PËRMET MOS E VET*

August 6, 2019 || views

PËRMET MOS E VET*

Nga Kastriot Faci

Kjo ishte shprehja që nuk na u nda nga goja gjatë të gjithë kohës, që nga momenti i hyrjes në qytetin Përmetit, e derisa u kthyem në Shkodër. Kjo është shprehja që Sala, një nga shokët e mi e thoshte si me humor, por që për mua kjo shprehje ka shumë kuptim. Sapo jam kthyer nga vizita ime e dytë në Përmet, të mirëquajturin qyteti i trëndafilave, vizitë që e realizova me miqtë e mi më të ngushtë, pas katër vjetësh nga hera e pare që isha aty. Kujtoj që para katër vjetëve trotuaret ishin akoma me pllakat e sistemit komunist e më pati mbetur ndërmend gjatë edhe sllogani i qytetit, “Përveç detit, kemi gjithçka tjetër”. Por në atë kohë nuk shiheshin gjëkundi vizitorët e turistët.

Paçka se per t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtij qyteti të vogël, shoqata italiane Cesvi kishte formuar rrjetin e artizanëve të prodhimit me emrin “Pro Përmet”. Aty pashë që ndërtesat e xhamisë dhe kisha protestane thjesht ishin të ndarë nga një mur rrethimi i lehtë.
***
Këtë herë e gjej krejt ndryshe Përmetin, tashmë është rindërtuar qendra e tij, në parkingun e hoteleve të qendrës ndodhen autobusët turistikë, pasagjerët e të cilëve kanë zaptuar të gjithë shtretërit e hoteleve të tij. Kjo në fakt është edhe arsyeja se pse neve na duhet të akomodohemi në Vila Culi, me çmimin prej njëmijë lekësh për shtrat. Të zotët, nje çift mjaft simpatik, zemërgjerë e me shumë humor, na gostitën me raki Përmeti dhe gliko kumbulle në shenjë mirëseardhjeje. Dalim të hamë darkë te Antigonea, një nga lokalet e sugjeruara nga Roberti, një prej miqve të mi të malit, përmetar, të cilin e patëm njohur në marshimin e Taraboshit në Shkodër. Të nesërmen, pas mëngjesit, nisemi nga qyteti me drejtim Ujrat Termale të Bënjës, 12 km larg Përmetit. Të tjerë kanë mbërritur më herët nga ne dhe po shijojnë ujrat e nxehta të vaskave. U futem në ujin termal dhe bejmë maska me balten e vaskës së rrethuar me mure me gure zalli në formë rrethore. Ndërkohë një e pas një po na behin autobusët e parkuar një natë më parë në qendër, pranë hoteleve. Ata po bëjnë transportin e turistëve vendas e të huaj, që si destinacion ashtu si ne, kanë Bënjën.
***
Unë dhe Alketi, ngjitemi në shpellën në krah të urës së Katiut, ku kundrojmë urën e vaskat dhe malet e kanionet përreth. Bukurri e rrallë. Vazhdojmë e ngjitemi, pikërisht aty ku më parë kishte qenë një repart ushtarak, më tutje, në shpat mali janë dy tunele. Kureshtja na bën t’i ofrohemi dhe ti vizitojmë ata. Ndërkohë që të tjerët në bëjnë telefon, pasi po afron vakti i drekës, që sipas porosisë së Robertit, do ta hamë tek restorant “Familjari” po aty në Bënjë. Me të mberritur aty, na mirëpret Eranda, njëra nga tri motrat që e menaxhojne lokalin, një grua që detyrën e merr seriozisht e na pret buzagaz. Mësojmë që ajo është ish-basketbolliste e ekipit 24 Maji, të qytetit të Përmetit. Ushqimi dhe shërbimi shumë i mirë, i shoqëruar edhe me me batuta e histori humori dhe me raki të fortë Përmeti, na bën që dhe darkën ta rezervojmë aty. Roberti kishte të drejtë.
****
Rrugës për në Bënjë ndaluam të shikonim nga afër një grup të rinjsh që po trajnoheshin për rafting. Aty dallova shokun tim përmetar Robertin. Pqr ju që jeni kuriozë, ai me familjen e tij jeton në të vetmin kamping në Përmet, në Albturist Ecocamping Përmeti. Ai është një njeri shumë i gjendur e që mund t’ju ndihmojë e t’ju shoqërojë edhe juve në eksplorimin e atraksioneve turistike të Permetit. Nëse keni nevojë, ja ku e keni numrin e tij 0694250444.
Tani doni të na pyesni se si e kaluam ne me grupin tonë? E kemi thënë pra, që në titull: Përmet, mos e vet. Kurse ju, mos e humbni një vizitë në Përmet, qytetin e trëndafilave.

Vende për t’u vizituar:
• Banjat e Bënjës
• Teqeja e Ali Postivan, Frashër
• Ngjitje në Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë
• Kishat e Kosinës dhe Leusës
• Bredhi i Hotovës, park kombëtar
• Kanioni Langaricës, – ujërat termale
• Guri i Qytetit
• Kanionet e Vjosës
• Rafting në Lumin e Vjosës
Distanca:
• Distanca nga Shkodra 305 km
• Distanca nga Tirana 235 km

(* Mos e pyet në dialektin shkodran, ka kuptim “mos pyet më se sa bukur ishte”)