Përse Elbasani nuk konsiderohet destinacion turistik?
February 25, 2021 || views
Përse Elbasani nuk konsiderohet si destinacion turistik?
Shpeshherë e bëjmë këtë pyetje, sidomos sa herë që vizitojmë Elbasanin, sepse shohim që pothuajse nuk ka asnjë visitor në fundjavë, sidomos nga Tirana, që është edhe furnizuesi kryesor me turistë fundjave për qytetet turistike shqiptare.
Edhe sikur të mos qëndronit për të fjetur në Elbasan, për të vizituar fjala vjen Belshin ose Gjinarin, apo Byshekun, si destinacione rreth e përqark qytetit, ne do të donim të ofronim si fillim vetë qytetin. Asnjë agjenci shqiptare nuk e ofron Elbasnin për fundjavë, edhe pse një tur ditor do të përmbushej për bukuri vetëm me mjediset e qytetit.
Prandaj ne kemi vendosur që t`ju sugjerojmë një tur të shkurtër e të thjeshtë, pa u ndalur me detaje në vendet që do t`ju sugjerojmë, për ta bërë këtë në numrat e ardhshëm, ku do t`i japim më shumë rëndësi Elbasanit, këtij qyteti me shumë histori dhe kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën dhe arsimin shqiptar.
Një e shtunë ose e diel ideale nëpër Elbasan
Ju mund ta filloni shëtitjen tuaj me një vizitë në Lagjen e Kalasë, për të parë nga afër objektet e interesit dhe rrugicat e vjetra me kalldrëm. Kalaja, një fortifikatë ushtarake fushore, ishte shumë e rëndësishme sepse përmes saj kalonte Rruga Egnatia, që në atë kohë ishte një rrugë kryeore komunikimi mes Perëndimit e Lindjes. Si një objekt historik shumë i rëndësishëm, kalaja është shpallur monument kulture. Brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore, si Kulla e Sahatit, Hamami i Vjetër, Xhamia Mbret, Kisha Fjetja e Shën Mërisë etj.
Një vizitë në Muzeun Etnografik është gjithashtu e rekomanduseshme, për të njohur traditast e pasura të qytetit, përmes objekteve të jetës së përditshme dhe momenteve festivë, që janë përfaqësueset e denja të një qyteti që është konsideruar gjithmonë si zemra e Shqipërisë së Mesme. Në oborrin e muzeut ju përshëndet edhe një statujë e Isuf Myzyrit krijuesit të pothuajse të gjitha këngëve qytetare elbasanase, aq të njohura në të gjithë Shqipërinë.
Një shëtitje në sheshet kryesore të qytetit dhe përgjatë mureve të kalasë, ju njeh me objekte të interesit në natyrë, si mozaiku i Bazilikës Paleokristiane përballë kalasë, zbukuar vitet e fundi si dhe skulpturat e vendosura kudo nëpër qytet (shih artikullin), që i kanë dhënë Elbasanit pamjet e një qyteti arti.
Taverna Kala, një margaritar trashëgimie që më shumë e njohin të huajt
Në fakt kalanë duhet t`jua kishim listuar në fund të këtij turi, sepse nëse keni hyrë brenda, përmes hyjres ballore, anash të cilave ndodhen dy çezmat, me siguri e keni vënë re një lokal të vogël, veshur me dru ku motivet dhe objektet e shumta të çojnë pas në kohë, së paku më shumë se një shekull.
Është Taverna Kala, ku Musai pinjolli i fundit i një brezi kuzhinerësh të Elbasanit, qysh nga koha e Turqisë. Babai i tij madje, ka qenë kuzhinier në atë që dikur quhej Turizmi i Elbasanit ka gatuar edhe për Enver Hoxhën. Dikur shtëpia e të parëve e tashmë një lokal tradicional, që më shumë e njohin të huajt se shqiptarët, Taverna Kala është “Meka” e turistëve të huaj nga e gjithë bota, të cilët gjatë viteve të fundit kanë mbushur jo pak por katër libra me përshtypje, që Musai i ruan me kujdes, sepse tashmë i përkasin fondit të pasur të artefakteve të restorantit, shndërruar tashmë më muze. Thoni një gjuhë që ju vjen në mendje dhe Musai do të hapë bllokun dhe do t`ju tregojë faqen me përshtypjet e turistit që i përket asaj gjuhe.
Nuk ka stërhollime të gatimeve, ato janë besnikërisht tradicionale të Elbasanit dhe Musai ështëi i lumtur që fatmirësisht traditën po e trashëgon edhe djali i tij Ergysi.
Ai pret e përcjell bashkë me të atin turistët e shumtë të huaj dhe e dashuron punën që bën.
Kjo na jep shpresë se ky qoshk i mrekullueshëm do të vazhdojë të ofrojë traditën elbasanase edhe përtej kufijve të Shqipërisë dhe kjo duket kaq qartë, mjafton t`i hidhni një sy përshtypjeve në Trip Advisor dhe kudo, për të kuptuar se me çfarë dashurie këta njerëz e përfaqësojnë atë që kemi më të shenjtë e më mirë se kudo të Ballkan të shprehur; mikpritjen.
Ja pra, një tur ditor në Elbasan, që mund ta mbyllni pikërisht këtu, tek Taverna Kala.