“Pylli i arinjve Prishtina”, relaksim ndryshe në zemër të natyrës

December 16, 2021 || views

“PYLLI I ARINJVE Prishtina” ndodhet rreth 20 kilometra larg Prishtinës, në fshatin Mramor, pranë Liqenit të Badovcit. I hapur për vizitorët që nga muaji maj i vitit 2013, ky kënd i gjelbëruar pranë kryeqytetit është shndërruar në destinacion relaksimi ndryshe në zemër të natyrës.

Hapësira e pamatë që njihet me emërtimin “PYLLI I ARINJVE Prishtina” vazhdimisht sjell risi në konceptin e vet fillestar, duke i ndenjur gjithnjë besnik misionit të vet: një strehë e sigurtë për arinjtë e keqtrajtuar dhe vend ku të gjithë të eksplorojnë natyrën dhe të mësojnë për të.
“PYLLI I ARINJVE Prishtina” është projekt i nisur nga organizata globale për mirëqenien e kafshëve “VIER PFOTEN” nga Austria. Misioni i organizatës është të zbulojë kafshët që vuajnë nga veprimet e njeriut, t’i shpëtojë dhe t’i mbrojë ato. Shpëtimi i arinjve që mbaheshin nëpër restorante në Kosovë, si formë argëtimi për klientët, u bë dhe pikënisja e këtij lokacioni që, në vitin 2020, është shndërruar në një nga atraksionet turistike më të njohura të Kosovës.

Tani, në këtë hapësirë jetojnë të patrazuar 20 arinj nga Kosova dhe Shqipëria, të shpëtuar nga kafazët dhe kushtet e mjeruara ku mbaheshin më parë. Ata shijojnë rehabilitimin dhe jetën e re në habitatin e tyre natyror, ku secili ka territorin e vet dhe nuk e pengojnë njëri-tjetrin.

“PYLLI I ARINJVE Prishtina” është i hapur për vizitorë çdo ditë të javës. Gjatë muajve prill – tetor në orarin 10:00 – 19:00, ndërsa gjatë periudhës nëntor – mars, kur arinjtë janë në gjumin e tyre letargjik, vizitorët mund të shkojnë në orarin 10:00 – 16:00, por nuk i shohin dot arinjtë që flenë. Vizitorët këtu mund të kalojnë një ditë të tërë shëtitje, argëtim dhe edukim.

Në kuadër të këtij destinacioni funksionon Qendra për Edukimin Mjedisor “THESARET E NATYRËS”, shtegu i ecjes në natyrë, hapësira për aktivitete dhe konferenca dhe restoranti me produkte të zonës.

Çdo element i “PYLLIT TË ARINJVE Prishtina” është konceptuar për të dhënë mesazhin se njeriu, kafshët dhe natyra ekzistojnë në Tokë si një sistem i vetëm dhe sa e rëndësishme është që njeriu të jetë miqësor ndaj natyrës dhe si të kujdesemi më mirë. “Shtegu i Natyrës” prej 400 metrash nëpër pyll ka të integruara elemente si kodra e miligonave, labirintin, shpellën e ariut ku dëgjohen rrahjet e zemrës së një ariu, është instaluar një rrjetë merimange, foleja e zogjve dhe pika e vëzhgimit.

Tabela të ndryshme të vendosura nëpër shteg i prezantojnë vizitorët me 20 banorët më të veçantë të këtij pylli: arinjtë e shpëtuar. Po ashtu, ka aktivitete të ndryshme fizike për fëmijët që duke shëtitur në natyrë, të mund të gjejnë argëtim dhe pse jo, të shohin dhe arinjtë që tashmë janë të sigurtë.

Edhe në hapësirën e restorantit është menduar për vizitorët më të vegjël. Dekori i brendshëm përngjan me pyllin. Në restorant është instaluar një imitim “shpelle” ku fëmijët mund të hyjnë dhe të kuptojnë se si ndjehet ariu. Video të ndryshme edukative shpërndajnë informatat kryesore për arinjtë. Libra, postera dhe materiale të tjera edukative janë të vendosura kudo nëpër qendrën edukative të quajtur “Thesaret e Natyrës”. Personeli i specializuar i qendrës udhëheq vizitat dhe shpërndan informata.

Fëmijët mund të jenë pjesë e “Shkollës së Pyllit” – orë edukative që mbahen në natyrë – ose të përcjellin programin “Gjuetia e thesareve” brenda qendrës ku edhe mund të fitojnë certifikatën “Hero i Natyrës”!

Vizitorët më të shpeshtë të këtij pylli janë familjet dhe grupet e fëmijëve të organizuara nga shkollat, për të kaluar një ditë argëtuese rrethuar nga natyra.

Pika e suvenireve “Thesaret e Natyrës” shpalos për vizitorët një gamë të pasur të produkteve me tematikë arinjtë dhe natyrën. Të gjitha fitimet nga shitja e suvenireve shkojnë për mirëqenien e arinjve dhe mbarëvajtjen e qendrës. Shumica e produkteve që shiten këtu: punëdore, dekorime, apo produkte natyrore si çajra të ndryshëm punohen nga gratë e zonës.

“PYLLI I ARINJVE Prishtina” është një destinacioni në Kosovë që duhet vizituar për bukurinë e natyrës, për argëtimin që të ofron dhe për mesazhet pozitive që i jep secilit vizitor si ta duam dhe mbrojmë natyrën dhe kafshët.

Info:
Biletat prill – tetor:
Të rritur: € 2
Fëmijë 3 -14: €1
Bileta familjare 2+1: €4
Bileta familjare 2+3: €5
Studentët: €1
Grupe 10+: €1 (pp.)
Të moshuar 65+: €1