar pas kësaj teknike të lashtë, Lindita, Valentini dhe Antonini, të cilët punishten e tyre e kanë quajtur “Art Zadrima”, duke dashur që më shumë të identifikohen me zonën, sesa me emrin e tyre.

Valentini i jep jetë baltës, duke e kthyer atë në vazo, pjata, objekte zbukurimi e gjithfarëlloj veprash të tjera që dora e njeriut mund të krijojë, kurse Lindita e vesh punën e Valentinit me ngjyrat e ylberit, duke derdhur aty gjithë talentin e saj të kultivuar prej më shumë se dy dekadash, qysh kur ishte ende fëmijë. Motive popullore të Zadrimës por edhe të të gjithë Shqipërisë dhe të gjitha ngjyrat e mundshme të natyrës, zbukurojnë punimet e baltës duke e kthyer punishten në një atelie arti të mrekullueshme.

 

Kurse Antonini herë ndihmon Valentinin në “gdhendjen” e baltës e herë Linditën në pikturë. Dhe të tre bashkë, duke i dhënë nga një dorë njëri-tjetrit, plotësojnë dëshirat dhe kërkesat e turistëve të së bukurës, atyre që duan të marrin më vete një kujtim nga Shqipëria si suvenir por edhe të shumë shqiptarëve, që tashmë shtëpitë e tyre duan t`i zbukurojnë me qeramikat e Zadrimës.
Punishtja, e vendosur thuajse në oborrin e kishës, është edhe si një vend pelegrinazhi, ku vizitorë, miq, blerës, turistë por edhe fëmijë shkollash, vijnë të shohin nga afër procesin e përpunimit të baltës. Puna e madhe që bëhet, është jo vetëm një mënyrë për të siguruar të ardhurat për familjet por edhe për të ruajtur e rigjallëruar traditën, e cila mbahet gjallë edhe nëpërmjet procesit vetë të punës, që bëhet e gjitha me dorë, por edhe simbolikës, që ravijëzohet përmes ngjyrave e dizajnit të vazove e punëve të tjera. Edhe pse është e vështirë që t`i gjesh të gjitha simbolet që trashëgimia popullore e artit të qeramikës ka përcjellë nëpër breza, ata përpiqen t`i qëndrojnë sa më besnikë kësaj trashëgimie.

Kur ne hyjmë, Lindita me penelin në dorë e Valentini me duart me baltë, na kërkojnë falje që i gjetëm rrëmujë. Ne qeshim se në fakt për këtë rrëmujë kemi ardhur deri këtu, sepse po të donim të shihnim vetëm punët e tyre, mjafton të vizitojmë një dyqan suveniresh kudo, nga Shkodra deri në Sarandë dhe do të dallojmë menjëherë produktet e tyre të pangatërrueshme. Por të vizitosh një artizan në punishten e tij është sot ajo që ne duam ta bëjë çdo turist, që të ketë mundësinë të shohë nga afër këto procese kaq të çmuara në përpjekje të ruajtjes së traditës.

Sot, ata janë të kënaqur me punën e tyre, edhe pse pohojnë që periudha e krizës së vjetshme i ka goditur, ashtu si të gjithë pjesën tjetër të sektorit të artizanatit. Diku në mes të krizës, u përpoqën ta ndërlidhin punën me shërbimin e porosive online dhe tashmë e kanë edhe një rrugë tjetër ndërveprimi me blerësin, të cilën shpresojnë ta bashkojnë shumë shpejt me turistin e vërtetë, atë që vjen t`i vizitojë fizikisht.
Por ashtu siç janë realistë në njohjen e vështirësive, dinë të jenë edhe mirënjohës. Ata pohojnë të gjithë njëzëri se ndihma e Altinit të Mrizit, ka qenë mjaft e çmuar, jo vetëm për ata po për njohjen e Fishtës, Krajnit, Kallmetit dhe të të gjithë zonës së Zadrimës. Përveçse e ktheu në zonë turistike që sot ka fluks të ndjeshëm gjatë të gjithë kohës e jo vetëm në fundjavë, Altini u ka krijuar të gjithëve mundësinë të shesin produktet e tyre përmes Mrizit.

Me ngritjen e sektorit të agropërpunimit, ku sot turistët që vizitojnë Mrizin mund të blejnë produkte fshati, atje është hapur edhe një dyqan ku mund të blihen punimet tona. Dhe ne shkojmë vetë, e furnizojmë, shikojmë se çfarë kanë përlyer më shumë turistët dhe përpiqemi të plotësojmë pëlqimet e tyre.
Është një punë e lodhshme pa dyshim, si të gjitha punët që bëhen me dorë por është aq e bukur sa ne nuk mund të jetojmë dot më pa këtë punë. Nuk e kuptojmë dot veten pa qenë pjesë e qeramikave të Zadrimës.

Shpresojmë vetëm që, nga të gjithë ata fëmijë që na vizitojnë shpesh në punishte, të mbeten në fund disa, që do të duan ta përcjellin pas nesh këtë profesion të bukur. Mbi të gjitha për të mos humbur traditën e për ta përfshirë Zadrimën në historinë e përpunimit të qeramikës. Prandaj e kemi quajtur Zadrima Art. Sepse një ditë ne do ta përfundojmë misionin tonë. Kurse Zadrima dhe qeramikat e saj, do të mbeten. Shpresojmë përgjithmonë.