Parku Kombëtar i Prespës dhe surprizat e tij
January 15, 2023 || views
Vetëm 20 minuta larg nga Korça ndodhet Parku Kombëtar i Prespës, një nga parqet natyrorë më të mëdhenj e impresionues të Shqipërisë. Tek sa dy liqenet e mrekullueshëm të Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël, i bëjnë prej 5 milionë vitesh shoqëri njëri tjetrit, tashmë ka ardhur koha që dhe ju t’i vizitoni këto liqene. Të rrethuara nga pyje e livadhe shumëngjyrësh, e të pasuruara gjatë shekujve me plot monumente të rëndësishme, ka plot arsye se përse një udhëtim në këtë vend është propozimi më origjinal që mund t’i bëni dikujt të apasionuar pas natyrës.
Prespa e Madhe me një sipërfaqe prej rreth 300 km katrorë dhe thellësi maksimale 54 m, shtrihet në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni. Ky liqen është i njohur për ujërat e freskëta dhe plazhet me rërë dhe gurë të imët. Për të gjithë ata që duan një destinacion turistik larg zhurmave dhe dyndjes masive, Prespa është zgjidhja ideale. Disa hotele cilësore dhe bare e restorante ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme për turistët, ndërkohë që plazhi gjatë verës shoqërohet nga një atmosfere tejet shplodhëse.
Ishulli i Maligradit
Por protagonist i vërtet i Liqenit është padyshim Ishulli i Maligradit, që me shkëmbin gëlqeror të pjerrët, tërheq të gjithë vëmendjen drejt tij. Në maqedonisht Maligrad do të thotë dhe qytet i vogël. Për të gjithë ata që do duan ta vizitojnë më nga afër përmes varkave të vogla ishullin, Maligradi do ju zbulojë dhe një surprizë të këndshme: Kishën e Shën Mërisë! E ndërtuar në vitin 1369 brenda një shpelle që ngjante vend i shenjtë, kisha me afreskot e saj do të lërë një mbresë të rrallë shpirtërore. Në fshatrat përreth mund të admirohen disa objekte të kultit ortodoks, ku spikasin Kisha e Shën Mihalit në Liqenas, Kisha e Shën Pjetrit në Zaroshkë, Kisha e Shën Gjergjit në Gollomboc si dhe Kisha e Shën Marenes në Kallamas.
Flora dhe fauna e gjithë parkut është jashtëzakonisht e pasur. Mbi 1500 lloje bimësh, 261 lloje zogjsh, 21 lloje peshqish e plot specie të tjera popullojnë zonën, ku vlen të përmendet dhe pelikani dalmat, që e ka përqëndrimin kryesisht në Prespën e Vogël. Në perëndim të po këtij liqeni, në zonën e Devollit, duhet të vizitoni patjetër dhe Shpellën mbresëlënëse të Trenit, ku do mund të shihni nga afër pikturat murale prehistorike që datojnë 6000 vite para Krishtit.
Sugjerime
Nëse doni të bëni një ndalesë për të ngrënë plot shije ushqime bio, ju rekomandojmë fshatin Zaroshkë i cili ka gjithashtu dalje në liqen. Nuk mund të mos provoni tavën e krapit kur të jeni në Prespë, me peshkun e freskët që do ju bëjë të lëpini gishtat.