Projekti 100 fshatrat – më në fund, sytë tek turizmi rural dhe agroturizmi
August 6, 2019 || views
PROJEKTI PËR ZHVILLIMIN E AGROTURIZMIT
Lajme të mira për turizmin në Shqipëri por sidomos lajme të mira për zonat rurale, që janë aktualisht edhe pjesa më e pazhvilluar e vendit, megjithëse mbartin një potencial të fuqishëm për zhvillimin e agroturizmit. Më në fund qeveria shqiptare po i kthen sytë nga fshatrat, jo duke i parë thjesht si zona që duhen zhvilluar për të rritur mirëqenien por si qendra të ardhshme agroturistike.
Kryeministri Edi Rama ftoi në një takim fermerë dhe biznese agroturistike nga e gjithë Shqipëria, për t`i njohur me projektin “100 fshatrat”. Emra të njohur të biznesit turistik si Farma Sotira në Leskovik, Diella dhe Noshi në Vain, Nano Resort Dhe Uka Farm në Tiranë, Rapsodia në Shëngjin, Kantina “Kallmeti” në Zadrimë etj., ishin të pranishëm, mes të ftuarve të tjerë dhe ekipeve të ministrive.
Jo pa qëllim ky projekt i rëndësishëm u shpall pikërisht në Fishtë, tek Mrizi i Zanave, aty ka lindur dhe është zhvilluar modeli më i suksesshëm i agroturizmit në Shqipëri.
Kryeministri Rama e ka përgëzuar personalisht Altin Prengën, si një pionier të zhvillimit të kesaj dege të veçantë e shumë të rëndësishme të ekonomisë për Shqipërinë, një vend me natyrë zhvillimi që anon krejtësisht nga bujqësia, duke e quajtur “Mrizin” ekselencën e agroturizmit shqiptar.