Promovimi i Shqipërisë së Bukur përmes konkursit të kartolinave “Albania, the Beautiful”
December 17, 2019 || views
Turizmi është një ndër sektorët kryesore më të suksesshëm në rritje vitet e fundit në Shqipëri, e si i tillë është e nevojshme që të promovohen në mënyrë të vazhdueshme bukuritë dhe karakteristikat që e bëjnë Shqipërinë të vecantë dhe të pëlqyeshme për t’u vizituar nga turistët brenda për brenda Shqipërisë, por edhe nga turistë të huaj, të cilët mund të njohin dhe vizitojnë vendin tonë.
Me synimin e vetëm promovimin e Shqipërisë mori hov konkursi i kartolinave “Albania, The Beautiful”, për të shërbyer si një dritare, në të cilën shpalosen bukuritë mahnitëse, të cilat vendi ynë i ka me bollëk.
Ky konkurs kishte disa karakteristika që e bënë atë unik në llojin e vet.
E para ishte se u bë promovimi i “Shqipërisë së Bukur” me aspekte të reja, tërheqëse, magjepsëse, sekrete apo të panjohura më parë, ndryshe nga pamjet që kanë qarkulluar deri më tani.
Po aq e veçantë në këtë konkurs ishte se promovimin e bënë arkitektë, dizajnerë, fotografë, piktorë, studentë, nxënës, profesionistë , të cilët e jetojnë çdo ditë Shqipërinë.
Po ashtu duhet përmendur fakti se të gjitha propozimet kreative për Shqipërinë e Bukur u kristalizuan në një nga mjetet me klasike të promovimit turistik, sic është Kartolina.
Konkursi u zhvillua në disa faza. Fillimisht iu bë thirrje të gjithë kreativëve të bëheshin pjesë e konkursit, duke na treguar përmes SYRIT, NDJENJËS dhe KREATIVES së tyre, SHQIPËRINË E BUKUR përshtatur në një kartolinë.
Propozimet e konkursit ishin vërtet magjepsëse, mbi 150 të tilla, me një mori mesazhesh, idesh, dizajnesh dhe teknikash nga një punim grafik, tek një fotografi, pikturë, punë artizanati etj.
Të gjithë sollën idetë e tyre unike. Dikush me një pikturë të qytetit të tij, dikush tjetër solli pak aromë shkodre, një tjetër sloganin promovues “Kush t’don, t’viziton, dikush nëpërmjet punës së dorës solli “Valët e Detit” në një kartolinë unike, dikush pasqyroi nëpërmjet një fotoje “Love…Let’s get lost in the Mediterranean”, një konkurent punoi kolazhin me simbolet shqiptare, ku nuk kishte si të mungonte fustanella tipike, një tjetër nëpërmjet artizanatit, dikush sugjeroi: “Watch more sunsets that netflix” e shumë e shumë punime të tjera kreative.
Secili nga pjesëmarrësit dha prej vetes së tij, duke na treguar se çfarë është Shqipëria e Bukur sipas tij.
Kartolinat pjesëmarrëse në konkurs ishin nga e gjithë Shqipëria, nga Thethi, Dibra e Shkodra e deri në Vlorë e Sarandë.
Të gjitha propozimet kreative u vlerësuan nga një juri profesioniste, e cila në bazë të idesë, kreativës dhe cilësisë së punimit përzgjodhi 16 më të mirat.
Këto kartolina do të shpërndahen në të gjithë rrjetin MANIACARD, në qytetet kryesore të Shqipërisë, për t’u njohur dhe tërhequr nga publiku, duke u bërë suveniret më të vecanta që shprehin sentimentin dhe këndvështrimin e qytetarëve për bukuritë e vendit të tyre dhe që fiksohen në mendjen e të gjithë atyre që i shohin.
Faza më tej e konkursit ishte zbulimi i 16 kartolinave më të mira. Enkas për të u zhvillua një event unik në llojin e tij, në formën e një ekspozite të hapur, në të cilën u shfaqën për herë të parë kartolinat më të mira. Në event ishin të pranishëm personazhe nga fusha e artit, kulturës, turizmit, të cilët kontribuojnë cdo ditë në promovimin e Shqipërisë përmes punës së tyre, konkurentë pjesëmarrës, agjensi turistike, media etj.
Ky event solli një tjetër risi pasi vetë të ftuarit përzgjodhën kartolinën fituese me Çmimin “Zgjedhja e Publikut”, drejtëpërsëdrejti nga eventi.
Posteri fitues, i cili rrëmbeu numrin më të madh të votave nga të pranishmit ishte ai i Altin Seranit, me një fotografi vërtet mahnitëse mbi Zvërnecin e bukur.
Ky poster do të shfaqet në pikat e informimit turistik në qytete të ndryshme të vendit për t’ju prezantuar të gjithë turistëve.
Te gjitha propozimet e kartolinave te marra do të jene të përshtatura në format dixhital, në faqen maniacard.com, në mënyrë që të jenë të dërgueshme online nga të gjithë.
Projekti “Albania, The Beautiful” u mbështet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe u realizua me ideimin, organizimin dhe konceptimin e MANIACARD, agjensi marketingu e cila prej më shumë se 11 vitesh zhvillon aktivitetin e saj në konceptimin, reklamimin, komunikimin dhe shpërndarjen e mesazheve promocionale nëpërmjet kartolinave publicitare, të formatit 15×10 cm në vendet më të frekuentuara në vend dhe falas për publikun.