Pusho Shqip, në bardhësinë e Alpeve
January 15, 2023 || views
Brod e Dragash, Brezovicë e Prevallë
Brod e Dragash, Brezovicë e Prevallë. Gjithçka që lidhet me turizmin malor e të çon në Malet e Sharrit, këndej e andej Prizrenit e që vlen të vizitohen në çdo stinë. Në Prevallë e Brezovicë mund edhe të kaloni përgjatë, teksa merrni udhën e vjetër nga Prizreni në Prishtinë por në Dragash e Brod, duhet të shkoni enkas e të dilni nga Prizreni për në jug.
Edhe sepse është pjesa më e bukur dhe më e paprekur e Parkut të Sharrit por edhe për një arsye tjetër; sepse në Brod, ndodhet Arxhena, resorti turistik më i bukur në të gjithë zonën e Sharrit.
Terreni përreth Brodit në jugperëndim është kodrinor, por në verilindje është malor. Pika më e lartë mbidetare është Rule, 2 220 metra mbi nivelin e detit, e cila gjendet 2.8 km në lindje të Brodit. Brodi është mjaft i populluar, me 207 banorë për kilometër katror. Qyteti më i afërt është Sharri (Dragashi) , 5.8 km në veriperëndim të Brodit. Në zonën përreth Brodit ekzistojnë male të larta me formacione shkëmbore të zhveshura.
Qendra e skive dimrit ju mundëson të bëni ski edhe natën, sepse është e pajisur me ndriçim por zona është e bukur për t`u vizituar në çdo stinë për shkak të bukurive të mëdha natyrore.
Brezovica është ndër destiacionet më të vizituara turistike dimërore në Kosovë. Zona turistike e skive ndodhet në mënyrë ideale në shpatet e Parkut Kombëtar të Sharrit në veri dhe në veriperëndim.Linja e kreshtës përfshin 39,000 hektarë terrene malore alpine dhe pyje, me një florë dhe faunë mjaft të larmishme dhe të bollshme. E lokalizuar 90 minuta larg nga dy aeroporte ndërkombëtare, zona turistike e Brezovicës paraqet një nga zonat e fundit të pazhvilluara të skive në Europën Juglindore.
Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2500 ha, në lartësinë mbidetare 1718-2522 m. Përbrenda kësaj hapësire janë shtigjet e skijimit me gjatësi mesatare rreth 4 km dhe me një lakueshmëri mesatare prej 38 %. Në lartësinë mbidetare prej 1718 m, në Livadhin e Madh gjendet teleferiku më i ri. Stacioni i daljes nga ky teleferik është në lartësinë 2212 m mbi nivelin e detit. Qendra e skijimit “Brezovica” është e hapur për adhuruesit e skijimit gjatë të gjitha stinëve të vitit, ku në verë, sipërfaqja e mbuluar me borë zvogëlohet por prapë lë mundësinë e shfrytëzimit.
Kjo qendër ka disa hotele të cilat ofrojnë shërbime cilësore të kategorive më të larta. Ndër hotelet më të njohura është Hoteli Narcis i kategorisë së parë i cili gjendet në lartësinë mbidetare prej 900 m, dhe është 9 km larg shtigjeve të skijimit. Në lartësinë mbidetare 1700 m gjendet hoteli i kategorisë “B”, Hoteli Molika, i cili gjendet pranë shtigjeve të skijimit. Në këtë hotel kryhen shërbimet që kanë të bëjnë me pajisjet për rrëshqitje.