Qeparoi, fshati që aq shumë e duan francezët
July 15, 2022 || views
Qeparoi që ne njohim për destinacion, është ai plazhi blu pa anë e fund që na del përpara sa kalojmë Himarën dhe kthesat e saj mes maleve të gjelbra. Por Qeparoi është edhe një fshat i bukur i Shqipërisë, që mbart një ndjesi të ngrohtë, duke ruajtur formën e tij përgjatë trazirave politike ndër shekuj. Të ecësh në Qeparo është si të ndeshesh me udhët e jetës të humbura prej kohësh. Fshati ngrihet mbi një kreshtë shkëmbore rreth 300 m mbi nivelin e detit, me një vendosje urbane që i ngjason kështjellës. Në krahasim me fshatrat e tjerë të bregdetit, ai ka ruajtur me se miri arkitekturën tradicionale dhe strukturën urbane.
Fshati i vjetër është i gjithi për t`u zbuluar me katedralen, kalanë e Karosit dhe banesat unike. Ai të impresionon me bukuritë mahnitëse, harmoninë me terrenin dhe shtëpitë e vjetra prej guri me arkitekturën e tyre tradicionale, ashtu si në fshatrat e tjerë të bregdetit. Ajo është mirëmbajtur, pavarësisht faktit që një numër shtëpish historike po braktisen. Ndërtimi është kompakt dhe në veçanti krijon tipologji interesante të mjediseve të hapura dhe të mbyllura, rrugica dhe kalime. Mënyra se si shtëpitë vijnë pranë, duke parë njëra-tjetrën nga lart, dhe hapësira e kopshteve të brendshme, është mahnitëse.
Qeparoi përmendet shpesh sot si fshati për të cilin francëzët lenë kokën. Ndoshta sepse shumica prej banorëve ka emigruar shpejt dhe ata që janë vendosur në Francë, kanë ardhur këtu me ndonjë mikun e tyre francez. Ndoshta sepse grupet e turistëve, edhe pse jo shumë të mëdha, dominohen kryesisht prej francezëve, të cilët pastaj e çojnë fjalën gojë më gojë se diku në një vend të vogël të Ballkanit Perëndimor që quhet Shqipëri, na qenka një fshat i vogël si kështjellë e magjepsur ku pothuajse nuk banon asnjeri. Fshati është i një bukurie të rrallë dhe ata nuk e kuptojnë se pse banorët e kanë braktisur atë, ndërkohë që ata vetë, fracezët pra, do ta blinin me qejf ndonjë prej atyre shtëpive të gurta ku tani nuk banon asnjeri.
Këto histori sot mund t`i dëgjoni nga goja e Veronikës, e cila mund t`jua tregojë edhe ndërkohë që është duke bërë petullat tipike të Jugut kilat e famshme.
Veronika dhe e bija Panajota, do t’ju presin këtë verë Te Rrapi në hyrje të fshatit, për një kafe, për t’u çlodhur e për të bujtur, për një drekë me mish vendi e djathë të freskët nape nga bagëtitë e zonës por edhe për të mësuar plot histori nga fshati-kështjellë që ka magjepsur udhëtarët dhe historianët me arkitekturën e tij unike dhe faktet e rralla që vijnë thellë nga historia. Se si për shembull Qeparoi dhe qeparotasit, nuk flasin kurrë greqisht as me të huajt por vetëm shqip, në dialektin e bukur e vallëzues të Bregut.
Nëse të gjithë kanë ikur, Veronika dhe e bija janë nga ata që janë kthyer. Dhe shpresojnë se edhe shumë qeparotas të tjerë do të kthehen, për t`u dhënë edhe njëherë jetë kështjellave të tyre të mrekullueshmë, që shohin të gjitha nga deti por që kryet e kanë lart në mal, në gjirin e Akrokerauneve. Por që edhe Veronika të qëndrojë, ajo ka nevojë për miq si ju, që ju të shkoni atje, të vizitoni fshatin, të provoni gatimet e saj, të qëndroni një natë në bujtinë e pse jo, të sillni miqtë tuaj herën tjetër, që edhe më shumë banorë të kthehen e t`u japin jetë shtëpive të braktisura.
Dhe para se të niseni për Qeparo, telefonojini Veronikës në numrin e saj 069 515 6062, që kur të shkoni atje, t`i gjeni petullat gati. Po rakinë me bajame të njoma, e keni provuar ndonjëherë?
Çfarë s`duhet të humbisni
Qeparoi shumë mirë mund të ishte vendi i pushimeve tuaja me familjen, që do të kalonin mes plazheve të qeta, shëtitjeve në mbrëmje e ndjesive të paqes së thellë që ta jep vetëm natyra. Por nëse nuk e keni zgjedhur për të qëndruar, duhet patjetër që të shijoni një drekë ose qoftë edhe një koktej tek Valta Hotel, një stukturë që aq mirë i përgjigjet stilit mesdhetar dhe atmosferës së tij në çdo detaj.