Parku natyror “Postojna Jama”, 24 km formacion speleologjik
November 8, 2019 || views
Ngahera e kemi thënë se veprat më të bukura të artit i ka bërë vetë natyra. Dhe sa më shumë shohim gjëra të reja, aq më shumë bindemi për këtë.
Parku “Postojna” në Slloveni, ku ndodhet formacioni i dytë më i gjatë i shpellave të nëndheshme, me nje pasuri të rrallë stalaktitesh e stalagmitesh që kanë formuar vepra të vërteta arti gjatë shekujve e mijëvjeçarëve.
Megjithëse nga njëzetekatër, vetëm katër kilometra janë vizitueshme, turizmi slloven përfiton prej tyre shuma marramendëse parash (bileta e hyrjes kushton 25 euro për 90 min), që vijnë prej qindra mijëra vizitorëve nga e gjithë bota dhe gjatë të gjithë vitit.
Dhjetëra trena hyjnë e dalin çdo minutë, me grupe prej pesëdhjetë turistësh. Përveçse për vizita turistike, Postojna shfrytëzohet edhe për aktivitete kulturore dhe koncerte simfonike sepse ka akustikë të shkëlqyer dhe njëra prej sallave të saj ka përmasat e Koloseut për nga lartësia.
E veçanta e Parkut që shitet sa frëngu pulën është Zhapiku Olm, simbol i shpellës, që mbretëron suveniret dhe gjithçka tjetër në zonë. Ky zhapik është shumë i veçantë e i rrallë, sepse rritet në shumë pak shpella në botë dhe ato pak specie ruheshin me fanatizëm në akuarium.
Shqipëria do të përfitonte shumë nga turizmi speleologjik, nëse shpellat e saj të shumta do të bëheshin të vizitueshme.